Plavë – Para pak ditësh, mu në qendër të qytetit të Plavës ndodhi një heroizëm i vërtetë. Djaloshi dhjetëvjeçar nga ky qytet, Ellmin Pupoviq, duke vrapuar pas topit me të cilin luante me ca shokë, papritmas rrëshqiti dhe ra në valët e harlisura të ujit të lumit të Plavës, të cilat ia rrezikuan jetën. Por, kur fati i mirë e don, aty afër u gjendën të rinjtë plavjanë Mersim Pejçinoviq, Muhamed Toskiq dhe Samir Bakoviq, të cilët fare pa u hamendur treguan heroizmin e vet në vepër, rrezikuan jetën për ta shpuar nga vdekja – mbytja në valët e ujit të lumit djaloshin e sipërpërmendur. I pari në ndihmë në lumin e tërbuar kërceu i riu Mersim Pejçinoviq, i cili nga përplasjet e valëve të furishme të ujit pësoi lëndim të rëndë në njërën këmbë. Duke e parë këtë, menjëherë në ndihmë në lumin e tërbuar kërceu i riu Muhamed Toskiq, i cili i ndihmuar nga Samir Bakoviq ia doli që ta nxjerrë nga uji i lumit djaloshin e rrezikuar, pa pësuar lëndime të rënda trupore.
Për trimërinë, guximin dhe heroizmin e tre të rinjve plavjanë, të cilët duke rrezikuar jetën e vet shpëtuan nga vdekja djaloshin dhjetëvjeçar, janë duke u dhënë vlerësime, mirënjohje dhe falënderime në Plavë dhe më gjerë. Në këtë kontekst, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, të mërkurën më 30 prill 2025, në zyrën e vet i priti bashkëqytetarët guximtarë, të cilët kanë shpëtuar nga mbytja djaloshin Ellmin Pupoviq nga uji i ftohtë i lumit të tërbuar.
“Në kabinetin tim sot kam pranuar bashkëqytetarët trima, të cilët pa përsiatje dhe me vendosmëri të madhe kanë dalë në ndihmë dhe kanë shpëtuar jetën e djaloshit dhjetëvjeçar Ellmin Pupoviq nga lumi i Plavës. Në shenjë të respektit dhe falënderimit të thellë, në emër të Komunës së Plavës dhe në emrin tim, fletëfalënderimet për guxim të jashtëzakonshëm, vetëmohim dhe vendosmëri të treguar me rastin e këtij akti fisnik, ua kam dorëzuar Muhamed Toskiqit, Samir Bakoviqit dhe Medija Pejçinoviqit, i cili në emër të vëllait të vet Mersimit, e ka marrë fletë mirënjohjen ngase Mersimi momentalisht gjendet në spital, ku po kurohet pas ndërhyrjes mjekësore”, është shprehur ai.
Kryetari i Komunës së Plavës ka thënë se “veprimi i tyre njerëzor na përkujton se solidariteti, humanizmi dhe gatishmëria në ndihmë të të afërmit është themel i çdo shoqërie të shëndoshë. Heronjtë nuk kërkojnë vëmendje – ata veprojnë thjesht, guximshëm dhe të vendosur. I falënderojmë që janë shembull i asaj që do të thotë të jesh njeri”.
Sh. Hasangjekaj