Rezultate inkurajuese në të gjitha veprimtaritë e punës

Plavë – Të premten e kaluar, më 29 korrik 2022, në Plavë, në mënyrë solemne është shënuar Dita e Komunës.
Pas fjalës përshëndetëse të moderatores së programit, zonjës Tamara Bubanja, dhe intonimit të himnit të Malit të Zi, me seancën solemne ka filluar manifestimi i mbajtur në sallën e madhe të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”, ku përpos këshilltarëve të Kuvendit të komunës dhe një numri të konsiderueshëm të qytetarëve të kësaj komune dhe të bashkëvendësve nga diaspora, ishin të pranishëm edhe shumë personalitete të shquara të jetës politiko-shoqërore, kulturore, artistike, shkencore, sportive dhe fetare nga Komuna e Plavës, por edhe nga komunat e tjera të Malit të Zi.
Seancën solemne e hapi kryetarja e Kuvendit të komunës, Jasmina Cikotiq, e cila në fjalën përshëndetëse bëri me dije se Plava, Ditën e Komunës e shënon dhe kremton sipas vendimit të kësaj komune, të datës 10 korrik 2009, kur është konfirmuar termini i ditës së manifestimit – e premtja e fundit e muajit korrik, e cila është në harmoni të plotë me politikën moderne të qyteteve evropiane.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën përshëndetëse të pranishmëve në akademinë solemne, përpos asaj që është bërë në periudhën e kaluar, ka folur edhe për potencialet e zhvillimit, si dhe për nxitjet (provokimet) e caktuara me të cilat ballafaqohet vetëqeverisja lokale.
“Lirisht mund të them se nismat janë diçka që nuk i mungojnë Komunës së Plavës, ndërsa çiltërsia jonë, t’u dalim në takim kërkesave të shumënumërta të cilat vijnë nga faktorët e ndryshëm shoqëror, vërtetë janë formulë për arritje të rezultateve të mira dhe të dukshme. Edhe pse përherë mundet më mirë dhe nuk varet gjithnjë nga ne, kemi bërë projekte që në kufijtë e mundshëm t’i respektojmë të gjitha ato që janë reale dhe të realizueshme, e që sjellin benefite të caktuara dhe u përgjigjen nevojave të qytetarëve”, ka thënë kryetari Canoviq.
Ai në vazhdim ka përkujtuar në projektet dhe investimet e rëndësishme infrastrukturore.
“Nëse flas me gjuhën e numrave dhe fakteve, atëherë dua të përqendrohem në ca projekte, ndër të cilat kisha përmendur kapacitetin e planifikuar të shtëpisë për të moshuarit (pleqtë), i cili është mjaft i rëndësishëm, investimi i të cilit kap shumën prej afro tre milionë euro. Gjithashtu dua të theksoj se jemi duke vazhduar me rregullimin e bërthamës së ngushtë të qytetit, cili ka filluar me ndërtimin e sheshit ca vite më parë, ashtu që të rikonstruktojnë rrugën kryesore të qytetit me investimin me vlerë prej 1,2 milionë euro. Bëjmë çdo gjë që si qeverive të Malit të Zi dhe të Kosovës t’u tregojmë në rëndësinë e kalimit-kufitar nëpër Çakorr dhe në ndërtimin e rrugës ndërshtetërore Plavë-Deçan. Krahas këtyre, punojmë edhe në ndërtimin dhe rregullimin e rrugëve lokale, rrjetit të ujësjellësit, ndriçimit publik, janë vetëm pjesë e angazhimit në fushën e infrastrukturës së qytetit dhe të lidhshmërisë së komunikacionit”, ka veçuar Canoviq.
Sipas fjalëve të tij, Komuna e Plavës ka treguar se është administratë e përgjegjshme lokale me rezultatet në konsolidimin financiar dhe organizativ, por edhe me investimin në promocione turistike dhe ruajtje të vlerave kulturore dhe historike.
Po ashtu kryetari i Komunës së Plavës, këtë vit ka sjellur vendimin që individët dhe shoqëritë e shquara dhe dalluara t’i nderojë me fletë-falënderime. Kështu Mr. Halil Markishiqit i është dorëzuar fletë-falënderimi për kontributin në ruajtjen e identitetit dhe afirmimit të thesarit kulturoro-historik të Plavës; SHKA “Pllavsko Jezero” për kontribut në ruajtjen e kulturës, traditës dhe lojërave popullore autoktone të trevës së Plavë-Gucisë, kurse nxënëses së shkollës së mesme të Plavës, Zada Medunjanin, për zënien e vendit të parë në garat shtetërore nga lënda e gjeografisë.
Gjatë seancës, është shfaqur filmi dokumentar “Plave, kraj jezera moga” (Plavë, pranë liqenit tim), i cili është realizuar në bashkëpunim të Komunës së Plavës me profesorin e artit muzikor të Akademisë Muzikore në Cetinë.
Të pranishmit e akademisë solemne për shënimin e Ditës së Komunës, me programet e veta i kanë argëtuar nxënësit e paraleles së ndarë fizike në Plavë të Shkollës së Muzikës në Beran në seksionin e pianos, violinës dhe harmonikës, si dhe SHKA “Plavsko Jezero”.
Për Ditën e Komunës së Plavës, mesazhe urimi, kryetarit të komunës, Nihad Canoviq, kryetares së Kuvendit të komunës, Jasmina Cikotiq, këshilltarëve dhe qytetarëve, u kanë dërguar presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kryetari i Qeverisë së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryetarja e Parlamentit të Malit të Zi, Dalliborka Gjuroviq, ca ministra të Qeverisë së Malit te Zi, kryetarë të komunave dhe kuvendeve të komunave malazeze, përfaqësues të shumë ambasadave dhe shërbimeve diplomatike e konsulare, si dhe të institucioneve publike e private dhe personalitete të jetës politiko-shoqërore, kulturore dhe artistike nga Komuna e Plavës dhe Mali i Zi.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat