Për herë të parë pas 26 vitesh pezullohen karnavalet në Malësi

Çdo vit në muajin shkurt në Malësi përgjatë thuajse një jave të tërë mbizotëronte atmosferë festive, një gjallëri dhe dinamizëm më i shtuar, falë organizimit të javës së karnavaleve të cilat u organizuan si rezultat i iniciativës dhe veprimtarisë së frytshme të disa të rinjve të cilët u angazhuan me shumë zell, vullnet dhe entuziazëm në ruajtjen dhe vijimësinë e traditës së karnavaleve në këtë vend

Toni Ujkaj

Para pothuajse tre dekadash, përkatësisht para 26-vitesh, filloi rrugëtimin njëri ndër manifestimet më të admiruara dhe gjithëpopullor në Malësi, karnavalet/koret.
Sikurse shumë qytete rajonale, evropiane dhe botërore ku organizohen karnavalet të cilat janë sa kulturore aq dhe zbavitëse e argëtuese për spektatorët, edhe Malësia ka vazhduar ta ruajë dhe ta kultivojë këtë traditë tashmë të gjatë të organizimit të karnavaleve në një nivel mjaft të lartë.
Ndonëse këtë vit manifestimi kulturor tradicional Karnavalet nuk u organizuan, shpresojmë dhe besojmë se ky pezullim për shkak edhe të situatës së pazakontë, nuk do ta zbehë interesimin që ky manifestim të vazhdojë vijimësinë ashtu siç u mbajt i gjallë gjithë këto vite.
Manifestimi në fjalë tuboi çdo vit një numër relativisht të madh të grupeve pjesëmarrëse, të të rinjve nga vendi, por edhe të grupeve nga qytete të tjera të Malit të Zi dhe nga rajoni, duke ia shtuar dhe ngritur kështu madhështinë kësaj ngjarjeje kulturore, ku në formë karnavali u trajtuan një larmi e gjerë e dukurive të ndryshme që sot ngjajnë në shoqërinë tonë, të cilat grupet pjesëmarrëse i pasqyronin me humor, satirë, argëtim performancat e ndryshme.
Çdo vit në muajin shkurt në Malësi përgjatë thuajse një jave të tërë mbizotëronte atmosferë festive, një gjallëri dhe dinamizëm më i shtuar, falë organizimit të javës së karnavaleve të cilat u organizuan si rezultat i iniciativës dhe veprimtarisë së frytshme të disa të rinjve të cilët u angazhuan me shumë zell, vullnet dhe entuziazëm në ruajtjen dhe vijimësinë e traditës së karnavaleve në këtë vend.
Nga viti në vit interesimi i grupeve pjesëmarrëse në karnavale nuk mungoi, përfshirë këtu edhe fëmijët nga çerdhe dhe shkolla fillore në Malësi të cilët çdo vit e bënë më madhështor këtë manifestim kulturor.
Rikujtojmë se “Karnavalet – Koret”, arritën ndër vite suksese dhe popullaritet të madh si në nivel vendi, ashtu edhe më gjerë. Kështu në vitin 2009, OJQ “Karnavali- Koret” organizoi në Tuz Konventën Evropiane të Karnavaleve, ku morën pjesë njëzet e tre delegatë nga po kaq vende të ndryshme të Evropës.
Organizimin e këtij evenimenti kulturor ndër vite e kanë mbështetur individë, afaristë nga Malësia, diaspora shqiptare dhe institucione.
Manifestimi kulturor dhe tradicional “Karnavalet – Koret” gjatë këtyre viteve kishte si synim që doket, zakonet dhe traditat e lashta të zonës së Malësisë t’i prezantojë, afirmojë dhe ruajë në formë karnavali.
Si rezultat i sukseseve të arritura në manifestime të ngjashme nëpër qendra të ndryshme ndërkombëtare, shoqata “Karnavali – Koret” është anëtare e plotë Shoqatës Evropiane të Karnavaleve (FECC).

Të fundit

më të lexuarat