Tuz- Komuna Urbane e Tuzit ditëve të fundit është impenjuar në realizimin e disa projekteve që kanë qenë të parashikuara me planin financiar të vitit 2017, të cilat konsistojnë kryesisht në ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe në atë të ndriçimit publik.
Kryetari i komunës Urbane të Tuzit, Abedin Axhoviq në një prononcim për “Koha Javore” tregon për bilancin e punimeve të kryera në dy-tre muajt e fundit, duke thënë se deri më tani plani financiar sa i takon këtyre dy sferave, është zbatuar në masën 45 përqind.
“Deri më tani kemi arritur të vijojmë asfaltimin e një pjesë të aksit rrugor ende të papërfunduar relacionin Fudna-Kojë me vlerë 30 mijë euro, rikonstruksionin e rrugës, Vuksanlekaj-Dushiq, 1700 metra me vlerë 60 mijë euro, tamponimin e rrugës në fshatin KodërBudan drejt liqenit të Shkodrës me vlerë 24 mijë euro, një rrugë dytësore në Sukruq 450 metra me vlerë 30 mijë euro, si dhe është bërë rikonstruksioni i disa rrugicave nëpër Tuz si dhe kemi vendosur llamba elektrike në fshatrat: Vuksanlekaj dhe Llofkë, pra deri më tani kemi realizuar 45 përqind e planit financiar nga 85 mijë euro që janë parashikuar për këtë vit”, theksoi kryetari i KU të Tuzit, Abedin Axhoviq.
Nga planet e tjera që sipas tij priten të realizohen së shpejti, Axhoviq veçoi ndërtimin e trotuarit në fshatin Milesh dhe ndërtimin e urës për këmbësorë në Dinoshë i cili tha se projekti kryesor për këtë të fundit ka përfunduar, ndërsa sipas tij pritet të shihet nëse punimet do të mund të fillojnë pa kaluar shumë kohë. t. u.