Ulqin – Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë, Arben Doçi, ka zhvilluar të martën (21 janar 2025) në Ulqin një takim me disa anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në
Malin e Zi.
Gjatë këtij takimi është diskutuar për rëndësinë e përkrahjes së institucioneve kulturore, si dhe për donacionin prej 50 000 eurosh për Librarinë “Ulqini” nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, nën kujdesin e ministrit Igli Hasani. Ky është donacioni i dytë që bëhet përmes MEPJ-së për Librarinë “Ulqini”, e cila është hapur nga KKSH në nëntor të vitit 2021, me mbështetjen financiare të Qeverisë së Shqipërisë.
Bashkëbiseduesit kanë vlerësuar se kjo ndihmë do të kontribuojë në zhvillimin e pasurive kulturore dhe edukative për komunitetin shqiptar në Ulqin dhe më gjerë.
Takimi shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të shtetit amë dhe atyre lokale.
Në takim ishin të pranishëm kryetari i KKSH-së, Faik Nika, dhe disa anëtarë të këtij institucioni përfaqësues të shqiptarëve në Malin e Zi – Ilmira Lika, Enis Mehmedi, Ilir Llazorja, Lavdim Kroma, Anton Nikaj dhe Dritan Rexha.
(Kohapress)