Rezultate të dukshme në të gjitha sferat

“Nuk ekziston qytet i përsosur. Por ekziston ajo që Plava ka - njerëzit. Njerëz të cilët me të drejtë kritikojnë, ndihmojnë kur duhet, nderojnë kur shohin përpjekje. Njerëz të cilët, qoftë të jenë këtu ose me mijëra kilometra larg - mendojnë për Plavën. Dhe ia japin një pjesë nga vetja”, është shprehur kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq

Të premten, më 25 korrik 2025, në Plavë në mënyrë solemne u shënua Dita e Komunës.
Pas fjalës përshëndetëse të moderatores së programit të akademisë solemne, Aleksandra Llaban, dhe intonimit të himnit të Malit të Zi, me seancën solemne ka filluar manifestimi i mbajtur në ambientin e sallës së madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, ku përpos këshilltarëve të Kuvendit të Komunës, stafit punëdrejtues të vetëqeverisjes lokale dhe një numri të konsiderueshëm të qytetarëve të kësaj komune dhe asaj të Gucisë dhe të bashkëvendësve nga diaspora, ishin të pranishëm edhe shumë personalitete të shquara e të njohura të jetës shoqërore, politike, kulturore, artistike, shkencore, sportive dhe fetare nga Komuna e Plavës, por edhe nga komunat tjera të Malit të Zi.
Seancën solemne e hapi kryetari i Kuvendit të Komunës, Allen Balliq, i cili në fjalën përshëndetëse, duke u drejtuar të pranishmëve, u shpreh se “të jesh sot këtu, së bashku me ju në këtë vend të posaçëm nën Visitorin e lartë kreshnik dhe pranë liqenit piktoresk të Plavës, i cili ruan historinë, ëndrrat dhe dhembjen e popullit tonë, nuk është vetëm protokoll, por ftesë zemrës që të përkujtohet se kush jemi dhe ku po shkojmë”.
Në vazhdim të fjalës së tij, ai ka thënë se Plava nuk është vetëm vend në hartë.
“Plava është ndjenjë përkatëse qëndrimi dhe beteje. Plava është qytet në të cilin janë edukuar gjeneratat që kanë ditur se dashuria ndaj vendlindjes nuk do të thotë mbyllje, por përgjegjësi. Plava është qytet i cili kur hesht – flet. Për këtë, sot para jush ju drejtohem, jo vetëm si kryetar i Kuvendit, por edhe si dikush i cili personalisht bart ndjenja kolektive – në rrëfimet e nënës, në porositë e babës dhe në fjalë e vargje të ca poetëve”, ka theksuar Balliq.
Ai ka thënë po ashtu se është veçanërisht krenar për faktin se viteve të fundit Plava po fiton kornizat e qytetit modern, duke zhvilluar entuziazmin e përgjithshëm të të gjithë atyre që e vizitojnë, por njëkohësisht duke ruajtur pamjen e saj tradicionale, që mos t’i humbë ajo e padukshmja, por e vërtetë dhe e gjallë “shpirti i Plavës”.
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Plavës i ka njoftuar të pranishmit se në vitin paraprak
është miratuar buxheti rekord prej më se shtatë milionë euro, janë mbajtur pesë seanca të rregullta të Kuvendit të Komunës, kurse përmes dialogut të hapur dhe punës së përbashkët janë miratuar një sërë vendimesh të rëndësishme dhe është realizuar plani dhe programi i punës së Kuvendit të Komunës së Plavës, gjë që është rezultat i punës së kujdesshme dhe të përkushtuar të të gjithë pjesëtarëve të qeverisjes lokale.
Sipas tij, një prej simboleve më të ndritura të çiltërisë së Komunës së Plavës është binjakëzimi me Komunën Bartin të Republikës së Turqisë, që e shohin si urë miqësie, shkëmbim kulturash dhe fillim i një bashkëpunimi të frytshëm.
Në fjalën e tij, kryetari Balliq kujdes të veçantë i ka kushtuar diasporës.
“Dashuria e tyre ndaj Plavës, mbështetja e tyre e përhershme, këshillimi i tyre i vazhdueshëm, ndihma materiale dhe shumëçka tjetër janë ndjenjë dhe virtyt i tyre i pamohueshëm”, ka nënvizuar ai.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën përshëndetëse, përpos asaj që është bërë në periudhën e kaluar, ka folur edhe për potencialet e zhvillimit si dhe për sfidat e caktuara me të cilat ballafaqohet qeverisja lokale.
“Të pestën herë e shënoj këtë festë me ju si kryetar i komunës dhe çdoherë ndjenja është e njëjtë – krenaria, falënderimi dhe përgjegjësia, sepse ky nuk është manifestim i një date – kjo është ditë kur flasim mbi gjithçka që na lidhë e motivon: mbi ujin i cili na freskon, mbi njerëzit të cilët mbesin dhe mbi ata të cilët kthehen, mbi çdo pjesë të qytetit dhe fshatit të cilët frymojnë me ritmin e vet”, ka thënë ai.
Canoviq ka thënë se “Plava është qytet me një mijë fytyra, por vetëm me një shpirt. Qytet në të cilin natyra nuk shihet, por përjetohet. Ku liqeni ndryshon ngjyrat sikur t’i përcjellë mallëngjimet tona. Ku sporti nuk mishëron rezultat, por rrugëtim. Ku bursa nuk është ndihmë, por depozitë për ardhmëri”.
Ai ka theksuar se në vitin paraprak kanë punuar heshtazi, me ngulm dhe konkretisht.
“Kemi rritur kompensimet e bursat, përfunduar projektet, ndërtuar dhe planifikuar edhe më shumë. Dhe këto jo që të kemi me çka të lavdërohemi, por që fëmijët tanë mos të jenë të detyruar të përmirësojnë atë që ne kemi mundur të bëjmë si duhet. Nuk ekziston qytet i përsosur. Por ekziston ajo që Plava ka – njerëzit. Njerëz të cilët me të drejtë kritikojnë, ndihmojnë kur duhet, nderojnë kur shohin përpjekje. Njerëz të cilët, qoftë të jenë këtu ose me mijëra kilometra larg – mendojnë për Plavën. Dhe ia japin një pjesë nga vetja”, është shprehur kryetari Canoviq.
Sipas tij, mu për këtë ky manifestim është më tepër se ngjarje.
“Ai është përkujtues që kemi vlera që vlejnë të ruhen dhe që për fat ende nuk i kemi humbur.
Për këtë, falënderim të gjithëve të cilët na përkrahin. Edhe atyre të cilët na provokojnë të bëhemi më të mirë. Falënderim të gjithëve të cilët besojnë se Plava nuk është vetëm e bukur, por edhe e vlershme”, ka thënë kryetari i Komunës së Plavës, duke shtuar se deri në fund të mandatit të vet do të punojë me përkushtim dhe do t’i prezantojë investimet e qytetarëve dhe të diasporës në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Bashkë me shërbimet e administratës lokale dhe institucioneve publike do të vazhdohet investimi në komunën e Plavës, do të zhvillohen projekte të reja dhe do të avancohen kushtet e jetës për të gjithë qytetarët”, ka përfunduar Canoviq.
Të pranishmit në akademinë solemne patën rastin të shikojnë filmin promovues 15-minutësh me titull “Plav – ljubičasti grad” (Plava – qytet ngjyrë vjollce).
Në seancën solemne me rastin e shënimit të Ditës së Plavës, kryetari i Komunës, Nihad Canoviq, dhe ai i Kuvendit të Komunës, Alen Balliq, i ndanë plaketë mirënjohëse Akademikut Zuvdija Hoxhiq, i lindur në Guci, por që rininë e ka kaluar në Plavë, kurse veprimtarinë e vet universale dhe shumëdimensionale e ka zhvilluar në Podgoricë, ku edhe tani jeton. Po ashtu edhe këtë vit u janë ndarë plaketa falënderimi nxënësve dhe studentëve të suksesshëm nga kjo Komunë për rezultatet e arritura në arsim.
Të pranishmit i ka argëtuar violinistja e njohur dhe e afirmuar Verica Çulkoviq.
Pas akademisë solemne, për të gjithë të pranishmit Komuna e Plavës ka shtruar koktej në hollin e Qendrës për Kulturë.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat