Promovim indërveprimitsocial të të rinjveme aftësi të kufizuara

“Së bashku, po ndërtojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse, ku të gjithë kanë mundësinë të rriten, të mësojnë dhe ta shijojnë jetën pa barriera”, tha Deceviq

Organizimi i një sërë aktivitetesh edukative dhe argëtuese që po i zhvillon Organizata Joqeveritare “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi) në kuadër të projektit “Bëhu shoku im”, synon që të promovojë përfshirjen sociale të të rinjve me aftësi të kufizuara zhvillimore dhe të krijojë mundësi të barabarta për të gjithë.
Për drejtoreshën ekzekutive të kësaj organizate, Sabra Deceviq, njëri ndër aktivitetet më të veçanta ishte vizita në Muzeun e Historisë Natyrore, ku fëmijët dhe të rinjtë eksploruan botën magjepsëse të dinozaurëve dhe peshkaqenëve të Detit Adriatik.
“Nëpërmjet një shfaqjeje interaktive, ata mësuan për jetën dhe përshtatjet e këtyre krijesave, duke u frymëzuar nga natyra. Falë Muzeut të Historisë Natyrore, i cili mundësoi biletat falas dhe një pritje të ngrohtë, kjo përvojë u bë edhe më e veçantë”, shprehet Deceviq për “Koha javore”.
Ndërkohë, ajo tha se një tjetër aktivitet që solli gëzim dhe argëtim ishte shfaqja falas e një filmi në Kinemanë “Cineplexx” në Podgoricë, ku të rinjtë shijuan një eksperiencë kinemaje, duke ndarë emocione dhe momente të bukura së bashku.
“Disa nga të rinjtë e këtij projekti ishin për herë të parë në kinema dhe ky aktivitet zgjoi emocione të veçanta. Sigurisht se pjesëmarrja, por edhe shoqërimi me vullnetarët nga dy shkolla të mesme nga Tuzi, ndikoi në shijimin e atmosferës”, theksoi drejtoresha ekzekutive e OJQ “Djeca Crne Gore” (Fëmijët e Malit të Zi).
Një aktivitet tjetër i cili kënaqi tej mase këta fëmijë dhe të rinj, thotë Deceviq, ishte edhe vizita në Kollashin, ku fëmijët, prindërit dhe vullnetarët u kënaqën me bukuritë e natyrës dhe atmosferën e bardhë dimërore.
“Ky aktivitet jo vetëm që ofroi argëtim, por gjithashtu ndihmoi në forcimin e lidhjeve sociale dhe krijimin e kujtimeve të bukura. Së bashku, po ndërtojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse, ku të gjithë kanë mundësinë të rriten, të mësojnë dhe të shijojnë jetën pa barriera”, tha Deceviq.
Projekti “Bëhu shoku im” synon të promovojë përfshirjen dhe ndërveprimin social mes të rinjve, pavarësisht nga aftësitë e tyre. Vullnetarët e përkushtuar, nxënës të Medresesë “Mehmed Fatih” dhe të Shkollës së Mesme të Përzier “25 Maj”, luajnë një rol kryesor në realizimin e aktiviteteve dhe mbështetjen e pjesëmarrësve.
Ky projekt është mbështetur përmes programit “Të mbështetur = Të fuqizuar”, në kuadër të skemës së granteve “Pjesëmarrje aktive”, i zbatuar nga Fondi për Qytetari Aktive në partneritet me Fondacionin për Zhvillimin e Komunitetit Lokal “Slagalica” nga Kroacia. Programi financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Administratës Publike.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat