Sekretariati për Bujqësi, Zhvillim Rural dhe Ekologji i Komunës së Ulqinit e ka përmbyllur me sukses vitin 2025, duke realizuar plotësisht buxhetin e planifikuar dhe duke ofruar mbështetje konkrete për fermerët lokalë.
Kështu ka deklaruar sekretarja e këtij Sekretariati, Arta Muçaj, sipas së cilës vitin e kaluar ishin planifikuar me buxhet 250 mijë euro, të cilat janë shfrytëzuar tërësisht.
“Kemi qenë shumë aktivë gjatë gjithë vitit dhe angazhimi ynë është reflektuar në realizimin e plotë të buxhetit. Kjo tregon se masat dhe programet tona kanë qenë të nevojshme dhe të mirëpritura nga fermerët”, tha ajo.
Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve është ndarë për subvencione direkte në blegtori dhe bletari. Prodhuesit e qumështit kanë përfituar subvencion prej 5 centë për litër, për të gjithë ata që e kanë shitur qumështin në qumështore të licencuara. Ndërkohë, bletarët janë mbështetur me 8 euro për çdo kosherë, në një shumë totale prej rreth 25 mijë eurosh.
Po ashtu, gjatë vitit 2025 janë realizuar edhe thirrje publike për mbështetjen e prodhimtarisë bimore, duke përfshirë blerjen e fidanëve, farërave dhe veglave të punës. Për këto masa janë ndarë rreth 160 mijë euro, ndërsa numri i përfituesve ka kaluar 350 fermerë, të cilët, sipas sekretares Muçaj, kanë shprehur kënaqësi me mbështetjen e marrë.
Përveç subvencioneve financiare, Sekretariati ka organizuar edhe një sërë manifestimesh promovuese për bujqësinë lokale. Ndër më të suksesshmet vlen të përmenden “Shalqini i Ulqinit”, “Nata e bamjeve” dhe “Shporta e Vjeshtës”, aktivitete këto që kanë ndihmuar në promovimin e produkteve vendore, kulturës dhe traditës lokale, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Duke marrë parasysh kërkesat në rritje dhe interesimin gjithnjë më të madh të fermerëve, për vitin 2026 është paraparë një rritje e buxhetit prej rreth 30 për qind, duke arritur në 320 mijë euro. Sipas Muçajt, prioritet do të vazhdojë të jetë nxitja e bujqve përmes subvencioneve, me fokus në blegtori, bletari, ullishtari dhe pajisje pune, me mundësi kompensimi deri në 50 për qind të investimit.
Aktualisht, Sekretariati ndodhet në fazën e planifikimit të ndarjes së mjeteve buxhetore për vitin 2026, ndërsa Muçaj ka ftuar fermerët që të japin sugjerimet e tyre për nevojat konkrete në sektorin e bujqësisë.
Ajo ka rikujtuar gjithashtu obligimin ligjor për regjistrimin e ullinjve, duke i ftuar të gjithë banorët e Ulqinit dhe Anës së Malit që ta kryejnë këtë procedurë në sekretariat.
Muçaj shprehu optimizëm se edhe buxheti i vitit 2026 do të realizohet plotësisht, duke theksuar se fermerët janë gjithnjë e më të informuar dhe të vetëdijshëm për të drejtat dhe masat mbështetëse që u ofrohen.
D. Teliqi
