Prejardhja e arbëneshëve të Zarës – lidhja e tyre me truallin e lashtë

Ky vit (2026) shënon 300-vjetorin e shpërnguljes së parë të arbëreshëve të Zarës nga trevat e tyre arbërore. Sipas burimeve arkivore, në vitin 1726 në Zarë u vendosën 19 familjet e para që u shpërngulën nga zonat e Mbishkodrës, përkatësisht nga Kraja dhe Shestani, me ndihmën e kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Vinçenc Zmajeviq. Pavarësisht se kanë kaluar tre shekuj, arbëreshët (arbëneshët; në gjuhën kroate “arbanasi”) përpiqen të ruajnë identitetin e tyre dhe përbëjnë një komunitet të veçantë dhe të nderuar në Kroaci, ndërsa në kujtesën e vet ruajnë kujtimet mbi prejardhjen e të parëve të tyre. “Koha javore” do të sjellë kohë pas kohe për lexuesin gjatë këtij viti studime, dëshmi, kujtime etj. të arbëreshëve (për arbëreshët) të Zarës

Idriz Ajeti

Ardhja e turqve në Ballkan shkaktoi një përzierje të tërë ndërmjet popujve ballkanikë. Heroi shqiptar Gjergj Kastrioti – i quajtur Skënderbe, me një grusht shqiptarësh u bëri rezistencë këmbëngulëse hordhive turke, mirëpo pas njëzet vjetësh luftë vdiq si komandant ushtarak i këtij populli të vogël e trim. Vendin do ta ndërmerrnin përsëri hordhitë turke. Popullsia shqiptare e grykave të maleve fillon rishtazi të tërhiqet në drejtim të veriut, duke u strehuar në strehimore të sigurta. Kjo gjendje zgjati deri në shekullin XVIII, mirëpo më vonë shqiptarët braktisën gjirin e vendlindjes së tyre dhe kërkuan strehim në viset veriore. (Nuk duhet të harrojmë se shqiptarët në shekullin XVIII, duke pranuar islamizmin, depërtuan deri në Nish e Toplicë dhe i banuan me këtë rast trevat e pabanuara të Kosovës dhe Metohisë. Shih Tomiq, O Arnautima u staroj Srbiji, 1913, f. 40. Në Kosovë, e veçanërisht në Metohi, sipas burimeve historike, edhe përpara kishte vendbanime shqiptare.) ”Në kohën e Venedikut ata shërbenin si “viktima” jo vetëm në qytetet e Ballkanit, por edhe në Dalmaci e Lompardi. Edhe dubrovnikasit e kotorasit kishin grupe shqiptare, të cilët rekrutoheshin, një pjesë e tyre në Zetën venedikase, një pjesë në trevat e despotëve serbë”; khs. Shufflay, Povijest sjevernih Arbanasa, Arhiv za arban. star. jezik i etnologiju, II, libri II, 224. Kur filloi të përhapet murtaja edhe në Ballkanin e Turqisë, e cila shkatërronte pamëshirshëm jetën e shëndetin e njerëzve, e kundër kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse turqit nuk ndërmorën kurrnjë hap serioz; kur filluan edhe konfliktet e pandërprera kufitare, më në fund ia mërzitën jetën, dërgimi me dhunë në ushtri, rekrutimi i mercenarëve në luftë, që shpërtheu në mes Turqisë dhe Persisë, gjendja u bë e padurueshme, – me gjithë ndihmën e përzemërt, të Vinçenc Zmajeviqit, më 1726, nga Kraja e Malit të Zi – nga Brisku e Shestani shkuan në Zarë 19 familje. Kjo ishte shpërngulja e parë e shqiptarëve të Krajës për në viset e veriut. Pas një kohe, disa vjet më vonë, më 1733, bëhet shpërngulja e dytë e shqiptarëve nga Shestani dhe e rrethinave të tjera, ku kishte 28 familje me 199 anëtarë. Shënimi i lokaliteteve i përmendur nga Shufllai; [Šufflay: “Počeci sjeveroarbanaske kolonije u Borgo Eries (BorgoErizzo”). Fillet e kolonisë shqiptare të veriut në Borgo Erico (Borgo Erizzo) afër Zarës janë edhe më të vjetra sesa konsiderohen ato”; Thaloczy, Illyrisch0albanische Forschungen, I, 322; Weigand, Der gegische Dialekt vou Borgo Erizzo, Jahresheicht des Instituts für rumänische Sprache, 1911 vit. 1602 me seli nël Zarë, il guvernatore Paolo Ghini con 200 Albanesi”. (Horvat, Bos. glasnik, 21/1909/83)”] “me seli në Zarë il governatore Ghinicon 200 Albanesi”, duhet marrë sikur shqiptarët shërbyen edhe në ushtrinë venedikase si mercenarë, mirëpo këta shqiptarë nuk kanë asgjë të përbashkët me arbëneshët e sotëm të Zarës, për të cilët me siguri dihet se këta në Zarë u vendosën jo më 1602, por më se njëqind vjet më vonë. Pushteti venedikas me ndërmjetësimin e politikanit të përmendur kishtar dhe shkrimtarit Vinçenc Zmajeviqit, të ikurve u dha pasuri dhe u ndërtoi ndërtesa banimi në pronën e klerikut Gjoni i Tmerrshëm. Lokacioni i falur gjendej në jug, jashtë qytetit të Zarës, sot pjesë përbërëse e tij. Shqiptarët këtë vendbanim e quajtën Arbëneši; kroatët në fillim e quajtën – Ericino selo; italianët – Borgo Erizzo, sipas providitorit Nikola Erici; kroatët më vonë e quajtën Arbanasi. Sipas mendimit të Taljavinit (Albanese di Dalmazia, f. 71), që “Il nome locale Arbneš è di origine croata, arbnor e arbništ sono sicuramente indigeni”, në asnjë mënyrë nuk do të jetë i saktë: emërtimi nuk do të jetë me origjinë kroate, sepse kësaj i kundërvihen edhe arsyet fonetike nga njëra anë, e nga ana tjetër edhe ndjenjat e arbëneshëve të Zarës ishin të forta për një emër të një vendi të tillë, ndaj nuk është çudi që ata vendbanimin e tyre e quajtën Arbneš; khs. Arbneš – emër fshati rrëzë Taraboshit. Kjo nuk është asgjë e re (Gabim të rëndë bëri edhe Shpend Bardhi, Leka, VII (1935), IV, 185-186; kur pohoi se trajta shqiptar kronologjikisht është më e vjetër se trajtat Arbënesh, Arbëresh, dhe se kjo trajtë prandaj është formë e vonshme te italo-arbëreshët dhe arbëneshët e Zarës.), sepse emërtimi Arbneš, Arbreš – në të vërtetë ndeshet si emërtim për shqiptarët mjaft herët. Ai është në përdorim edhe sot e kësaj dite si në të folmet toske po ashtu edhe në të folmet gege (khs. M. Resuli, Raporti kronologjik i trajtave: Arbneśh – shqiptar, Leka, VIII, N 0 1, 1936/38-39); për emërtimin toskë dhe gegë, prandaj nuk mund të thuhet se u pagëzua nën ndikimin e emërtimit kroat Arbanasi.
Nëse mbështetemi në traditën e arbëneshëve të Zarës, atëherë mund të përfundojmë se stërgjyshërit e arbëneshëve të sotëm të Zarës u shpërngulën nga Brisku e Shestani, dy fshatra në lindje të liqenit të Shkodrës. Për t’u bindur se stërgjyshërit e tyre u shpërngulën nga vendet e përmendura mjafton të shikojmë onomastikën e arbëneshëve të Zarës: Marco Nicadobrez (Erber, o.c., 42); Pietro Pinčich, Sestani (Illyrisch-albanische Forschungen I, 328-329). Brezi i sotëm i Zemunikut, që nuk e ndien më veten arbënesh, e as e konsideron veten me prejardhje arbëneshe, ende mban emra dhe mbiemra shqiptarësh: Paleka, Šestan, Pinčić, Prenđa etj. Është e pakontestueshme se mbiemrat e këtillë, që janë në përdorim edhe sot e kësaj dite tek arbëneshët e Zarës, historianëve mund t’u shërbejnë si rrethanë lehtësuese në përcaktimin e truallit të tyre të lashtë.
Në mbiemrin Šestani – Šestanović ndeshemi shumë më herët se vendosja e arbëneshëve zaras në Dalmaci. Qysh në shekullin XIV në qytetet bregdetare të Dalmacisë ndeshim shqiptarë me mbiemër Šestani – Šestanović, të cilët atje rëndom merren me tregti, shërbejnë si priftërinj, mësues etj. Këtë e dëshmon edhe mbiemri Šestanovish, Ragusaner Kaufleute im XIV Jahrhundert, vgl. Sestan”, Jirečěk Die Romanen in den städten Dalmatiens Während des Mittelalters, III, 60; Sestan: 1) S. Sextan, Presbyter Ostoia S. aus Antivari, 1445, Div. rag. Filii Petri S., 1913 1446). Jorga, Notices et extraits I, 212 und. 3, 215 – 216; 2) In Cattaro presbyter Johannes f. Sestani (Sestagni) c. 133, – von einem Ortsnamen. Dorf Sestani auf dem Westufer der Sel von Scutari Villa degli Sestan 1409, khs. Jireček, Romanen, III. 60. Siç shihet, emri Shestani përmendet mjaft herët, qysh më 1409, khs. Regjistrat e Sima Lubiqit, VI, f. 22, lib. VI. J. ak. Znanosti i umjetnosti. “Et remaneat similiter sancta Maria de Rotezo cum suis confinibus, villis de li Sestan, intelligendo, quod ser Marinus de Elia possideat territoria sua, que habet in Propat)”.
Marian Bolica, nga familjet e njohura aristokrate të Kotorrit, më 1614 shkruante në raportin e vet të njohur Relatione et descriptione del Sangiacato di Scutari – se në Shestan në atë kohë ishin 100 shtëpi me 260 luftëtarë, ndërsa fshati i vogël Muriq, që gjendej pikërisht në bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës, kishte 20 shtëpi me 50 luftëtarë, komandant i të cilëve ishte Gjon Muriqi; khs. Shime Lubiq, Starine, XII, 156 193.
Më vonë, siç del nga libri i Ivan Markoviqit: Dukljansko-barska mitropolija, 1902, ndeshim të dhënën se në Ljare të Krajës së Malit të Zi, 1749, u transferua për kryepeshkop, peshkopi i Sapës shqiptar nga Shkodra – Llazar Vlladanji, i cili vdiq në moshën 78-vjeçare në famullinë malore të dioçezës së Tivarit, në Ljare, më 5 janar 1786; I. Markoviq, o.c., 151. Kjo flet qartë për ekzistencën e shqiptarëve të besimit katolik në Ljare në atë kohë, e që do të thotë se një pjesë e kësaj popullsie u shpërngul në Zarë.
Shkencëtari gjerman G. Von Hahn në veprën e vet Reise durch die Gebiete der Poretsch und Vardar, shkruante se “Shestani dhe Ljare gjenden afër Liqenit të Shkodrës dhe se atje flitet shqip (arnautçe), sepse banorët janë shqiptarë “albanezë”. Më tutje Hahni thotë: “Ka Shestan të Poshtëm dhe Shestan të Epërm. Në të epërmin bëjnë pjesë fshatrat: Gurza, Lukiq, Dedanj dhe Bardanj (shqip Barδań-Bardhanj), ndërsa në të poshtmin: Gruvace, Karolaj, Marnikaj, Bjugeri (tre emrat e parë nuk më shkoi për dore t’i identifikoj, ndoshta mund të jenë shënuar gabimisht – I. A.).
Shestani gjendet në kufirin malazias. Banorët nuk paguajnë kurrfarë haraçi. Më 1875 kishte 1579 frymë. Famullia e Ljares përbëhet nga këto fshatra: Ljare, Paiçi, Dobreci, Brisku i Epërm dhe Brisku i Poshtëm dhe Ftjani; më 1875 kishte 440 frymë”; khs. Hahn Reise f. 526-529. Gjatë vizitës sime në Shestan, mësova se Shestanin e Poshtëm e përbëjnë këto fshatra: Marstjepanj (dikur thirrej Bujgri, gjegjësisht Bulgri); Karanikiqi (më parë Ndrekaj), që kishte dy paralagje, prej të cilave e poshtmja thirrej, e edhe sot mban këtë emër – Peshtjer, që në të vërtetë ka kuptimin: poshtë, nën, përfundi; Guraќ (serbisht Đuravci) dhe Pecanj (serbisht Dračevica), popullata e së cilës përdor dygjuhësinë dhe është me besim ortodoks.
Unë kam krahasuar mbiemrat e vjetër të shqiptarëve të Shestanit me mbiemrat që përmenden te Erberi, por mjerisht, me përjashtim të një mbiemri, nuk kam hasur në emra identikë, përkatësisht nuk kam hasur përputhje ndërmjet mbiemrave të shqiptarëve të Krajës dhe arbëneshëve të Zarës. Megjithëkëtë, mbiemrin Perçobanj e ndeshim si ndër shqiptarët e Zarës po ashtu edhe ndër shqiptarët e Krajës: Giov, duca detto Ciobo, Pietro Duca detto Cioba, te arbëneshët e Zarës (shembulli i fundit është cituar nga libri i Erberit – La colonia albanese di Borgo Erizzo, f. 58). Si të shpjegohet atëherë fakti që arbëneshët e Zarës nuk i ruajtën mbiemrat e tyre që i kishin në truallin e lashtë? Dihet se shqiptarët mbajnë nga dy mbiemra: njëri është familjar, për të cilin di vetëm rrethi i ngushtë farefisnor, në rastin tonë i gjithë fshati, ndërsa i dyti është mbiemër zyrtar, që gjithsesi e morën pas vendosjes në Zarë. Zakonisht mbiemrat familjarë, kryesisht sipas trajtës, janë shqiptarë; shpesh na kujtojnë emrat e familjeve ose fshatrat e vendlindjes, ndërsa të tjerët janë me origjinë krishtere – kroate; khs. Çurkoviq, o. cit., fq. 32.
(vazhdon)

(Marrë nga libri “Studime për gjuhën shqipe (Vepra të zgjedhura)”, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2017)

Të fundit

më të lexuarat