Shkodër – Në katërvjetorin e hapjes së saj, Galeria “Oda” në Shkodër ka organizuar Konkursin ndërkombëtar të fotografisë me temë “Autoportret”, në të cilin kanë marrë pjesë 60 artistë nga disa vende të rajonit dhe bota, si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Italia, Gjermania, Franca, SHBA, Finlanda, Ukraina, Zvicra dhe Serbia. Në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë edhe tre artistë shqiptarë nga Mali i Zi: Monika Dukaj nga Tuzi dhe Henor Halili e Jetlir Kovaçi nga Ulqini.
Të shtunën mbrëma është hapur ekspozita me fotografitë e pjesëmarrësve në konkurs si dhe janë ndarë çmimet për fituesit. Juria e përbërë nga fotografët Niko Jakova dhe Leon Nenshati, si dhe gazetari i kulturës Albert Vataj kanë vlerësuar me Çmimin e Parë autoportretin e artistes ukrainase Alina Nilova dhe me Çmim Special autoportretin e fotografit të ndjerë nga Kosova, Naim Shala.
Organizatorja e ekspozitës dhe pronarja e Galerisë “Oda”, Rozafa Shpuza, ka treguar se ideja për organizimin e një konkursi të tillë ka filluar që para një viti, por për shkak të mungesës së fondeve vetëm tani ka arritur që ta realizojë.
“Ky është një konkurs që bëhet për herë të parë në Shqipëri, për herë të parë në Shkodër, për herë të parë në ‘Odë’. Edhe unë jam e lumtur që Shkodra e filloi këtë nismë dhe ideja është për ta bërë për çdo vit. Ta bëjmë të përvitshëm, pra, këtë konkurs fotografie”, ka theksuar ajo në fjalën e hapjes së ekspozitës.
Shpuza, edhe vetë fotografe dhe pjesëmarrëse në konkurs, ka pohuar se artistët e kanë shumë të vështirë që të fotografojnë veten.
“E kanë shumë më kollaj me drejtuar aparatin nga një personazh, po kjo ishte një sfidë për ta”, ka thënë ajo.
Kryetari i jurisë, Albert Vataj, ka vlerësuar punën e Shpuzës me Galerinë “Oda”.
“Rozafa nuk heq dorë kollaj, siç ka bërë edhe në këtë ‘Odë’. Në këtë Odë të vogël, por me shpirt të madh dhe me zemër të madhe për t’i bërë vend të gjithë artistëve për të ekspozuar, për të promovuar vlerat e tyre artistike”, ka thënë ai.
Vataj ka theksuar se Rozafa Shpuza ka bërë një gjë të jashtëzakonshme duke e shndërruar shtëpinë familjare, që më herët ishte shkrumbuar nga zjarri, në “një sofër për artin dhe artistët”.
Dy pjesëtarët e tjerë të jurisë, Niko Jakova dhe Leon Nenshati, kanë nënvizuar prurjet, sidomos të artistëve të rinj në këtë konkurs, të cilët kanë punuar me shije të veçantë duke i dhënë autoportretit vendin që i takon.
E hapur katër vite më parë falë nismës së poetes dhe fotografes Rozafa Shpuza, Galeria “Oda” në Shkodër është bërë një vend i rëndësishëm për promovimin e atistëve të fushave të ndryshme si dhe artit dhe kulturës kombëtare dhe ndërkombëtare.
i. k.