Më 26 dhjetor 2025, në ambientet e Librarisë “Ulqini”, u shënua solemnisht 35-vjetori i themelimit të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, i shoqëruar me hapjen e ekspozitës me botimet e saj ndër vite (1991–2025). Ky aktivitet mblodhi personalitete të njohura të kulturës, arsimit, artit, shkencës, përfaqësues institucionesh, anëtarë dhe miq të shoqatës, si dhe përfaqësues të mediave.
Në fjalën hyrëse u theksua se ky përvjetor përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për vetë shoqatën, por edhe për jetën kulturore shqiptare në Ulqin dhe në Mal të Zi. “Art Club”-i, i themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup krijuesish dhe intelektualësh të Ulqinit, lindi në një periudhë të ndryshimeve të mëdha shoqërore dhe politike, si nevojë për promovimin e vlerave të mirëfillta artistike, kulturore dhe shkencore të shqiptarëve në Malin e Zi. Në të njëjtën kohë, ai u shndërrua në një alternativë të rëndësishme kulturore dhe në një hapësirë afirmimi për krijuesit shqiptarë, të cilët shpesh ishin të përjashtuar nga asociacionet zyrtare kulturore të kohës.
Kryetari i “Art Club”-it, Ismet Kallaba u shpreh se gjatë 35 viteve veprimtari, kjo shoqatë e ka ruajtur në mënyrë konsekuente misionin e saj themelor – promovimin e artit, kulturës dhe shkencës shqiptare.
“Ai ka sjellë një frymë të re në skenën kulturore, duke u distancuar nga folklorizimi i ngushtë dhe duke e trajtuar kulturën shqiptare në të gjitha përmasat e saj bashkëkohore. Në mungesë të institucioneve të specializuara shkencore për shqiptarët në Mal të Zi, ‘Art Club’-i shpesh ka luajtur rolin e një ‘akademie në miniaturë’”, ka thënë ai.
Ndër veprimtaritë më të rëndësishme të shoqatës u veçuan dy shtylla kryesore: manifestimi letrar “Kalimera Poetike – Basri Çapriqi”, i themeluar në vitin 1993 dhe i shndërruar tashmë në një festival letrar kombëtar e rajonal, si dhe veprimtaria botuese, përmes së cilës deri më sot janë botuar rreth 200 libra nga më shumë se 50 autorë, duke e bërë “Art Club”-in botuesin më të madh shqiptar në Mal të Zi.
Qazim Muja, i cili është i lidhur ngushtë pothuajse me pjesën më të madhe të botimeve, u shpreh se “Art Club”-i nuk është vetëm një shoqatë kulturore, por një hapësirë diskursive ku libri, mendimi kritik dhe përgjegjësia intelektuale kanë ndërtuar një kujtesë të qëndrueshme kulturore.
“Përmes veprimtarisë botuese, kjo shoqatë ka krijuar një arkiv të identitetit kulturor të shqiptarëve në Malin e Zi. Ajo ka funksionuar si një akademi kulturore në miniaturë, duke legjitimuar dijen dhe dialogun. ‘Art Club’-i mbetet një model i qëndrueshmërisë kulturore dhe i rezistencës përmes librit”, ka thënë ai.
Në kuadër të ceremonisë u prezantuan edhe aktivitetet e shumta të realizuara gjatë vitit 2025, përfshirë Javën e Letërsisë Shqipe, konferencën shkencore mbi gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve në Mal të Zi, edicionin e 33-të të “Kalimerës Poetike”, si dhe botimin e disa librave të rëndësishëm. U theksua posaçërisht fakti se libri “Histori të ëndrrave të hershme” i shkrimtarit Mehmet Kraja, botuar nga “Art Club”-i, është vlerësuar me Çmimin “Liburnia” në Panairin e Librit në Ulqin.
Në pjesën e dytë të aktivitetit u hap ekspozita me botimet e “Art Club”-it, e shoqëruar me një videoprezantim që pasqyron në mënyrë kronologjike rrugëtimin botues të shoqatës ndër dekada. Ekspozita do të qëndrojë e hapur edhe në ditët në vijim, duke u ofruar vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me një nga kapitujt më të rëndësishëm të kulturës shqiptare në Mal të Zi.
D. Teliqi
