Reciprocitet për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore

Qeveritë e Malit të Zi dhe Kosovës kanë arritur marrëveshje për njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve gjyqësore në çështjet civile dhe komerciale, duke krijuar një mekanizëm të ndërsjellë ligjor ndërmjet dy vendeve të vogla ballkanike.
Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, duke thënë se nga tani e tutje vendimet e lëshuara nga gjykatat e Kosovës në çështjet civile dhe komerciale mund të njihen dhe ekzekutohen në Mal të Zi dhe anasjelltas.
“Ky është një zhvillim i rëndësishëm që do të mundësojë një rrjedhë më të lehtë të njohjes dhe ekzekutimit të vendimeve të gjykatave të Kosovës, duke përmirësuar bashkëpunimin juridik dhe duke ndihmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në këtë fushë ndërmjet dy shteteve në fjalë”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, kjo marrëveshje, përveçse do të ndihmojë në zgjidhjen efektive të mosmarrëveshjeve mes qytetarëve dhe bizneseve në të dyja vendet, përputhet gjithashtu me përpjekjet e Malit të Zi dhe Kosovës për të avancuar në rrugën evropiane, ku bashkëpunimi juridik mes shteteve është një nga kriteret kryesore.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat