“Personalitete që shënuan historinë tonë, Ali Pashë Gucia”

Shaban Hasangjekaj

Veterani dhe doajeni i gazetarisë shqip në Kosovë dhe më gjerë, shkrimtari, publicisti, përkthyesi, studiuesi dhe veprimtari i denjë dhe i paepur i çështjes së identitetit të kombit shqiptar, vuthjani, Zenun Çelaj, edhe pse në pleqëri të thellë, në dekadën e nëntë të jetës së vet, ende është aktiv në profesionin e vet shumë përfshirës, sidomos në qasjen e studimit në ndriçimin dhe reflektimin e çështjes së identitetit të kombit shqiptar ndër shekuj.
Në këtë drejtim, padyshim, aktivitetin e vet të punës me peshë dhe vlerë ia ka kushtuar kohë më parë studimit të identitetit të personaliteteve kombëtare shqiptare nga treva e Krahinës së Plavë-Gucisë, të cilës i përket ai vet, duke hartuar dhe koncipuar shënimin studiues me titull “Personalitete që shënuan historinë tonë, Ali Pashë Gucia”, i cili është i publikuar në faqen e Portalit “Plava e Gucia sot” në Nju Jork.
Tekstin e shënimit të vet, autori Çelaj e fillon me shprehjen: “Prijës i shquar i luftës antiosmane dhe mbrojtës i vendosur i tokave shqiptare. Pasurin ua dhuroi dëshmorëve të Luftës së Nokshiqit dhe të Murinës, kurse pas nuk la trashëgimtar”, dhe e vazhdon: “Thonë se koha lind heronjtë, por edhe ata e shënojnë kohën. Ali Pashë Gucia është padyshim njëri nga personalitetet që shënoi historinë shqiptare të shekullit të kaluar, i cili vazhdon të jetojë edhe në këngët dhe legjendat tona popullore sot e kësaj dite. Atij i këndoi edhe i madhi Fishtë. Ndërkaq, historiografia shqiptare atë e trajton si një nga figurat më të shquara të luftës antiosmane dhe njërin nga organizatorët e prijësit e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që paraqet njërën nga shtyllat më të lavdishme të historisë sonë kombëtare”.
Autori i shënimit, Çelaj, në vazhdën e tekstit shkruan se derisa “Fjalori enciklopedik” për Ali Pashë Gucinë nuk përcakton vendin as vitin e lindjes (ndonëse thekson se ishte pinjoll i familjes Shabanagaj të Gucisë). Enciklopedia Jugosllave, bleni i I (i parë) në gjuhën shqipe (A-BIB), vendlindjen e këtij kolosi të historisë sonë gjithëkombëtare e saktëson në Plavë, kurse vit të lindjes – 1814-shin. Mirëpo, Mustafa Memiq, studiues i pasionuar i të kaluarës së Plavës e Gucisë, pra edhe i Ali Pashë Gucisë, me të cilin shpesh personifikohet e gjithë nahija, vendlindjen e tij e vendos në Guci, diku para vitit 1820. Vendi i vrasjes së tij është Peja, më 1885, thekson autori në tekstin e shënimit të vetë dhe shton se për dorasët e tij ka disa versione. Zërat e kohës thonë se vrasjen e tij e organizoi vetë Stambolli. Ka pohime se kishte dorë Austro-Hungaria. E veja e Ali Pashës i deklaronte Hamdi Rexhepagiqit, njërit nga intelektualët më të vjetër të Plavës, se Ali Pasha qe plagosur rëndë dhe se pas kësaj vetë kishte thënë: “Nëse mbetem gjallë do të merret vesh se kush më ka plagosur”, që do të thotë se ka pasur indicione për dorasit.
Autori Çelaj në tekstin e shënimit të vetë konfirmon me shkrim se dihet, po ashtu, se ai ishte i biri i Hasan begut të Shabanagajve, i cili e kishte sunduar Gucinë dhjetë vjet pas vdekjes së të atit Gjyl begut, kapedan i Kapetanisë së Gucisë, ndërkaq nëna e tij ishte nga dera e Çekajve të Gucisë. Vetë u martua me një grua nga familja e Begollëve të Pejës. Në popull është ruajtur legjenda për bukurinë dhe urtinë e saj shkruan në tekstin e shënimit autori Çelaj dhe në vazhdim shton se të gjithë fëmijët që u lindën i kanë vdekur dhe dera e Shabanagajve shuhet me Ali Pashë Gucinë. As në Plavë, as në Guci nuk ka lënë kurrfarë pasurie.
Autori Çelaj bën me dije se Nahija e Shabanagajve shtrihej nga Velipola mbi Vermosh deri te gryka e Tifranit, nën Beran dhe Policë, te Bihori i Epërm. Gjithë ç’kishte ai e shiti më 1879 dhe në fillim të vitit 1880,kurse të hollat që i mori ua dha familjeve të dëshmorëve që ranë në Luftën e Nokshiqit më 4 dhjetor të vitit 1879 dhe në Murinë më 8 janar të vitit 1880. Ai shiti për këtë qëllim Bjeshkën e Stoçicës dhe tokat e pëlleshme në Martinaj. Tokat e tjera në grykën e Limit u mbetën Vasojeviqve, pasi iu bashkuan Malit të Zi, më 1858, në bazë të caktimit të kufijve nga Komisioni Ndërkombëtar.
Në tekstin e shënimit të vet studiues në fjalë, autori Zenun Çelaj, shkruan se të parët e beut e pastaj pashait të Gucisë, Shabanagajt, erdhën në Guci nga fshati Gruemirë, afër Shkodrës, në të njëjtën kohë kur erdhën në Plavë paraardhësit e Rexhepagajve. Këtë hollësi e ka shënuar edhe Andrija Joviqeviq në veprën “Krahina e Plavës e Gucisë” (Plavsko-Gusinjska oblast). Në bazë të gjurmimeve që ka bërë Memiq konstaton se ardhja e këtyre dy familjeve në Plavë e Guci, që do të luajnë më vonë një rol me rëndësi historike, mund të ketë ndodhur nga fundi i shekullit XVII, kurse sundimi i tyre në këtë nahije nis pas ndjekjes së pjesëtarëve të fisit Kelmend nga trojet e tyre në drejtim të Peshterit, pas rebelimit kundër turqve, kur themelohen fshatrat Vuthaj, Martinaj dhe Nokshiq. Për këtë ndjekje të kelmendasve njoftonte edhe një misionar katolik nga Selca.
Në vazhdën e shtjellimit të tekstit të shënimit të vetë, autori Çelaj shkruan se Porta duke ia pasur frikën derës së Bushatlinjve të Shkodrës, në vend të sanxhakbegut, Sylejman Pashë Bushatlisë, cakton Hasan Pashë Mahmutbegun (Begollin), sundimtarin e Pejës e të Dukagjinit, i cili kishte ngritur në Guci një kala. Ka fakte se qyteza u rrënua disa herë gjatë shekullit XVII dhe se u përtëri aty ku është edhe sot në fillim të shekullit XVIII thekson autori i shënimit dhe shton se i pari i Shabanagajve kishte qenë dhëndër i Bushatlinjve dhe atë e kishin dërguar për sundimtar në Guci, dera e të cilëve do të ketë këtë privilegj për shumë vite në Lugun e Limit.
Autori Çelaj në tekstin e shënimit në fjalë shkruan se është e sigurt se dera e Shabanagajve ishte pronar çifligar gati dy shekuj. Sipas një llogarie nga shekulli XIX, pas bashkimit të Vasojeviqve me Principatën e Malit të Zi, del se detyrimet e tyre ndaj Ali Pashë Gucisë kapnin 19 mijë kg misër, 28 mijë kg drithëra të bardha, rreth 55 mijë kg sanë dhe 24 mijë groshë. Këto detyrime kurrë nuk iu shpaguan Pashait. Ishte familja më e fuqishme feudale e Lugut të Limit.
Autori Çelaj në shënimin e vetë konfirmon me shkrim se në skenën historike Ali Pashë Gucia shfaqet nga mesi i shekullit XIX. Ishte pjesëmarrës i kryengritjeve që shpërthyen malësorët e veriut kundër politikës tanzimatiste gjatë viteve të 60-ta të shekullit të kaluar, siç theksohet në “Fjalorin enciklopedik”, ishte kundërshtar tepër aktiv i synimeve shoviniste serbe dhe malazeze ndaj tokave shqiptare. Janë ruajtur dokumente historike nga vitet 1852-1858, kur Vasojeviqët çojnë krye dhe ia dalin të shkëputen nga kazaja e Gucisë, ku ishte kajmekam vetë Ali Pashë Gucia. Ai vetë u kishte pri vullnetarëve të Plavës e Gucisë, të cilëve u qenë bashkuar edhe fisi i Krasniqes, Gashit dhe Rugova dhe më 1854 i detyruan të kapitullonin njësitë malaziase, që komandoheshin nga serdari Jole Piletiqi, i dërguar nga knjaz Danilloja në Vasojeviq. Malaziasit u mundën keq, kurse Ali Pashë Gucia, pas lutjeve nga ana e Milan Vukut, me ushtri u kthye nga Previja fitimtar, edhe pse do të mund t’i shkelte pa ndonjë mundim. Aso here plavjanët dhe gucjanët sollën në Guci 180 koka të prera.
Në shtjellimin e mëtejmë të tekstit të shënimit të vet, autori Çelaj bën me dije se ndonëse edhe më parë populli e konsideronte njeri të drejtë dhe që nuk shitej, ky është ai momenti që Ali Pashës i solli famën edhe si prijës ushtarak dhe guximtar. Guximin dhe shkathtësinë ushtarake do ta provojë me sukses dhe më 1879 dhe 1880 në Luftën e Nokshiqit dhe të Murinës. U tregua i vendosur edhe me rastin e rezistencës që bënë Plavë e Guci ndaj vendimeve të Kongresit të Berlinit, i cili ia dhuroi Malit të Zi këtë krahinë. Jo rastësisht, kryesia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njëri nga themeluesit e të cilës ishte vetë ky, e zgjodhi kryetar të Shtabit Ushtarak për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë. Autori Çelaj në vazhdën e tekstit të shënimit thekson se burimet historike dëshmojnë se ai qe një nga figurat e dalluara të Këshillit Kombëtar të Lidhjes së Prizrenit dhe “një nga udhëheqësit kryesor të rrymës centriste, që kërkonte luftë kundër shovinistëve fqinj për mbrojtjen e tërësisë tokësore të atdheut”.
Studiuesit e personalitetit të Ali Pashë Gucisë pohojnë se ai ishte nëpunës i denjë i shtetit Osman, shkruan autori Çelaj në shënimin e vetë dhe shton se njëherit ishte besnik dhe i gatshëm t’i shërbejë pa kursim popullit të vet. Këto dy tipare të tij sikur u konfrontuan pas Kongresit të Berlinit. Sado që në popull është ruajtur mendimi se Ali Pasha në fillim mëdyshej rreth kundërshtimit të vendimeve të Kongresit të Berlinit, bile e quajtën edhe “murtat” (tradhtar), pas kuvendimit me Mulla Jahë Musiqin, Jakup Ferrin, Ahmet Zenelin dhe Hysen beg Rexhepagajn deklarohet solemnisht: “Deri sot i kam shërbyer Sulltanit, tash e mbas do t’i shërbej popullit”. E populli, siç e thotë edhe kënga e tij, kishte besim të pakufi ndaj tij, prandaj e ndoqi nëpër lufta e beteja, të cilat ky gjithnjë i fitoi.
Duke dhënë fakte dhe argumente të hollësishme mbi jetën dhe veprimtarinë e bujshme të Ali Pashë Gucisë, autori Zenun Çelaj konfirmon me shkrim se të dhënat historike dëshmojnë se respektohej edhe nga kundërshtarët. I biri i Milan Vukut, Gavro Vukoviq, ministër i mëvonshëm i Punëve të Jashtme në qeverinë e Malit të Zi, shkruante se Ali begu ishte prijës i madh ushtarak dhe trim i rrallë, i cili kishte ndarë mejdan burrërisht me të atin e tij, kurse në paqe kishin respektuar njëri tjetrin si njerëz. Një këngë popullore e publikuar në gjuhën gjermane në Budapestë (më 1888) mbi Luftën e Nokshiqit dhe Ali Pashë Gucinë ( e ka botuar Johan V. Asboth) rrëfen për Ali Pashën (shpjegon në parathënie Dr.Fr. S. Krauss) se para se të nisej në Luftën e Nokshiqit kishte shkuar te popi ortodoks sllav (Risto Vujosheviqi) në Guci dhe ia kishte bërë me dije se mund të shpërthenin konflikte dhe i kishte propozuar që me banorët malazias të strehohej përtej kufirit, nëse nuk mund të ishin qytetarë lojalë të Gucisë. I kishte premtuar se po mbajtën qëndrim luajal do të ishin të sigurt. Ata kishin zgjedhur këtë të dytën. Derisa në Nokshiq dhe në Murinë kishin rënë mbi dy mijë krerë nga të dy anët, popullsia ortodokse sllave në Guci kishte jetuar e sigurt nën mbrojtjen e tij.
Nuk është ndriçuar sa duhet angazhimi i tij për futjen e komponentës boshnjake në lëvizjen e Lidhjes së Prizrenit dhe bashkëpunimi i Ali Pashë Gucisë me Vasa Pellagiqin për mbrojtjen e Bosnjës e Hercegovinës nga Austro-Hungaria, shprehet autori Çelaj në shënimin e vet duke shtuar në vazhdim se disa historianë malazias dhe serbë pohojnë se Ali Pashë Gucia një kohë ka qenë kajmekam i Sarajevës. Mirëpo, nuk janë gjetur dokumente që do t’i vërtetonin. Në fakt ai në Sarajevë ka kryer shkolla ushtarake dhe mund të ketë qenë kajmekam në ndonjë vendbanim jashtë Sarajevës.
Pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, sulltani e kurseu Ali Pashë Gucinë dhe e caktoi mytesarif të Pejës. Këtë post e mbajti për katër vjet, kur u plagos për vdekje në një atentat.
Duke përfunduar shtjellimin e tekstit të shënimit studimor me titull “Personalitete që shënuan historinë tonë, Ali Pashë Gucia”, autori Zenun Çelaj nga fshati Vuthaj i Komunës së Gucisë si pensionist jeton me familje në Prishtinë por me zemër, mendje dhe shpirt gjithnjë është në vendlindje – Vuthaj, të cilën e do dhe e çmon shumë, me admirim konfirmon se Ali Pasha, jo vetëm në Plavë e Guci është futur në këngët dhe legjendat e popullit. Në Guci e Vuthaj vazhdojnë të jetojnë mikrotoponime që lidhen me emrin e tij. Në të dalë nga Gucia, pasi kapërcehet lumi Vrujë, ndodhen gërmadhat e Sarajeve të Ali Pashës. Në vazhdim të rrugës për në Vuthaj udhëtari ndeshet me Kërshin e Kalasë së Ali Pashës. Rrëzë Bradës së Vezirit, në anën tjetër të luginës janë Krojet e Ali Pashës. Në vetë Gucinë është Xhamia e Ali Pashës.
Autori Çelaj tekstin e shënimit të vet e përfundon me të dhënën se për çudi deri më tash askujt nuk i është kujtuar të shkruaj ndonjë monografi për këtë personalitet, që hyn në radhën e kolosëve të historisë sonë kombëtare, ndonëse e pretendojnë edhe boshnjakët, që po ashtu kanë të drejtë, meqë edhe shumica e tyre janë me origjinë shqiptare, siç ishte edhe vetë Ali Pasha. Të mëdhenjtë si ky gjithkush i do për veti.
Përndryshe, pa ngurrim dhe me ngulm e vetëdije të plotë, konstatoj se shënimi studimor me titull “Personalitete që shënuan historinë tonë, Ali Pashë Gucia” i autorit vuthjan, Zenun Çelaj, pa mëdyshje ka peshë dhe vlerë të shumëfishtë sepse opinionit të gjerë lexues shqiptar i ofron fakte dhe të dhëna të bollshme mbi origjinën, prejardhjen, jetën dhe veprimtarinë shumëdimensionale të patriotit dhe heroit të denjë dhe të paepur të kombit shqiptar, për të cilat shumë pak kanë ditur, ngase deri më tani studiuesit, e në veçanti historianët, shumë pak i janë përkushtuar dhe qasur portretit të këtij personaliteti që vërtetë ka vend të çmuar në analet e historisë tonë kombëtare.
Mundësisht artikulli të publikohet në vazhdime.

Të fundit

më të lexuarat