Përrallat që për serbët u bënë fakte historike

Pa ngurrim, mitet po i promovojnë edhe historianët e famshëm, ata që në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi (CANU) janë pranuar si studiues e jo si shkrimtarë

Miroslav Çosoviq

Për mendimin tim, një i tillë që i paraqet mitet si histori, është akademiku i CANU, Miomir Dashiq. Më poshtë do të publikojmë ato që ka shkruar ai në lidhje me një temë dhe atë që e thonë burimet historike. Kështu, vlerësojeni ju se kush ka të drejtë.
Miti se Karagjorgji ishte me origjinë nga fisi Vasojeviq, u hap nga kush tjetër pos mësuesi i Njegoshit, Simo Milutinoviq Sarajlija. Vuku (Karaxhiq) ua dha serbëve modernë një gjuhë, bazën e së cilës e merr nga gjuha e malazezëve, dubrovnikasve dhe hercegovasve, si p.sh. shkronjën “h” të cilën Vuku për herë të parë e shtypi në Cetinë më 1836, e që ua dhuroi serbëve. Vuku është padyshim serbi më i madh (i ri). Gjatë historisë së serbëve modernë dhe mesjetarë, vetëm Shën Sava i tyre është figurë më domethënëse se Vuku, sepse Shën Sava e ndau Kishën Serbe nga Kostantinopoja, duke krijuar kështu një “fabrikë” për prodhimin e serbëve të rinj. Posa ka hyrë në kishën serbe një shqiptar, vllah bullgar, rom, morlak, malazez… ai u bë serb!
Ideologjia bashkëkohore serbe, në një masë të madhe është vepër e Simo Sarajlisë. Kultet e Karagjorgjit, Obiliqit, Dushanit… u përhapën nga ai, ndërsa ishte e rëndësishme për serbët që gjithë ato t’ia përcillte nxënësit të tij, Petrit II Petroviq Njegoshit. Mitet dhe përrallat që i mori nga Sarajlija, Njegoshi i përhapi në mesin e malazezëve, duke i paraqitur si fakte historike. Kështu, në këngën “Srbijanka” (Lajpcig, 1826), Simo Sarajlija thotë: “Djali i lindur si Vasojeviq”… Sarajlija është gjithashtu autor i përrallës (të cilën ia kaloi Njegoshit), se si malazezët janë në fakt disa serbë që ikën në Malin e Zi. Edhe në vitin 1826, para se të shkonte në Mal të Zi, te “Srbijanka” thoshte: “Mali i Zi, Olimpi ynë i vërtetë/ Mali i Zi, një strehë e serbëve!… / Pak jeni, por shumë mundeni… / Malazezët! E vërteta e etërve serbë…”! Dhe, kështu, në dhjetor 1840, Njegoshi e lëshoi një vërtetim për djalin e Karagjorgjit, Aleksandrin, ku thotë se e kanë prejardhjen nga fisi Vasojeviq.
I kam lexuar disa libra akademikësh, e mund të them se libri “Vasojeviqët, që nga përmendja e deri në vitin 1860” është i dobishëm, meqë ofron shumë informacione. Por, Dashiqi e botoi këtë libër më 1986, ndërsa u pranua në CANU më 1991. Vazhdimi i mitit është ky: Në vitin 1996, Dashiqi e botoi librin “Karagjogjët nga Vasojeviqët”, ku pretendimet e tij i mbështet pothuajse ekskluzivisht në legjenda, e jo në burime historike (dokumente). Historianët citohen vetëm në rastet kur nuk ka asnjë burim historik për një ngjarje, ndërsa traditat e shekullit XX që gjurmojnë legjendat e vjetra, bëhen legjenda të reja ose përralla. Një akademik që njeh në mënyrë të përsosur metodologjinë e librave të historisë, nuk guxon të mendojë e lëre më të botojë një libër si atë të vitit 1996.
Libri “Karagjogjët nga Vasojeviqët”, duket si monografitë fisnore që janë shkruar viteve të fundit në mënyrë masive nga pensionistët – ekonomistë, avokatë, inxhinierë… Në shumicën e këtyre monografive që u krijuan në shekullin XX, kështu shpjegohet origjina e fiseve: “Sipas traditës (ose – thuhet), stërgjyshi ynë erdhi pas Betejës së Kosovës në vitin 1389 …”! Ato gjërat që janë shkruar në shekullin XIX ose në fillim të shekullit XX, janë transformuar në përralla.
Kështu, akademiku Dashiq e botoi një libër ku vazhdimisht i referohet legjendave, në fakt përrallave, meqë shkruan: “Te Vasojeviqët, dhe fiset e tjera të Malit të Zi, ekziston megjithatë një rrëfim shumë i bindshëm, përfshirë dëshmitë e shkruara, se gjyshi i Karagjorgjit, Jovani, dhe babai Petri, nga lugina e Limës u zhvendosën në Shumadi, ndoshta rreth vitit 1740. Kështu, sipas një rrëfimi të shënuar nga Dr. Radosllav Veshoviq, gjashtëdhjetë vjet më parë në Lijeva rijekë, nga Jovani, Aleksini, M. Paunovi dhe lijevasit e tjerë, të cilët iu referuan thënies së hershme të ‘urtakut të njohur’ Musha Bajov, paraardhësi i Kargjorgjit ishte nga fshati Lopata” (f. 35).
Në të njëjtën faqe, Dashiqi shkruan se disa nga Vasojeviqët mendojnë se ai nuk është nga Lopata, por e vazhdon rrëfimin e njëjtë, tash pak më ndryshe: “Në fshatin Kral, jo larg Andrijevicës, fisi Vasojeviq e Gjurishiq pohojnë se gjyshi i Karagjorgjit, vëllai tyre i larguar, ka shkuar nga Krali në Serbi” (f. 35).
Karagjorgji pra është i fisit Vasojeviq, por as vet Vasojeviqët nuk mund të pajtohen se nga cila pjesë e tyre është. Kështu, Dashiqi sërish krijon përralla të reja: “Popi Millosh Velimiroviq, familja e të cilit ka jetuar më gjatë në Kral (Velimiroviqët janë meqë ra fjala, zagarçanë, dhe nga kjo familje e famshme, e cila deri në gjysmën e dytë të shekullit XIX, por nuk dihet se nga kur, ka jetuar te Vasojeviqët, nga të cilët rrjedh Peshkopi Nikollaj Velimiroviq), në shënimet e tij e ruajti tregimin që kishte dëgjuar, se paraardhësit e Karagjorgjit janë nga poshtë Beranit, nga Bihori, nga fshati Cërnqe, nga serbët Vasojeviqë, ku, deri te shpërngulja e tyre në Shumadi kanë jetuar si çifligarë të begut Gjorgjeviq. Ky rrëfim e di se pak vëllazëri të Gjurishiqëve nga Bihori me krenari e theksojnë se janë kushërinj të vozhdit (se e festojnë Shën Klementin) dhe se kësaj farefisnie me Gjurishiqët iu përmbajt edhe Karagjorgji” (f. 35).
Të shohim tash se çfarë thonë historianë e tjerë, domethënë burimet historike.
Karagjorgji është me origjinë nga Klimenti (fisi Kelmend), pra shqiptar katolik: Gjorgj Petroviq Karagjorgji, udhëheqësi i Kryengritjes së Parë Serbe, është me origjinë katolike i fisit Kelmend. Sipas Rajko Veselinoviqit (Histori e Popullit Serb, Libri i katërt, vëllimi I, Serbët në shekullin e tetëmbëdhjetë, Beograd 1986, f. 160), më 1739, 300 familje katolike nga Kelmendi u larguan nga Kosova. Shumica e tyre u zhvendosën në Nikinc dhe Hërtkovc, në Vojvodinën e sotme, por disa u vendosën poshtë malit Rudnik në Shumadi, e mes tyre ishte gjyshi i Karagjorgjit. Akademiku i SANU, Mita Kostiq, në të përditshmen“Politika” të 21 majit 1923, në artikullin “Arnautët në Srem”, thotë gjithashtu se kelmendasit katolikë u vendosën nën Rudnik dhe Avallë.
Në ueb-faqe zyrtare të Karagjorgjëve, thuhet se ata e festuan Shën Klementin e Romës e se “para se të festonin Andrijevdanin, Karagjorgjët festonin Shën Klementin si emër pagëzimi (i cili në kalendarin e kishës është më 8 dhjetor, sipas të riut, ose 25 nëntor sipas kalendarit të vjetër”).
Miomir Dashiq nuk u pranua në CANU si shkrimtar i përrallave dhe tregimeve, por si historian. Atij si historian, i janë të njohura dokumentet nga arkivat e Parisit që u botuan mbi 100 vjet më parë. Sidoqoftë, akademiku Dashiq, i intoksikuar nga ëmbëlsira serbe, thjesht i hesht këto burime të besueshme historike në librin e tij të vitit 1996.

Të fundit

më të lexuarat