Tuz – Promovimin e produkteve autentike vendase kishte si synim panairi i afarizmit “Kuzhina shqiptare”, i cili u organizua të shtunën, më 8 mars 2025, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Sheshin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Tuz.
Ky panair ofroi për publikun ushqime tradicionale të njohura të zonës, ku në fokus ishte gatimi i djathit të zier, një traditë e hershme e trashëguar nga brezi në brez, deri në ditët e sotme.
Në hapje të këtij aktiviteti u tha se për përgatitjen e këtyre ushqimeve tradicionale shqiptare, u kujdesën kuzhinierët e njohur si: Mariana Koçeku, Nojë Sinishtaj, Shaqe Dushaj dhe Hanë Dukaj.
Përveç kuzhiniereve në fjalë, pjesë e këtij panairi ishte edhe kuzhinierja Luçia Gjuzepina Martino nga Italia, e cila për të pranishmit solli shije të disa ushqimeve të veçanta nga kuzhina arbëreshe.
Duke qenë se ushqim kryesor i këtij panairi të afarizmit ishte djathi i zier, të interesuarve u ofrua mundësia që të ndjekin nga afër gjithë procesin e gatimit të këtij produkti ushqimor.
Panairi u organizua nga Komuna e Tuzit në bashkëpunim me Unionin e Bashkive Shqiptare në Rajon.
t. u.