Projekt që kontribuon edhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve

Realizimi i punëve në rivitalizimin e liqenit të Plavës planifikohet përmes fazës së dytë të projektit SDIP, i cili do të mund të sigurojë mjetet financiare për zbatimin e aktivitetit pas hartimit të dokumentacionit të nevojshëm

Plavë – Në sallën e Komunës së Plavës për takime, tubime dhe veprimtari të tjera pune të organeve të vetëqeverisjes lokale, të premten (17 janar 2025) është mbajtur punëtoria dedikuar formësimit të detyrës së projektit lidhur me rivitalizimin dhe mbrojtjen e liqenit të Plavës, projekt ky që paraqet hap kyç për hartimin e mëtejmë të dokumentacionit teknik, i cili është i domosdoshëm për zgjidhjen e këtij projekti të rëndësishëm ekologjik dhe infrastrukturor.
Në punëtorinë në fjalë kanë marrë pjesë ekspertë dhe përfaqësues të shquar të Bankës Botërore: Martin Benedikt Albrecht, udhëheqës i grupit të punës i projektit SDIP, Eisse Wijma dhe Zoran Rashiq – ekspertë të Bankës Botërore, Vlladimir Dubleviq – menaxhues i projektit SDIP, si dhe Dushan Kostiq dhe Dragan Spasiq, inxhinierë të diplomuar të cilët kanë punuar në Studimin e mbrojtjes dhe rivitalizimit të liqenit të Plavës.
Bashkëpunimi i Bankës Botërore dhe Komunës së Plavës ka filluar përmes Programit rajonal zhvillimor të korridorit të lumenjve Sava dhe Drina (SDIP), nismë e orientuar në fuqizimin e bashkëpunimit ndërkufitar, mbrojtjen nga përmbytjet dhe avancimin e afarizmit. Në kuadër të këtij programi është planifikuar ndërtimi i fortifikatave bregore në lumenjtë Lim dhe Gërnçar, me qëllim të mbrojtjes shtesë nga përmbytjet e vërshimet dhe ruajtjes së pasurive natyrore.
Realizimi i punëve në rivitalizimin e liqenit të Plavës planifikohet përmes fazës së dytë të projektit SDIP, i cili do të mund të sigurojë mjetet financiare për zbatimin e aktivitetit pas hartimit të dokumentacionit të nevojshëm.
Përpos personaliteteve të sipërcekura, në punëtori kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të komunave të Plavës dhe Gucisë, si dhe individë të interesuar nga bashkësitë lokale.
Projekti i rivitalizimit të liqenit të Plavës ka për qëllim hartëzimin e problemeve kyçe dhe propozimin e zgjidhjeve përmes detyrës së programit i cili do të shërbejë si bazë për hartimin e dokumentacionit projektues të nevojshëm për punë konkrete në rivitalizimin e liqenit në fjalë. Dokumentacioni do t’i definojë në mënyrë precize aspektet teknike të punimeve, fletëshpenzuesin dhe aktivitetet parësore.
Lidhshmëria e këtij projekti me qëllime të gjera si dhe mbrojtja e ujit, zvogëlimi i rrezikut nga përmbytjet dhe avancimi i ekosistemit shtesë tregon për rëndësinë e tij.
Punëtoria e mbajtur në Plavë edhe një herë ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në mes të bashkësive lokale, institucioneve ndërkombëtare dhe specialistëve në zgjidhjen e sfidave ekologjike dhe infrastrukturore.
Ky projekt, përveçqë do të kontribuojë në ruajtjen e pasurive natyrore, ka potencial që të avancojë cilësinë e jetës në komunat e Plavës dhe Gucisë dhe të rrisë potencialin e tyre turistik.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat