Për rezultate të larta në mësim, vlerësime dhe shpërblime të merituara

Të mërkurën, më 14 qershor 2023, në ambientin e qendrës mësimore të Shkollës së Mesme të Përzier “Beqo Bashiq” në Plavë, janë tubuar maturantët me sukses të shkëlqyer, prindërit e tyre, mësimdhënësit, stafi drejtues i shkollës, në krye me drejtoreshën Snezhana Bojoviq dhe kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, për të marrë pjesë në ndarjen e diplomave “Pishtari” nxënësve maturantë, për rezultatet e larta në mësim që kanë shënuar gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm në këtë shkollë.
Nga 86 maturantë të katër paraleleve mësimore, një prej të cilave me tetë sish me mësim në gjuhën shqipe, 22 maturantë gjatë shkollimit fillor nëntëvjeçar dhe të mesëm katërvjeçar, kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore, 13 prej të cilëve, notat në të gjitha lëndët mësimore i kanë pasur të shkëlqyera, u janë ndarë diploma “Pishtari I” , kurse nëntë (9) të tjerëve, të cilët kanë pasur sukses të shkëlqyer, por jo në të gjitha lëndët mësimore, u janë ndarë diplomat “Pishtari II”.
Për suksesin e arritur në mësim dhe sjelljen shembullore, me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, maturantët janë shpërblyer me nga një libër.
Drejtoresha e shkollës, Snezhana Bojoviq, e cila bashkë me kryetarin e Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, maturantëve ua kanë dorëzuar diplomat, pasi ka përshëndetur gjithë të pranishmit në ceremonialin solemn, ka thënë: “Dita e dorëzimit të diplomave ‘Pishtari’, për maturantët të cilët me suksesin dhe sjelljet e veta kanë merituar ta bartin epitetin e nxënësve më të mirë të gjeneratës, për shkollën është solemniteti më i rëndësishëm gjatë vitit shkollor”. Ajo në vazhdim ka theksuar se “ne si shkollë u jemi mirënjohës nxënësve maturantë, të cilët para katër vitesh kanë trokitur në dyert e kësaj shkolle dhe në të kanë aplikuar për të vazhduar shkollimin e mesëm, e sot mu atyre ua dorëzojmë solemnisht diplomat ‘Pishtari’”.
Kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e vet përshëndetëse, në emër të të gjithë qytetareve dhe qytetarëve të Plavës, ua ka uruar rezultatet e larta të arritura në mësim maturantëve, prindërve të tyre, mësimdhënësve dhe stafit drejtues të shkollës, me shpresë dhe dëshirë që edhe në vazhdimin e shkollimit universitar të vlerësohen me nota më të mira dhe të arrijnë suksese me të cilat të gjithë do të mburren dhe krenohen.
Laureatë të diplomës “Pishtari I” janë maturantët e paraleleve me mësim në gjuhën malazeze: Amina Dreshkoviq, Hana Pallavrtiq, Armen Canoviq, Enera Kandiq, Illma Toskiq, Millunka Boshkoviq, Edber Çelliq, Haris Purishiq, Fikreta Krciq, Mina Bashiq, Dina Rexhepagiq, Nikolleta Katiq, dhe Delfina Kukaj nga paralelja me mësim në gjuhën shqipe, kurse laureatë të diplomës “Pishtari II” janë maturantët: Teodora Arsoviq, Tarik Haxhimushoviq, Hana Shahmanoviq, Amina Dervisheviq, Esmir Jasaviq, Llejlla Srdanoviq, Nevena Stijoviq, Erna Emini dhe Mellina Rexhepagiq, të gjithë nga paralelet me mësim në gjuhën malazeze.
Kolektivi i mësimdhënësve të shkollës, për nxënës të gjeneratës në drejtimin e gjimnazit me mësim në gjuhën malazeze shpalli maturanten Amina Dreshkoviq, nxënës të gjeneratës në drejtimet profesionale të shkollës shpallën maturantin e drejtimit teknik i turizmit, Haris Purishiq, kurse nxënëse të gjeneratës në paralelen e gjimnazit me mësim në gjuhën shqipe, shpallën maturanten Delfina Kukaj. Të gjithë maturantëve të gjeneratave në fjalë, shkolla ua ndau certifikatat përkatëse dhe i shpërbleu edhe me nga një libër.
Maturantja shqiptare, laureate e diplomës “Pishtari I”, Delfina Kukaj, për gazetën “Koha Javore” u deklarua se do t’i vazhdojë studimet në një fakultet të Universitetit të Prishtinës, por për cilin ende nuk është përcaktuar.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat