Rikthimi i festës tradicionale

“Në një të ardhme të afërt duhet të paramendojmë dhe të planifikojmë idenë për zhvillimin e turizmit dhe pyjeve të gështenjave so dhe rregullimin e hapësirave të rregullta për pushime dhe argëtim. Pronarët e gështenjave duhet të obligohen për mirëmbajtjen e tyre përmes subvencioneve të ndryshme e këto më së miri mund t’i realizojë pushteti lokal dhe ai qendror”, ka thënë kryetari i Bashkësisë Lokale Ostros, Beqir Berjashi

Ostros – Pas një pauze dyvjeçare për shkak të pandemisë, gjatë fundjavës (12-13 nëntor 2022) në Ostros të Krajës është mbajtur edicioni i 14-të i manifestimit tradicional bujqësor, turistik dhe kulturor “Festa e gështenjave”.
Manifestimi është organizuar nga Bashkësia Lokale – Ostros, me mbështetjen e Komunës së Tivarit, Organizatës Turistike të Tivarit dhe donatorëve të tjerë. Ai ka tubuar mijëra qytetarë nga Kraja, Tivari, Ana e Malit dhe Ulqini, Shkodra, Podgorica, Malësia etj. Të pranishëm në këtë manifestim kanë qenë edhe ambasadorja e Republikës së Kosovës në Mal të Zi, Ariana Zherka – Hoxha, dhe përfaqësues të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA).
Në fjalën e hapjes, kryetari i Bashkësisë Lokale Ostros, Beqir Berjashi, duke iu uruar mirëseardhje të gjithë pjesëmarrësve, ka thënë se kjo bashkësi lokale e organizon me kënaqësi për 14 vite “Festën e gështenjave”.
Ai ka thënë se gështenjat rriten me shekuj në këto troje shekullore dhe janë shfrytëzuar në ndërtimtari, si fryt i rëndësishëm për ushqim dhe për shëndet etj.
Megjithatë, Berjashi ka vlerësuar se përkundër mundësive të mëdha për t’u shfrytëzuar për turizëm, gështenjat akoma nuk janë shfrytëzuar sa duhet.
“Në një të ardhme të afërt duhet të paramendojmë dhe të planifikojmë idenë për zhvillimin e turizmit dhe pyjeve të gështenjave si dhe rregullimin e hapësirave të rregullta për pushime dhe argëtim. Pronarët e gështenjave duhet të obligohen për mirëmbajtjen e tyre përmes subvencioneve të ndryshme e këto më së miri mund t’i realizojë pushteti lokal dhe ai qendror”, ka thënë ai.
Sipas kryetarit të Bashkësisë Lokale Ostros, Krajës i duhet ndihmë që të projektohen planet e biznesit në mënyrë që sa më mirë të shfrytëzohen gështenjat dhe prodhimet tjera bujqësore.
“Me këto projekte dhe me shumë të tjera që po përmenden vite me radhë, siç janë furnizimi me ujë, hapja e pikës kufitare Skje-Zogaj, mirëmbajtja dhe zgjerimi i rrugës regjionale mundësojnë kushtet më të mira të jetës në fshat. Këto do të ndikojnë në ndalimin e emigracionit të popullatës”, ka thënë ndër të tjera Berjashi.
Kryetari i Komunës së Tivarit, Dushan Raiçeviq, ka thënë se ajo që e gëzon është fakti se përmes këtij manifestimi promovojnë pasurinë e kësaj treve – gështenjat, “që kanë ushqyer shumë gjenerata, që do të ushqejnë shumë gjenerata, të cilat përmes një promovimi turistik adekuat në mënyrën e duhur do të valorizohen”.
Ai ka thënë se përpos kësaj, përmes “Festës së gështenjave” promovojnë edhe trashëgiminë e pasur historike-kulturore të Komunës së Tivarit dhe konfirmojnë edhe një herë se pasuria jonë më e madhe është diversiteti.
Raiçeviq ka nënvizuar se “Festa e gështenjave” në njëfarë mënyre është festim i jetës.
“Më gëzon fakti që këtu sot jemi të gjithë së bashku, të tubuar në mënyrë tradicionale, shoqërohemi dhe tregojmë edhe një herë se jemi nikoqir të mirë jo vetëm për bashkëqytetarët tanë, por edhe për ata nga komunat dhe shtetet fqinje që e vizitojnë Ostrosin dhe Krajën”, ka thënë ai.
Disa dhjetëra prodhues në stendat e tyre kanë ekspozuar gështenjat dhe produktet tjera bujqësore të trevës së Krajës, pastaj peshkun e liqenit të Shkodrës etj., të cilat pjesëmarrësit kanë pasur mundësi t’i shijojnë dhe t’i blejnë. Pjesë e programit të manifestimit ka qenë edhe programi kulturor-artistik, ku kanë marrë pjesë këngëtarë nga vendi dhe rajoni.
Gështenja si pemë tradicionale dhe burim i jetës në Krajë konsiderohet një ndër simbolet e kësaj treve.

i. k.


Konkurs letrar kushtuar gështenjës

Në kuadër të manifestimit “Festa e gështenjave” këtë vit për të parën herë është realizuar konkursi letrar kushtuar gështenjës. Në konkurs kanë mbërritur gjithsej 18 punime, prej të cilëve 15 poezi dhe 3 në prozë.
Juria e përbërë nga poeti Ali Gjeçbritaj, kritiku letrar Qazim Muja dhe gazetari Ismet Kallaba, kanë vlerësuar punimet dhe kanë përzgjedhur tre punimet më të mira. Me Çmimin e Parë është vlerësuar tregimi i Gazmend Çitakut, me Çmimin e Dytë poezia e Besmir Asllanit, kurse me Çmimin e Tretë poezia e Jonida (Kovaçi) Trumës. Tre punimet më të mira të konkursit letrar janë shpërblyer nga organizatori.

Të fundit

më të lexuarat