Publikohet analiza “Rrugë të sigurta – prioritet i qytetit tim”

Ulqin – Organizata Joqeveritare “Horizonti i Ri” prezantoi të premten rezultatet e projektit “Rrugë të sigurta – prioritet i qytetit tim”, të mbështetur nga Ministria e Investimeve Kapitale (ish-Ministria e Transportit dhe e Detarisë).
Në deklaratën për shtyp thuhet se hulumtimi i realizuar u fokusua në shqyrtimin e qëndrimeve të fëmijëve dhe të rinjve në Ulqin në lidhje me sigurinë dhe rreziqet në komunikacion, duke përshkruar sjelljen e vëzhguar të pjesmarrësve në trafik, veset e nxënësve të praktikuara në kulturën e komunikacionit, vlerësimin e sigurisë së trafikut në zonat përreth shkollave dhe përgjatë rrugës nga shtëpia deri në shkollë.
Përmes kësaj analize u evidentuan edhe burimet dhe mënyrat përmes të cilave nxënësit informohen dhe edukohen rreth kësaj teme.
Në bazë të rezultateve të hulumtimit rezultoi që infrastruktura rrugore nuk është një hapësirë e sigurt për nxënësit e shkollave të qytetit të Ulqinit “Prandaj është e nevojshme që të ndërmerren masa në shumë aspekte, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion e veçanërisht fëmijëve dhe të rinjve”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Për këtë arsye, ekipi i ekspertëve të angazhuar në hulumtim, ka dhënë edhe disa rekomandime konkrete që rrjedhimisht do të përmirësonin dukshëm problemet e evidentuara nga pjesëmarrësit e projektit, ndër të cilët veçojmë: vendosja e vendkalimeve të shënjuara dhe të sigurta për këmbësorë në zonat pranë shkollave; rregullimi dhe funksionalizmi i më shumë trotuareve në secilën pjesë të rrugës, aty ku konstrukti, mjedisi, pozicionimi dhe dedikimi i rrugës e lejon një gjë të tillë; rritja e nivelit të informimit dhe mësimit për sigurinë në komunikacion, në arsimin formal dhe atë joformal; intensifikimi, monitorimi dhe kontrollimi i komunikacionit dhe zbatimit adekuat dhe reciprok të masave parandaluese nga autoritetet dhe shërbimet kompetente etj; monitorimi dhe kontrolli i shtuar i trafikut rrugor si dhe zbatimi adekuat i masave parandaluese nga autoritetet dhe shërbimet kompetente; në rrugët me një frekuencë të lartë dhe trafik të mbingarkuar, ku ekzistojnë “ishuj për këmbësorë”, të vendosen pengesa fizike (gardhe mbrojtëse) që do të parandalonin kalimin e parregullt të rrugës nga këmbësorët; të krijohen hapësira për lëvizjen e sigurt të çiklistëve, drejtuesve të patinave dhe trotineteve elektrike.
Përveç stafit të projektit të OJQ “Horizonti i Ri”, në zbatimin e këtij hulumtimi ishte i angazhuar një ekip i veçantë ekspertësh i përbërë nga: Hakile Resulbegoviq – specialiste për kërkime dhe statistikë, Ognjen Bobiçiq – specialist i trafikut rrugor, dhe Jozo Briskoviq – magjistër i trafikut dhe kryetar i Shoqatës për Sigurinë e Trafikut të Malit të Zi.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat