Performancë mbresëlënëse e duetit Drlan-Desançiq

Sezoni koncertor “Vivo” është nismë e një grupi joformal të qytetarëve, me qëllim për të kontribuar në avancimin dhe përmirësimin e jetës kulturore në qytetin e Ulqinit. Edhe gjatë këtij sezoni janë planifikuar që të jepen gjashtë koncerte për adhuruesit e muzikës, nga një në fund të çdo muaji

Ulqin – Pas suksesit të vitit të kaluar, sezoni koncertor “Vivo” vijon edicionin e tij të dytë.
Ai është hapur të premten mbrëma, me koncertin e parë të këtij sezoni, të duetit Safet Drlan në fizarmonikë dhe Dina Desançiq në violinë.
Para publikut ulqinak, jo të shumtë në numër, në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, ata kanë bërë një performancë mbresëlënëse të veprës më të famshme të kompozitorit të njohur italian Antonio Vivaldi “Katër stinët”, një poemë për natyrën, ku ai përpiqet të imitojë tingujt e katër stinëve të vitit.
Dueti Drljan-Desançiq nga Tivari janë instrumentistë të njohur për adhuruesit e muzikës klasike dhe popullore, në vend dhe jashtë tij. Ata e kanë filluar bashkëpunimin në vitin 2013 dhe deri tani janë prezantuar në koncerte të ndryshme në Podgoricë, Tivar, Bijello Pole, Plavë, Tivat, Budvë, Zagreb, Turqi etj.
Sezoni koncertor “Vivo” është nismë e një grupi joformal të qytetarëve, me qëllim për të kontribuar në avancimin dhe përmirësimin e jetës kulturore në qytetin e Ulqinit. Këtë grup e përbëjnë aktivistja Zenepa Lika, arkitekte me profesion, pianistja Fatime Buzuku dhe sopranoja Gjylije Pelingu.
Edhe gjatë këtij sezoni janë planifikuar që të jepen gjashtë koncerte për adhuruesit e muzikës, nga një në fund të çdo muaji.
Koncerti i dytë në kuadër të sezonit koncertor “Vivo” 2017/2018 do të mbahet në fund të muajit janar në Qendrën e Kulturës – Ulqin, me koncertin e treshes – Nevila Klakor në violinë, Anda Bushi në violë dhe Laureta Jacoviq në piano. i.k.

Të fundit

më të lexuarat