Gur themel i vlerave që ruajmë sot

“Besëlidhja është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë në gjysmën e dytë të shek. XX. Themeluesit kryesorë të kësaj ngjarjeje duhet kujtuar me respektin më të madh dhe të ndërmerren veprimtari për t’i përkujtuar përjetësisht. Ky është obligim yni moral e kulturor në të ardhmen”, theksoi Rrok Gjolaj.

Tuz – Besëlidhja e Malësisë e vitit 1970 u përkujtua dhe u shënua të premten mbrëma, më 27 qershor 2025 në Tuz, nga Shoqata e Intelektualëve dhe Artistëve në Malësi “MalësiaArtTuz”, me temën “Frytet e Besëlidhjes së Malësisë sot”.
Në këtë aktivitet, i cili u zhvillua në ambientet e jashtme të Qendrës Kulturore-Informative “Malësia”, morën pjesë përfaqësues të klerit, figura të ndryshme të jetës publike e shoqërore në vend.
Në emër të kësaj shoqate përshëndeti sekretari Rrok Dushaj, i cili, duke e cilësuar Besëlidhjen si një ngjarje të madhe historike dhe model për të tjerët, theksoi se është obligim dhe borxh ndaj nismëtarëve të kësaj vepre që ta përkujtojmë atë me krenari.
“Vepra e tyre dhe kjo ngjarje e madhe do të mbetet një porosi e fortë për të gjithë ne, për brezat që vijnë. Besëlidhja e Malësisë është dhe do të mbetet një datë e madhe që ka dhënë rezultate të shkëlqyera”, u shpreh Dushaj.
Meshtari Dom Nosh Gjolaj u ndal në dy momente kyçe që kishte Besëlidhja e Malësisë – atë të shpëtimit nga e keqja, dhe jeta në liri e atyre që ishin në hasmëri.
“Ky akt human ishte rezultat i ruajtjes, i daljes nga krimi e urrejtja që kishte triumfuar nga brenda te disa individë, familje, klane, palë apo shoqëri. Ky akt i Besëlidhjes përbënte edhe njëlloj bindjeje se vetëm triumfi i së mirës, i së drejtës, i shërimit, faljes dhe i pajtimit mund të sjell dritë dhe jetën e përbashkët duke ecur në rrugën e paqes dhe së ardhmes”, u shpreh Gjolaj.
Ai vlerësoi se burrat e Besëlidhjes kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në histori, por theksoi se sot përgjegjësia është tek ne, sepse shqiptarëve u kërcënohet humbja e identitetit kombëtar dhe duhet të veprojmë për ta ruajtur atë.
Gjolaj apeloi që të gjithë, nisur nga familja dhe gjithë shoqëria, veçanërisht partitë politike, të luftojnë për të realizuar të drejtat që garantohen me Kushtetutë.
“Siç është futja e historisë sonë kombëtare në masën 20 përqind nëpër shkolla, të cilën ne nuk e bëjmë. Të rrallë janë ata që e kërkojnë këtë me vetvete, por çdonjëri nga ne i ka çelësat e suksesit dhe të fatit në duart e veta”, tha mes tjerash meshtari Gjolaj.
Imam Nadir Bajraktari, duke e vlerësuar Besëlidhjen e Malësisë, shqiptarët në Malin e Zi e konkretisht të Tuzit, si një model që na e kanë lakmi edhe Kosova, Shqipëria dhe popujt e tjerë, tha se kjo Besëlidhje ishte një besatim për t’u larguar nga hakmarrja, për t’i larguar armët dhe për të mbizotëruar paqja.
“Edhe ky takim sot pas 55 vitesh, rikujtimi i kësaj ngjarjeje madhështore është një takim i paqes”, theksoi mes tjerash Bajraktari, duke treguar më tej për frytet që sot i gëzojnë gjenerata të tëra nga kjo Besëlidhje.
Profesori Gjon Ivezaj tha se për të jetësuar këtë Besëlidhje u bashkuan burrat më të ndritur të Malësisë së Madhe, bajraktarë, klerikë e intelektualë, poetë e shkrimtarë, historianë etj., për të vendosur një kthesë të madhe të fatit të krahinës.
“Në prani të përfaqësuesve të klerit katolik dhe mysliman, të gjithë u betuan në besën e Zotit se gjakmarrja, hakmarrja, vëllavrasja dhe urrejtja ndërfetare do të ndaloheshin përgjithmonë”, tha Ivezaj.
Në fjalën e rastit, Fikret Lulanaj tha se në historinë e popullit shqiptar janë dy besëlidhje të shkruara me shkronja të arta në piedestalin kombëtar: Besëlidhja e Lezhës që solli bashkimin e burrave shqiptarë dhe lindjen e shpirtit kombëtar; dhe Besëlidhja e Malësisë që solli çrrënjosjen e dokeve dhe zakoneve të trashëguara nga pushtuesit e Malësisë dhe shqiptarisë, që nga Perandoria Romake e deri tek ajo Osmane.
“Si dhuratë nga Zoti i gjithësisë vjen Besëlidhja e cila sjell rilindje, jetë dhe vëllazërim. Para 55 vitesh Malësia u bë qendra kombëtare dhe ballkanike, ku gazetat në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe në vende të tjera të ish-Jugosllavisë raportonin se malësorët lidhen besë, se zakonet e mbrapshta dhe shkatërrimtare morën fund”, theksoi, ndër të tjera, Lulanaj.
Ndërkaq, kryetari i Shoqatës së Intelektualëve dhe Artistëve në Malësi, “MalësiaArtTuz”, Rrok Gjolaj, në kumtesën e titulluar “Besëlidhja e Malësisë – një gur themeli i vetëdijes kombëtare shqiptare në Malësi”, tha se akti i Besëlidhjes së Malësisë nuk mund të përkufizohet vetëm si një mbledhje, por si një ndërgjegjësim kolektiv i shqiptarëve në Mal të Zi.
“Besëlidhja është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë në gjysmën e dytë të shek. XX. Themeluesit kryesorë të kësaj ngjarjeje duhet kujtuar me respektin më të madh dhe të ndërmerren veprimtari për t’i përkujtuar përjetësisht. Ky është obligim yni moral e kulturor në të ardhmen”, theksoi Gjolaj.
Besëlidhja e Malësisë, shtoi ai, u bë pikë bashkimi i tre dimensioneve të qëndresës shqiptare në Malësi: dimensionit kombëtar, fetar dhe arsimor.
Ai më tej tha se kjo Besëlidhje sot, pas 55 vitesh, vazhdon të reflektojë si një manifest i ndërgjegjes qytetare, si deklaratë e hapur e vullnetit për të shembur frikën dhe për t’u vendosur në anën e lirisë dhe së drejtës, duke e shndërruar Malësinë në një epiqendër të ndryshimit dhe përparimit.
Në fund të këtij aktiviteti, kjo shoqatë ndau mirënjohje për aktivistin malësor me banim në SHBA – Mark Nikollë Pjetrushin Lulgjuraj, në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar humanitar dhe përkushtimin ndaj vendlindjes, si dhe u shfaqën disa pika folklorike muzikore.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat