Ditë më parë, studiuesi dr. Nail Draga i ka ofruar opinionit librin e tij më të ri “Etnia dhe hapësira”, në të cilin janë përfshirë 11 studime shkencore që janë paraqitur në konferenca shkencore në dy dekadat e fundit apo janë botuar në revista të ndryshme. Siç thotë autori në parathënie, libri “ofron një qasje profesionale nga dimensioni gjeografik në lidhje me viset dhe popullsinë shqiptare në Mal të Zi” apo siç quhet ndryshe, cepin veri-perëndimor të hapësirës etnogjeografike shqiptare.
Në mënyrë të veçantë nga aspekti gjeografik trajtohen viset dhe popullsia shqiptare në Mal të Zi, duke filluar nga mesi i shekullit XIX deri në ditët tona, “sepse kjo është periudha kohore më dinamike ku kanë ndodhur ndryshime dhe transformime të mëdha, në aspektin demografik dhe të dekompozimit politiko-territorial të këtij mjedisi. Është kjo koha e luftrave, pushtimit e aneksimit të territoreve, spastrimit etnik, shpërnguljeve dhe ideologjive megalomane kundër shqiptarëve dhe hapësirës së tyre etnogjeografike”.
Libri është botim cilësor me lidhje të fortë, ku artikujt studimorë janë shoqëruar dhe ilustruar me fotografi, harta, tabela etj. Ai përbën një botim të vlefshëm për lexuesin e gjerë, por sidomos për komunitetin shkencor, që në fokus të tij ka trajtimin e çështjeve që lidhen me shqiptarët në Malin e Zi.
Redaktor i librit është prof. dr. Selman Sheme, recensentë prof. dr. Florim Isufi dhe prof. dr. Shpejtim Bulliqi, lektor Sabri Halili, kurse redaktor teknik Gazmend Çitaku.
Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” me mbështetjen e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi dhe është shtypur në Shtypshkronjën IVPE – Cetinë.
Dr. Nail Draga ka botuar më parë librat “Shqiptarët në Mal të Zi”, “Albanci u Crnoj Gori”, “Gjurmë gjeografike”, “Komente dhe opinione”, “Shpalime gjeografike”, “Meditime për identitetin”, “Në një cep të Ilirisë” (grup autorësh), “Kultura dhe shoqëria civile” dhe “Intelektuali dhe paragjykimet”. i. k.