Personalitet i nderuar nga Kraja e Shkodrës

Nail Draga

Në saje të veprimtarisë së tyre, personalitetet e veçanta nderohen edhe pas vdekjes, jo vetëm në vendin ku kanë jetuar e vepruar por edhe më gjerë, duke qenë model në kohën e tyre dhe më pas. Në këtë kategori bën pjesë edhe sheh Tahir Kanaqi nga Kraja e Shkodrës, i cili ka qenë personalitet shumëplanësh – imam, sheh, edukator, intelektual e humanist, duke mbetur i papërsëritshëm deri në ditët tona.
Ndonëse për nga përgatitja profesionale ishte teolog, ai ishte i përgatitur me njohuri shumëdimensionale dhe si i tillë dallohej nga kolegët e tij bashkëkohës. Ndërsa veprimtaria humaniste, duke ndihmuar personat e ndryshëm ka ndikuar në autoritetin e tij, pothuaj në të gjitha viset shqiptare në Malin e Zi dhe më gjerë. Ai me qëndrimin e tij rrezatonte qetësi dhe mirësi si rrallëkush, andaj edhe sot kujtohet me admirim.

Në shërbim të fesë dhe kombit
Imam, sheh Tahir Kanaqi është personi tipik i binomit fe e atdhe, sepse ai ishte i devotshëm si besimtar por edhe kombëtar i përkushtuar, që e ka dëshmuar me veprimtarinë e vet jetësore.
Ka lindur në Ostros të Vogël në Krajën e Shkodrës, në vitin 1907, e cila në atë kohë ishte në kuadër të Shqipërisë, përkatësisht të Perandorisë Osmane. Në vendlindje ka kryer mejtepin e më pas Medresenë në Shkodër (1921-1927). Shkodra në këtë kohë, si qendër jo vetëm kulturore në veriun shqiptar, ndikoi në formimin e personalitetit të Tahir Kanaqit. Këtu, në saje të kontakteve me personalitete të kohës dhe literaturës së përdorur, nuk ka qëndruar statik, por në vendlindje ka sjellë edhe Abetaren, algjebrën e tekste të tjera shkollore.
Ka filluar të punojë si imam në Arbnesh (1927-1929), por si intelektual i dalluar dhe edukues i të rinjve, shtetit të atëhershëm jugosllav i pengonte kjo veprimtari, andaj e ftuan të shkojë ushtar. Por, ai e refuzoi atë shërbim dhe shkoi në Shqipëri (1930-1944), fillimisht në Shkodër e më pas në Tiranë. Në Shqipëri, përveçse ka studiuar e punuar, është bërë pjesëtar i tarikatit rufai. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ka jetuar në Tiranë, Burrel, Peshkopi, Voskopojë, Korçë, Durrës e së fundi përsëri në Shkodër. Ai ka punuar si gardian burgu dhe së fundi në Shkodër (1940-1944) si nëpunës në Prefekturën e Shkodrës. Në vitin 1944 kthehet në vendlindje – në Krajë, duke iu përkushtuar profesionit të imamit në disa fshatra në Krajë. Falë qëndrimit dhe raporteve shoqërore, atij i janë ofruar pozita të ndryshme udhëheqëse, por i ka refuzuar sepse ishte i vendosur t’i shëbejë profesionit të tij e jo ideologjisë së pushtetit të kohës. Në këtë aspekt duhet cekur se në tubimin popullor, i cili është mbajtur në Ostros, më 1 janar 1945, e pranoi detyrën e kryetarit të Këshillit Nacionalçlirimtar për Krajë, por duke i kuptuar intrigat e pushtetit dha dorëheqje nga kjo pozitë.
Gjatë veprimtarisë së tij si imam është treguar besimtar i devotshëm dhe i guximshëm, duke sfiduar rrethanat e pushtetit të kohës. Ai duke qenë i veçantë nga imamët e tjerë, përcillej nga pushteti, madje edhe e kanë burgosur, por ai ishte i vendosur në misionin e tij fetar.
Ishte anëtar i tarikatit Rufai, ku fillimisht ishte myhib, pastaj në vitin 1975 u bë veqil – ushtrues i detyrës së shehut, ndërsa në vitin 1982 u bë sheh i këtij tarikati.
Ka vdekur më 15 dhjetor 1985, në vendlindjen e tij – Ostros.

I pasionuar pas librave
Në saje të edukimit dhe pasionit pas librave, Tahir Kanaqi kishte një bibliotekë të pasur, duke qenë e veçantë për kohën në Krajë. Ai në bibliotekën e tij kishte libra, revista, gazeta, por edhe dorëshkrime të ndryshme si ditarë, letra, vendime, korrespondenca, pastaj fotografi të ndryshme etj., që tash janë pronë e trashëgimtarëve të familjes së tij. Librat nuk i kishte për veten, por ua jepte në shërbim atyre që tregonin interesim, që dëshmohet nga ditarët dhe shënimet e depozituara në bibliotekë.

Lexues i gazetës “Rilindja”
Falë pasionit për informim, Tahir Kanaqi ishte ekzemplar i veçantë, sepse ai ishte lexues i rregullt i gazetës “Rilindja”, e cila i vinte rregullisht me postë, duke qenë model për kohën kur ka jetuar e vepruar. Dhe jo vetëm këtë gazetë, por ka qenë i parapaguar edhe për gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, e cila dilte në Shkup. Ishin këto media të shkruara të kohës, që e kanë informuar opinionin e gjerë mbi rrethanat shoqërore e kulturore në hapësirën shqiptare.

Humanist i përkushtuar
Ata që e kanë njohur e pasur kontakte me të, kanë theksuar se sheh Tahiri ka kryer edhe punët e mjekut, sepse ka pasur njohuri nga mjekësia popullore, ndërsa në çantën e tij ka pasur edhe mjetet e ndihmës së parë (jod, alkool, tableta etj.), që i ka përdorur për ata që kanë pasur nevojë, në disa fshatra të Krajës.
Por, e veçanta e tij ka qenë se ai i ka shëruar individët e ndryshëm pa përdorur mjete mjekësore. Kështu, kur i ka ardhur ndonjë person për të kërkuar ndihmë, ai, që në takimin e parë e ka pyetur “pacienitin“ për emrin e tij dhe të nënës. Pasi ka shikuar në librat e tij, mënjëherë i ka thënë se për çka ka ardhur tek ai. Ai ka shëruar sëmundjet e ndryshme, si dhembjen e kokës, çrregullimet shpirtërore e ato nervore, magjinë, paralizën, kafshimet e gjarprit etj. Por nëse i sëmuri “nuk ka qenë për të“, e ka udhëzuar të shkojë në spital, duke dëshmuar e vlerësuar parimet mjekësore e humaniste e jo egoizmin personal. Për “shërbimet“ e tij asnjëherë nuk ka kërkuar kompensim, sepse gjithmonë ka theksuar se ai është vetëm ndërmjetës, ndërsa është në duar të Zotit fati i të sëmurit dhe shërimi i tij. Ai kishte aftësi të veçanta mistike e spirituale, që si rrallëkush e ka dëshmuar në praktikë.
Individët të cilët kanë pasur nevojë, i ka pranuar në çdo kohë, pa marrë parasysh se cilës fe, gjuhë e komb i takojnë. Në lidhje me tolerancën fetare, ka mbetur emblematike thënia e tij se “Fetë janë si lulet e një bahçeje”.

Nderimi me veprimtari kulturore
Në shenjë nderimi të jetës dhe veprimtarisë së tij, më 13 korrik 2012, në organizim të OJQ ”Harmonia” dhe Qendrës Kulturore të Uqinit, në Ulqin është mbajtur “Mbrëmja përkujtimore kushtuar jetës dhe veprës së Sheh Tahir Kanaqit”. Në këtë veprimtari, e cila kishte karakter kulturor, fetar, shoqëror e kombëtar, me kumtesat e tyre kanë marrë pjesë studiues nga Mali i Zi, Shqipëria e Kosova, duke vlerësuar lart veprimtarinë e sheh Tahir Kanaqit. Në kuadër të kësaj veprimtarie, në Galerinë e Qendrës Kulturore – Ulqin është hapur edhe ekspozita me fotografi, dorëshkrime e dokumente që janë prezantuar për herë të parë për opinionin e gjerë. Ndërsa kurorëzimi i kësaj veprimtarie u realizua në vitin 2014, ku materialet e paraqitura janë botuar në monografinë “Jeta dhe veprimtaria e Sheh Tahir Kanaqit”, duke qenë botimi i vetëm i tillë në shqip në Mal të Zi.

Përfundim
Megjithëse kanë kaluar 40 vjet nga vdekja e tij, me veprimtarinë, qëndrimin dhe autoritetin shoqëror si rrallëkush në kohën e tij, ai përkujtohet me admirim nga të gjithë ata të cilët kanë pasur fatin ta njohin dhe të bashkëpunojnë me të, duke qenë të priviligjuar që kanë jetuar në kohën e tij.
Po e mbyllim këtë shkrim përkujtimor në 40-vjetorin e vdekjes së sheh Tahir Kanaqit me thënien e tij “Të duash kombin tënd do të thotë të duash vetveten”, që mbetet testament për të gjitha kohët.

Të fundit

më të lexuarat