Qytetarët tashmë kanë bërë një zgjidhje për t’u ngrohur

Duke parë se shoqëria çdo ditë e më tepër kërkon plotësim të kushteve sa më të avancuara dhe me më pak mund, energjia diellore është një metodë e cila po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e amvisërive, pasi përveçse ka më pak kosto, ajo është një ndër energjitë më të pastra dhe mënyra më e mirë për të pasur përherë ujë të ngrohtë në shtëpitë e tyre, është përmes instalimit të sistemit me panel diellor i cili e mundëson ketë, falë energjisë diellore

Javëve të fundit vendi ynë vazhdon të karakterizohet nga një mot i qëndrueshëm me diell dhe me temperatura relativisht të larta për këtë periudhë kohore të vjeshtës. Ditët janë të ngrohta, ndërsa gjatë natës natyrisht temperaturat shënojnë ulje dhe kjo bën që të ndezim zjarr ose ndonjë pajisje elektrike për të ngrohur ambientin. Në këtë artikull po trajtojmë se me çfarë zgjedhin familjet të ngrohen tani e tutje që temperaturat gjithnjë do të shënojnë ulje.
Nga një vox pop i realizuar në terren me disa persona të cilët preferuan të mbeten anonimë për lexuesit, rezulton se për t’u ngrohur ata preferojnë pajisjet elektrike (klimat), mirëpo, ka nga ata që përdorin vetëm lëndë drusore për t’u ngrohur.
“Në familjen tonë vazhdojmë të ngrohemi me dru, pavarësisht se këtë vit çmimi i një metër kub dru të gatshme për djegie varion nga 70 deri 85 euro, varësisht nga lloji.
Për këtë vit ende nuk i kemi blerë, por krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit do të detyrohemi të blejmë më pak metra, për shkak se nga viti në vit, ka rritje çmimi” shprehet qytetari. Ai thotë se si pasojë e rritjes së çmimit të druve në treg, do të detyrohen që të heqin dorë përfundimisht nga blerja e druve dhe të vendosin klima në shtëpi, pasi siç tha ai, është një mënyrë më e pranueshme.
Ndërkohë, ka të tjerë që mendojnë se mënyrë më e mirë për ta zgjidhur çështjen e ngrohjes në stinën e dimrit është, vendosja e paneleve diellorë në shtëpi, për këdo që ka mundësi.
“Unë ka mbi dy vite që i kam vendosur panelet diellore dhe jam jashtëzakonisht i kënaqur. Është një metodë shumë efikase dhe ekonomike, pasi, në qoftë se deri para vendosjes së tyre, për një muaj kam paguar energji ose dru, mbi njëqind euro në muaj, tani me instalimin e këtij sistemi paguaj shumë më pak, pra me një diferencë shumë e madhe”, shprehet njëri nga të intervistuarit.
Ndërkaq, ka të tjerë që për t’u ngrohur gjatë dimri, përdorin vetëm pajisje elektrike, kondicionerë të ndryshëm. I intervistuari ynë shprehet se nga viti i kaluar ka hequr dorë tërësisht nga ngrohja me dru, duke radhitur një sërë arsyesh për këtë vendim.
“Në radhë të parë sepse nxehja me sobë në dru, ka shpenzime më shumë. Ato duhen porositur, pastaj duhet paguar transporti, më pas punëtorët për t’i prerë dhe bërë gati për ndezje, dhe në fund, kur e bën llogarinë përfundimtare, të del më shtrenjtë sesa të nxehesh me energji elektrike”, shprehet ai.
Më tutje ai thotë se përveç kësaj, ngrohja me energji elektrike është shumë më praktike dhe më e pastër si metodë, pasi sot, kondicionerët e ri (inverter) janë aq të sofistikuar saqë me telefon, nga cilido vend që të ndodhesh, mund ta ndezësh atë dhe ta ngrohësh ambientin.
“Për shembull, je në një udhëtim dhe do që kur të mbërrish në shtëpi ta gjesh ambientin e ngrohur, kondicioneri ta mundëson këtë “luks” në krahasim më ndezjen e sobës që kërkon të jesh fizikisht i pranishëm. Dhe kjo e bën më të përshtatshme ngrohjen me energji, pasi shpeshherë jam në qytet apo në udhëtim dhe me një buton e aktivizoj kondicionerin dhe kur shkoj në shtëpi, e gjej një ambient të ngrohtë dhe kjo për mua është diçka pozitive dhe shumë më e rehatshme sesa të përdorësh lëndë drusore”, tregon një banor i Tuzit.
Duke parë se shoqëria çdo ditë e më tepër kërkon plotësim të kushteve sa më të avancuara dhe me më pak mund, energjia diellore është një metodë e cila po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e amvisërive, pasi përveçse ka më pak kosto, ajo është një ndër energjitë më të pastra dhe mënyra më e mirë për të pasur përherë ujë të ngrohtë në shtëpitë e tyre, është përmes instalimit të sistemit me panel diellor i cili e mundëson ketë, falë energjisë diellore.
Megjithatë, përdorimi në masë të gjerë i paneleve diellore duket ende i “paarritshëm” për shkak se jo çdokush mund të pajiset me një sistem të tillë dhe kështu mbetet që shumëkush të vazhdojë të ngrohet me dru ose me kondicionerë.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat