Miroslav Çosoviq
(Vijon nga numri i kaluar)
Kështu, i kemi dy letra dërguar Qeverisë në Paris, nga Ballkani, nga komandanti ushtarak francez Meriazh, ku thuhet qartë se Karagjorgji është me origjinë nga Kelmendi. Akademia Mbretërore Serbe, më 1904 e botoi librin “Shënimet nga Arkivi i Parisit” dhe libri përmban raporte të Meriazhit për Qeverinë në Paris. Më 21 shkurt 1810, ndër të tjera ai shkroi: “Kalaja e Kelmendit është vatra e Gjegjit të Zi dhe shumica e të afërmve të tij jetojnë atje e ata janë krerët e këtij rajoni” (f. 522).
Në një raport tjetër, të datës 14 korrik 1811, kur Karagjorgji ishte akoma gjallë dhe në krye të serbëve, Meriazh tha: “Familja e Karagjorgjit është nga Kelmendi, Mali i Zi i Lartë, fiset e të cilit janë nën ndikimin e tij” (f. 622).
Këto dy letra u përmendën gjithashtu në të përditshmen “Dan”, në rubrikën e fejtoneve, më 8 janar 2006. Meriazhi me Malin e Zi të Lartë e kishte fjalën për Malësinë. Francezi saktëson. Malësorë ishin: (fiset – vj.) Piperi, Vasojeviq (Vasa – shënimi im), Moraçani, Kuçi, Rovçani, Bratonozhi dhe Bjelopavliqi (Palabardhi – shënimi im), dhe gjithashtu deri në shekullin XIX malësorë ishin fiset shqiptare, Kelmendi, Hoti, Gruda… Fjala jonë “Bërgjanin” dhe fjala shqipe “Malësor” kanë të njëjtin kuptim.
Se Karagjorgji ishte kelmendas, këtë Meriazhit ia dha i deleguari i Karagjorgjit, Rada Vuçiniq. Ja çfarë thuhet në parathënien e librit të shkruar nga Mihailo Gavriloviq (Gavriloviq mblodhi edhe dokumente nga arkivat e Parisit): “Pas hyrjes së Napoleonit në Vjenë, më 1809, Meriazhe u emërua komandant i kryeqytetit austriak. Por shpejtë, sekretari i tij, Zheniar, kapet në tradhti dhe pushkatohet, kështu që Meriazhe dërgohet në gjyq, nga ku lirohet si i pafajshëm. Kjo aferë bëri që për një kohë të mbetet pa punë. Në atë kohë futet në mision Rada Vuçiniqi, të cilin Karagjorgji e dërgoi ta lusë Napoleonin për ndihmë dhe mbrojtje. Ministri i Punëve të Jashtme i urdhëroi Meriazhit të fillonte negociatat me të dërguarin serb (tetor 1809), dhe më pas u urdhërua të shkonte në Lubjanë ku do të negocionte më tej. Me arritjen e Rado Vuçiniqit në Paris (maj 1810), roli i Meriazhit në Lubjanë, për çështjen serbe, u bë i parëndësishëm” (f. 19).
Pra, meqenëse Meriazhi ishte urdhëruar të negocionte me serbët, në tetor 1809 ai u takua me të dërguarit serbë në Lubjanë dhe qysh në shkurt 1810 e dërgoi një raport në Paris ku thotë se Karagjorgji ishte kelmendas, siç i thanë vetë delegatët e tij të kryesuar nga Rado Vuçiniqi.
Historiani Dashiq nuk i futi këto dokumente historike në librin e tij mbi origjinën e Karagjorgjëve.
Edhe Andrija Lluburiqi mblodhi materiale mbi origjinën e Karagjorgjëve, shumë përpara Dashiqit: Arkivat e Serbisë përmbajnë një koleksion të Lluburiqit që e hulumtoi origjinën e Karagjorgjëve, dhe këtë koleksion e rishikuan Millorad Boshnjaku dhe Sllobodan Jakovljeviqi, e një pjesë të atyre shkrimeve dolën në librin “Karagjorgjët: Historia e fshehur” (Lio, 2006).
Në Koleksionin e Luburiqit “është ruajtur teksti origjinal i poezisë ‘Vojvoda Jovan Mërshiq Kelmendi, gjyshi i Karagjorgjit’ dhe turqit e Plavës’ me autor një misionar katolik, një nga të shumtët që në shekujt XVII-XVIII shkuan me misione në Kelmendin e besimit katolik. Në të njëjtin material arkivor ekziston edhe një koment për poezinë, nga ku mësojmë se emri origjinal i gjyshit të Karagjorgjit, sipas linjës atërore, ishte: Gjin Marash Kelmendi” (faqe 9).
Pra, Lluburiqi ka shumë citate dhe poema që tregojnë se gjyshi i Karagjorgjit ishte kelmendas dhe ato janë më të besueshme se ato që i paraqet Dashiqi, pasi janë më të vjetra.
Para Luftës së Dytë Botërore, Karagjorgjët janë deklaruar se janë me origjinë nga Kelmendi: Andrija Lluburiqi me vite e hulumtonte origjinën e Karagjorgjëve, e me këmbëngulje pretendonte se ishin me origjinë nga Kelmendi. Boshnjaku dhe Jakovljeviqi thonë: “Sipas dokumentacionit të disponueshëm në Arkivin e Serbisë, Andrija Llluburiq ishte ftuar shpesh në audicione në oborrin e Karagjorgjit, nga 25 janari 1929 e deri më 14 nëntor 1939, me qëllim që të diskutonte origjinën e Karagjorgjëve nga Kelmendi” (f. 36).
Në koleksionin e Lluburiqit në Arkivin e Serbisë, është edhe ky shënim i 24 korrikut 1940: “Më 1933, Mbreti Aleksandër i tha një prijësi shqiptar: ‘Unë dhe babai im, Qeveria dhe Shtabi i Përgjithshëm duhet të jemi falënderues për jetët tona veç pse jemi kelmendas, sepse kelmendasit urdhëruan të mos e prekin njeriun e fisit të tyre, Mbretin Petër, se ata do të hakmerren. Atëherë ata hoqën dorë” (f. 37).
Në vitin 1936, Andrija Lluburiqi këshilloi shtëpinë mbretërore të Karagjorgjëve se si “Karagjorgjët Kelmendas mund të jenë me rëndësi për kauzën serbe”. Në këtë plan serbomadh (një nga të shumtët), Lluburiqi shkroi: “Fisi më i famshëm dhe kryesor shqiptar i Kelmendit ka origjinë serbe dhe ajo e dha udhëheqësin e pavdekshëm, vozhdin Karagjorgj”. (f. 42).
(Fund)