Qytetarët të kenë mundësi t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre

“Do të veçoja listat gjysmë të hapura. Unë kam përcjellë në mënyrë direkte zgjedhjet në Kosovë dhe Shqipëri dhe në shtete të tjera, por sidomos në Kosovë, ku isha mbikëqyrës i zgjedhjeve, se sa me rëndësi është që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin kë të duan. Pra, jo vetëm partinë politike, por brenda partive politike të bëjnë përzgjedhjen e vet”, thotë Nikollë Camaj, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi dhe anëtar i Komisionit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore

Rëndësia e reformës zgjedhore në Malin e Zi është theksuar vazhdimisht gjatë vitit 2025, si një hap kyç për forcimin e demokracisë dhe përshpejtimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Përfundimi i reformës deri në fund të vitit është konsideruar vendimtar për të ruajtur vendin në agjendën e anëtarësimit në BE dhe për të arritur integrimin e plotë deri në vitin 2028.
Në lidhje me këtë reformë dhe për t’u njohur më nga afër me këtë proces dhe rrjedhat e tij, biseduam me z. Nikollë Camaj, anëtar i Komisionit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore, njëherësh nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi.

Ndryshimet pozitive në ligjin zgjedhor dhe kuotat për gratë
Në këtë prononcim për gazetën “Koha javore”, ai thekson se ajo çfarë mund të potencohet si pozitive në këtë drejtim është ndryshimi i ligjit zgjedhor në pjesën që ka përfshirë disa ndryshime të rëndësishme, siç është mbajtja e zgjedhjeve lokale në një ditë.
“Dhe së paku me këtë ndryshim eliminohet mundësia që votuesit të shëtisin nga një komunë në një tjetër. E rëndësishme gjithashtu është rritja e përqindjes së mandateve të garantuara të grave në 40 për qind, gjë që çmoj se është tejet e rëndësishme. Dhe një rëndësi tjetër është fakti se komisioni zgjedhor nuk do të jetë më politik”, theksoi Camaj.

Listat gjysmë të hapura dhe pjesëmarrja qytetare
Ai më tej tha se pjesa tjetër e reformës që ka mbetur pa u realizuar e që është pjesë e bisedimeve, ku do të kyçet edhe sektori joqeveritar, ka të bëjë me zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Këtu do të veçoja listat gjysmë të hapura. Unë kam përcjellë në mënyrë direkte zgjedhjet në Kosovë dhe Shqipëri dhe në shtete të tjera, por sidomos në Kosovë, ku isha mbikëqyrës i zgjedhjeve, se sa me rëndësi është që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin kë të duan. Pra, jo vetëm partinë politike, por brenda partive politike të bëjnë përzgjedhjen e vet”, u shpreh Camaj.
Sipas tij, kjo do të ishte një mënyrë që do të zvogëlonte interesimin e qytetarëve për të bojkotuar zgjedhjet, sepse ka një imponim të tepruar të partive politike te qytetarët. Një ndryshim i tillë, tha ai, do t’i motivonte qytetarët për të dalë në zgjedhje.

Kuotat e garantuara për pakicat
Një interes sipas Camajt janë edhe kuotat e garantuara për pakicat.
“Ne si shqiptarë, në bazë të numrit të votave që kemi pasur edhe në mandatet e fundit, do të mund t’i siguronim së paku katër mandate. Një tjetër çështje me rëndësi, që përsëri lidhet me lista gjysmë të hapura, do të ishte ulja e koeficientit dhe numrit të votave për t’u pranuar, pra për të mos u djegur votat. Kjo përqindje duhet të zbritet, sidomos nëse shkohet me lista gjysmë të hapura”, theksoi Camaj.

Vota e diasporës
Anëtari i Komisionit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore, Nikollë Camaj vuri në dukje rëndësinë e mundësisë për të votuar edhe shqiptarët që jetojnë në mërgim, por që janë rritur dhe kanë familjet këtu dhe që janë të interesuar për të ardhmen e këtij vendi.
“Pra, që të kemi njëfarë mundësie që t’ua sigurojmë votën. Listat e ardhshme zgjedhore t’u japin mundësi dhe të drejtë të votës, edhe pse kjo çështje hap probleme të mëdha për Malin e Zi, për shkak se ka edhe popuj të tjerë të interesuar që jetojnë jashtë e që do të donin ta realizonin të drejtën e votës”, u shpreh Camaj.
Ai tha se Mali i Zi është në një situatë pak jo të përshtatshme për faktin se asnjë popull nuk ka mbi 50 për qind.
“Dhe ata duan ta ruajnë që vullneti politik dhe kushdo që të qeverisë, të mos varet nga ata që votojnë jashtë. Kjo nuk duhet të na sjellë në pyetje angazhimin tonë që të interesohemi që shqiptarët tanë që janë rritur këtu të japin kontribut edhe për zgjedhjet lokale apo parlamentare”, shtoi Camaj.

Përfaqësimi i partive të vogla
Pavarësisht mospërputhjes shpeshherë dhe mos harmonizimit për shumë çështje, Camaj tha se të gjitha po shkojnë në favor të rrugëtimit të Malit të Zi drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Shpresoj se do të arrijmë në një marrëveshje, edhe pse, veçanërisht kur bëhet fjalë për listat e hapura, ato janë shumë të diskutueshme. Por gjysmë të hapura do të jenë të pranueshme, sepse janë shumë më të mira edhe për vetë partitë politike, pasi ato sigurojnë gjysmën e mandateve, sidomos bartësi i listës që të ketë mandatin e sigurt. Pastaj të tjerët në bazë të numrit të votave. Edhe nëse një kandidat fiton më shumë vota se ç’është e paraparë për mandat, ato i shkojnë të tjerëve dhe nuk digjet asnjë votë”, theksoi ai.
Ai shtoi se kjo do të ishte një përparësi e madhe për partitë politike, veçanërisht për partitë e vogla dhe për shqiptarët në Malin e Zi. Kjo qasje gjithashtu do ta ndihmonte procesin e integrimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Në prill të vitit 2025, BE theksoi se reforma e sistemit zgjedhor në Mal të Zi është thelbësore dhe duhet të zbatohet pavarësisht qëndrimeve të partive ose koalicioneve politike.
Ndërkohë një muaj më vonë, në qershor 2025, OSBE/ODIHR-i ofroi një mendim ligjor mbi Ligjin për Zgjedhjen e Këshilltarëve dhe Deputetëve, si dhe mbi Ligjin për Regjistrin e Zgjedhësve, duke dhënë rekomandime për përmirësimin e tyre sipas standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe për rritjen e transparencës së procesit zgjedhor.
Ndërkaq, Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Mali i Zi, në takimin e mbajtur më 18-19 shtator 2025, riafirmoi angazhimin e fortë të vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe theksoi nevojën për reforma të mëtejshme, përfshirë ato zgjedhore, si kusht për të përmbushur kriteret e anëtarësimit.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat