Promovimi i leximit dhe edukimit audio

Vlera e leximit në zhvillimin personal dhe arsimor është e madhe dhe libri me zë ofron një mënyrë të re për të përvetësuar njohuri, veçanërisht për ata që kanë vështirësi me shikimin, por edhe për ata që preferojnë të dëgjojnë përmbajtje gjatë aktiviteteve të tjera

Ali Salaj

Për herë të parë te komuniteti shqiptar në Malin e Zi nisi të funksionojë biblioteka me zë në gjuhën shqipe, e cila ka për qëllim promovimin e leximit dhe edukimit përmes kësaj forme, veçanërisht për ata që kanë vështirësi me shikimin.
Autorja Luljeta Avdiu Cura vlerëson se në këtë projekt janë përfshirë autorët shqiptarë nga Mali i Zi për t’u zgjeruar më vonë edhe me autorët tjerë nga rajoni.
“Projekti “Biblioteka me zë” apo siç e kam titulluar audio libri shqip është projekt i rëndësishëm, sidomos për shqiptarët në Malin e Zi për vet faktin se do të publikohen pjesë me zë të autorët e shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe të autorëve nga rajoni dhe qëllimi im është që të edukohen të rinjtë dhe të rejat brenda vendit, por edhe për fëmijët e mërgimtarëve tanë në diasporë”, tha zonja Cura.
Zonja Cura, vë në dukje, se projekti synon të ruajë dhe të promovojë gjuhën dhe kulturën shqiptare, duke inkurajuar më shumë të rinj dhe të rritur të përfshihen në botën e literaturës.
“Ka humbur dëshira tek brezi i ri për të lexuar libra në formën tradicionale dhe me që ata kanë qasje tërë kohën në mjetet e ndryshme të teknologjisë, kjo edhe e mundësoi “Bibliotekën audio” se ndoshta kureshtja i bënë të dëgjojnë libra të këtij zhanri”, tha zonja Cura.
Zonja Cura mendon se projekti nuk do të ketë fund dhe do të mbështetet nga institucionet përkatëse për ta zhvilluar këtë formë të edukimit.
“Është një projekt që nuk ka fund dhe shpresoj që të përkrahet edhe në të ardhmen nga Fondi për Pakica apo nga shoqata e institucione të tjera , të cilat e donë fjalën e shkruar”, tha autorja e projektit Luljeta Avdiu Cura.
Vlera e leximit në zhvillimin personal dhe arsimor është e madhe, dhe libri me zë, sipas zonjës Cura ofron një mënyrë të re për të përvetësuar njohuri, veçanërisht për ata që kanë vështirësi me shikimin, por edhe për ata që preferojnë të dëgjojnë përmbajtje gjatë aktiviteteve të tjera.

Të fundit

më të lexuarat