Tuz – Më 23 dhe 24 gusht, u organizua në qendër të Tuzit, panairi i parë i produkteve bujqësore – “Agroproduktet 2021”.
Panairi në fjalë u hap nga kryetari i Komunës së Tuzit, Nikë Gjeloshaj i cili e vlerësoi si tejet të rëndësishëm realizimin e këtij panairi, për të promovuar produktet bujqësore në Komunën e Tuzit.
“Panairi i bujqësisë është një angazhim yni shtesë institucional dhe i domosdoshëm për reklamimin e të gjitha produkteve në të njëjtin vend, ku njerëzit kanë mundësinë t’i shijojnë nga afër prodhimet tona vendase” theksoi ndër të tjera, Gjeloshaj.
Në ditën e hapjes së këtij panairi, i pranishëm qe edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Aleksandër Stijoviq, i cili u zotua se ministria që ai drejton do t’i ofrojë mbështetje të vazhdueshme sektorit të bujqësisë në Komunën e Tuzit dhe zhvillimit të tij.
Gjatë panairit të parë të produkteve bujqësore – “Agroproduktet 2021” i cili ka qëndruar i hapur, nga ora 9.30 deri në orën 12, dhe nga ora 17 deri në orën 22 të mbrëmjes së datave 23 dhe 24 gusht, vizitorën patën mundësi të dëgjojnë edhe ligjërata nga eskpertë të fushës së agronomisë.
Ndërkaq, në këtë panair të cilin nga Komuna e Tuzit e cilësojnë si ngjarjen më të rëndësishme të vitit në sektorin e bujqësisë, morën pjesë mbi 20 ekspozues me produkte të ndryshme bujqësore e blegtorale.
Ky panair u organizua nga Sekretariati për Bujqësi dhe Zhvillim Rural i Komunës së Tuzit.
t. u.
