Projekt që ndihmon ruajtjen e mjedisit dhe përmirëson ofertën turistike

Ulqin – Punimet për rregullimin e qendrës së Shtojit filluan dhe pritet që të përfundojnë përpara nisjes së sezonit turistik 2017, kanë njoftuar nga zyra për informim e kryetarit të Komunës së Ulqinit.
Me planin e rregullimit të qendrës së Shtojit, të cilin e ka hartuar Agjencia për Zhvillim dhe Ndërtim e Ulqinit, është parashikuar rregullimi i qendrës, sanimi i terrenit, ngritja e nivelit të tokës, ndërtimi i vendparkimeve dhe rregullimi i parkut.
Projekti realizohet nga Komuna e Ulqinit nëpërmjet kontraktuesit Ndërmarrjes Publike “Veprimtaritë Komunale”, me mjetet financiare të siguruara nga Fondi “Rockfeller Brothers”.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu, ka thënë se projektet e këtij lloji kontribuojnë në përmirësimin e ofertës turistike nga njëra anë dhe në ruajtjen e ambientit publik nga ana tjetër.
Ai ka premtuar se projekte të këtilla do të jenë të numërta gjatë këtij viti.
Edhe kryetari i Bashkësisë Lokale Shtoj, Viktor Makoviq, e ka vlerësuar projektin si të domosdoshëm, duke marrë parasysh që ka për qëllim të rregullojë qendrën e Shtojit në mënyrë afatgjate. (Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat