Tuz – Profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe, z. Vasel Berishaj është emëruar të enjtën më 28 janar 2022, ushtrues detyre i drejtorit të Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz.
Z. Berishaj, në një prononcim për gazetën “Koha Javore” tregon mbi prioritetet e veprimtarisë së tij, për sa kohë do të jetë në postin e udhëheqësit të kësaj qendre kulturore.
“Qëllimi parësor dhe kulmor i imi do të jenë pasqyrimi dhe ruajtja e vlerave kulturore që kanë të bëjnë me nënqiellin tonë, përkatësisht me shqiptarët e komunës tonë dhe më gjerë. Krahas kësaj, do të përpiqem që edhe informimi të jetë në kohë reale dhe në mënyrën e duhur”, shprehet Berishaj.
I pyetur se si e vlerëson punën e deritanishme të këtij institucioni, Berishaj, duke qenë i sapoemëruar në krye të kësaj qendre, nuk dëshiroi të japë ndonjë bilancë të punës, as në kontekstin negativ e as pozitiv, mirëpo theksoi se, dora e huaj nuk mund të përkëdhelë dhe as të të jap kënaqësinë ashtu sikurse dora e vet.
“Është hera e parë që ne e kemi marrë përsipër këtë qendër dhe jemi themelues të QKI “Malësia”, dhe kështu ne, mendoj se do të veprojmë jo vetëm në drejtimin e punës si profesion, por këtë punë do ta ndjejmë edhe si mision. Ka ardhur koha që ne të shpalosim dhe të veprojmë për ato vlera të cilat janë shumë të rëndësishme për ne”, theksoi Berishaj.
Në pyetjen se çfarë i mungon kësaj qendre kulturore aktualisht, dhe si duhet avancuar ajo, Berishaj shpalos një sërë projektesh që do të përmirësonin funksionimin në tërësi të këtij institucioni.
“Kësaj qendre i mungon, jo vetëm veprimtaria e cila lidhet drejtpërdrejt me qëllimin e saj, por edhe shumëçka tjetër. I mungojnë lidhjet me qendrat e tjera kulturore-informative, siç janë ato të shtetit amë, të Kosovës, të shqiptarëve të Maqedonisës së Veriut, por edhe lidhjet me shqiptarët kudo. Ne, gjithashtu do të krijojmë ura bashkëpunimi edhe me qendrat e tjera të cilat kanë vlera që mund t’i ofrojmë popullit të Malësisë”, shprehet Berishaj.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të kësaj qendre, Vasel Berishaj thotë se QKI “Malësia” ka nevojë edhe për një meremetim, të brendshëm dhe të jashtëm, i cili beson se do të realizohet në të ardhmen.
“Financimi i kësaj qendre bëhet drejtpërdrejt nga komuna jonë, dhe mendoj se për këtë çështje jemi dakorduar që të jenë mjete po aq sa mendoj se nevojiten që të kemi mundësi të funksionojmë ashtu siç duhet”, përfundon Berishaj.
Kujtojmë se drejtor i deritanishëm i kësaj qendre kulturore-informative ishte z. Hajrudin Axhoviq.
t. u.