Prëtë Dedvukaj, malësorja e vetme e cila një gjysmë shekulli ruajti vlerat dhe traditën shqiptare në Amerikë

Gjekë Gjonaj

Prëtë Nikja Dedvukaj lindi në vitin 1933 në fshatin Passhkallë të Grudës- Malësi të Madhe, në një familje të nderuar atdhetare , kurse vdiq në vitin 2023 në Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte martuar me Gjergj Dedvukaj në fshatin Bardhaj të Hotit, në një familje zëmadhe patriotike nga fisi i prijësit popullor Dedë Gjo’Lulit. Do të mbahet mend si artizania e vetme malësore e veshjeve popullore shqiptare në Shtete të Bashkuara të Amerikës.

Një jetë të tërë kushtuar kostumeve popullore të Malësisë së Madhe
Kjo heroinë fisnike e trashëgimisë kulturore më shumë se një gjysmë shekulli thuri “ art” me gjilpërë. Një jetë të tërë punoi me shumë pasion e dashuri ditë e natë pa u ndalur kostume popullore të Malësisë së Madhe për burra e gra, si çakshirë , xhamadan dhe xhubletë, me spikë në formë se si është bërë deri më tani,
Vajza e saj, Katrina, shprehet se nëna Prëtë gati gjithë jetën ka punuar me duart dhe gishtat e saj veshje kombëtare . “ Pesëdhjetë e gjashtë vjet në Amerikë nëna ime s’ka punuar tjetër përveçse veshje kombëtare. Me këtë zeje të cilën ia ka mësuar tezja i ka rritur dhe shkolluar fëmijët e saj. Pasionin për qëndisjen e veshjes kombëtare çakshirëve dhe xhubletës, brenda të cilave fshihej bukuria e djemve, e burrave e vajzave dhe grave malësore, e filloi kur unë isha shtatë vjeç. Babai im një ditë i propozoi bashkëshortes t’ia qëndisë vajzës një xhubletë. Nënës i pëlqeu propozimi i tij dhe kështu ajo filloi punimin me dorë të kostumeve kombëtare , prej të cilave nuk u nda deri në moshën 90-të vjeçare, kur vdiq. Nëna jonë u ka lënë trashëgimi punimet e arta të qëndisura ndër vite e dekada fëmijëve , nipave e mbesave të të gjitha grupmoshave . Ato i përdorin edhe sot dhe tashmë i kanë veshur katër breza shqiptarësh, çka tregon se xhubleta nuk vdes”, thotë Katrina dhe shton se në zemrat e vëllezërve dhe motrave të mia ajo qëndisi dashurinë e madhe për vendin tonë.

Emri i saj u bë i njohur për komunitetin shqiptar
Kjo ruajtëse dhe kultivuese e virtyteve kombëtare shqiptare në mërgim, për ta mbajtur gjallë ekonominë familjare, pas vdekjes së burrit në moshë të re, krahas punëve të shtëpisë dhe punëve të tjera në rritjen, edukimin dhe shkollimin e fëmijëve , vazhdoi me këtë zeje të veçantë. Kështu emri i saj u bë i njohur për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe më gjerë.
Kostumet popullore të punuara dhe të zbukuruara nga ajo me përkushtim dhe mjeshtëri të madhe u bënë pjesë e të gjitha manifestimeve kombëtare e mbarëkombëtare dhe organizimeve të tjera në shumë vende ( shtete) të Amerikës ku jetonin shqiptarët, madje edhe në festivalin e Gjirokastrës në vitin 1983, 1986 dhe në festivale të tjera shqiptare. Ajo në mënyrë besnike pasqyroi vlerat dhe virtytet shqiptare si malësore e vërtetë që hijeshonte në rreshtat e para të tubimeve që organizoheshin në Michigan, Nju- Jork, Uashington, Chikago e kudo tjetër për sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe të shqiptarëve gjithandej në trojet e veta duke u bërë shembull i një gruaje atdhetare me zemër te madhe, që ruajti me fanatizëm vlerat dhe traditën shqiptare në Amerikë. Dhjetëra palë kostume kombëtare ua ka dhënë njerëzve për ti përdorur, të cilat kanë humbur pa gjurmë. Megjithatë, është ndier e gëzuar që i kanë marrë dhe thoshte ti gëzojnë.
Prëta përveç kostumeve tradicionale të Malësisë së Madhe, me duart e saj të vyera ka qëndisur me shumë përkushtim Flamurin e Pavarësisë dhe qindra flamuj të shpalosur anembanë Amerikës dhe Shqipërisë.
Punimi i veshjeve kombëtare i merrnin shumë kohë. Për të punuar një çakçirë dhe një xhamadan asaj i është dashur 2 deri 3 muaj, një xhubletë për vajza 3-4 muaj , kurse një xhubletë të nuses pak më shumë se një vit.

Shpallja e xhubletës nën mbrojtjen e UNESKO-s e gëzoi shumë
Më së shumti atë e ka emocionuar dhe gëzuar lajmi se në sesionin e 17-të të Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, unanimisht është vendosur shpallja e xhubletës dhe dije bërjes së saj si pjesë të Listës së trashëgimisë kulturore jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s, në vitin 2022,
Veshja më e veçantë që ajo ka krijuar dhe që e ka emocionuar mjaft artizanen e pavdekshme është se shumë shqiptarë/e të cilët kanë ikur shumë të vegjël apo janë lindur jashtë trojeve shqiptare, shkonin te ajo dhe kërkonin kostum tradicional shqiptar. Atë veçmas e kanë mallëngjyer të rinjtë shqiptarë që kanë lindur jashtë kufijve të Malësisë , por edhe trojeve tjera shqiptare , ose kanë ikur shumë të vegjël , të cilët kërkojnë një veshje popullore.

Një pjesë e shpirtit të sajë në Muzeun Etnografik të Pejës
Familja e Gjergj dhe Prëtë Dedvukaj, në prill të vitit 2024, i dhuruan Muzeut Etnografik të Pejës – Kosovë një pjesë të jetës dhe shpirtit të kësaj artizane të mrekullueshme – xhubletën shqiptare e cila ishte punimi i saj i fundit dhe çakçirët, që ishin puna e saj e parë e punuar me dorë. Me këtë dhuratë familja Dedvukaj përmbushi amanetin e nënës së tyre të dashur, e cila vetëm një vit më parë ishte ndarë nga kjo jetë. Pra, kemi fillimin dhe mbarimin e një jete të tërë me plot përkushtim ndaj ruajtjes së traditës shekullore në krijimin e veshjeve tradicionale, posaçërisht xhubletës, e cila ka vlera të mëdha kulturore dhe historike.
Vepra njerëzore dhe humane e familjes Dedvukaj, e dhurimit me dashamirësinë më të madhe të kostumeve kombëtare të punuara me dorën e njeriut të tyre të shtrenjtë Muzeut të Pejës , duhet vlerësuar si një gjest me një vlerë e shtuar historike dhe turistike për këtë qytet, i cili është pasuruar me një aset , me një pasuri të rrallë botërore.
Shembulli i zonjës Prëtë, të cilën unë do ta quaja “ artizania e shqipes”, është dëshmi e gjysheve tona të cilat ishin artizane të mrekullueshme të cilat kontribuuan jo vetëm në moszhdukjen e veshjeve tradicionale shqiptare, por punuan edhe për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare. Si e tillë ajo do të mbetet e përjetshme.

Të fundit

më të lexuarat