Paqë e pajtim edhe për shqiptarët kudo që janë

Për Koha Javore: Frank Shkreli / Nju Jork

Kjo është kërkesa e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guteresh në mesazhin e tij drejtuar botës në vigjiljen e fillimit të Vitit të Ri 2023. “Pas një viti luftrash brutale nga Afganistani e deri në Ukrainë, duke detyruar një numër rekord njerëzish të largohen nga shtëpitë e tyre, bota ka nevojë për paqe në vitin 2023 më shumë se kurrrë më parë”, është shprehur udhëheqsi i OKB-së, në mesazhin e tij drejtuar mbarë botës, me rastin e Vitit të Ri 2023. Peace needed now, ‘more than ever’: Guterres | UN News.
“Le ta bëjmë Vitin 2023 një vit kur rivendoset paqja në jetën tonë, në shtëpitë tona dhe në botën tonë. Në vitin 2023 kemi nevojë për paqe, tani më shumë se kurrë. Paqe me njëri-tjetrin nëpërmjet dialogut, për t’u dhënë fund konflikteve…”.
“Për një jetë me dinjitet, paqja është gjithashtu e nevojshme brenda familjeve, ashtuqë gratë dhe vajzat të mund të jetojnë në dinjitet dhe siguri”, ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i OKB_së, Antonio Guteresh. “Paqe edhe për protestuesit paqësorë nepër rrugë të cilët shpeshëherë janë subjekt hakmarrjesh dhe dhune nga forcat e sigurisë”, ka shtuar ai. Demonstruesit dhe komunitete të tëra kanë nevojë që të drejtat e tyre të njeriut të mbrohen plotësisht dhe duhet të ketë paqe në hapësirat fetare dhe tolerancë më të madhe ndaj feve të tjera, është shprehur udhëheqësi botëror. Guteresh kërkoi gjithashtu paqe në internet, ashtuqë të gjitha komunitetet të mund të përdorin internetin “të lirë nga fjalët plot urrejtje dhe abuzime”. Me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guteresh i bëri thirrje botës që “në vitin 2023 të vendosim paqen në zemër të fjalëve dhe të veprave tona”, ashtuqë ta bejmë Vitin e Ri 2023 një vit kur të rivendoset paqja në jetën tonë, në shtëpitë tona dhe në botën mbarë”.

Paqe e pajtim edhe për Shqiptarët kudo që janë
Temat e mesazhit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Vitin e Ri 2023 si “paqa e siguria”, “të jetuarit me dinjitet”, “liria nga urrejtjet dhe abuzimet” dhe “fund konflikteve”, për fat të keq janë fenomene dhe dukuri dominuese negative që kërcënojnë paqen dhe sigurinë për të cilat foli Antonio Guteresh në mesazhin e tij – edhe në shoqëritë shqiptare në përgjithësi e sidomos në radhët e politikës.
Viti i Ri nuk është vetëm një ndryshim datash e vitesh, por është një rast për ndryshim drejtimesh, qëllimesh e objektivash të reja me një angazhim serioz për realizimin e tyre. Në 30 vitet e fundit “post-komunizëm” dhe pas luftës për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës shpresohej se do merrnin fund urrejtjet, antagonizmat, përçarjet, grindjet dhe ndasitë politike midis shqiptarëve anembanë trojeve të tyre shekullore kryesisht si rrjedhim i regjimit komunist nën të cilin shqiptarët jetuan për një gjysëm shekulli. Shembja e Murit të Berlinit shpresohej të shënonte një rend të ri shoqëror e politik për Evropën dhe për shqiptarët në veçanti. Madje, fillimi i shekullit XXI është shikuar me aq optimizëm saqë mendonim se më në fund ky do të ishte “shekulli i shqiptarëve”.
Por, jo! Asgjë nuk ka ndodhur gjatë këtyre tre dekadave që të na bejë të besojmë një gjë të tillë. Përkundrazi! Sulmi dhe shkatërrimi i varrit dhe bustit të Mid’hat Frashërit ditëve të fundit mu në zemër të Tiranës, tregoi qartë se për shoqërinë dhe shtetin shqiptar, gjoja “demokratik” dhe anëtar të NATO-s, Lufta e Dytë Botërore nuk ka marrë fund ende. Një provë kjo e gjallë për të gjithë ata që mendonin se gjërat mund të ndryshonin në Shqipëri, në paqe e siguri, pa urrejtje dhe dinjitet për të gjithë dhe pa dallime politike, ashtu siç bëri thirrje Antonio Guteresh në mesazhin e tij drejtuar botës për Vitin e Ri 2023. Lista e urrejtjes zyrtare ndaj ish-kundërshtarëve të komunizmit barbar të Enver Hoxhës edhe sot e kësaj dite është shumë e gjatë ndaj më të mirëve të kombit shqiptar si At Gjergj Fishta dhe Mid’hat Frashëri e shumë e shumë të tjerë të cilëve as varret nuk u dihen se ku i kanë, nëse i kanë. Heshtja zyrtare ndaj këtyre akteve të shëmtuara kriminale inkurajon akte të tjera si kjo e ditëve të fundit në Tiranë. Duke përjetësuar kështu urrejtjen nga një brez në brezin tjetër midis shqiptarëve. E pafalshme!
Shqiptarët ndonëse të shpërndarë në pesë shtete janë një komb, kanë një gjuhë dhe një histori, janë vëllëzër e motra të një gjaku. Megjithëkëtë, fatkeqësisht historia dhe shpresat e fillim shekullit 21 kanë ndeshë përsëri në një numër trysnishë, kryesisht politike si rrjedhim i antagonizmave dhe përçarjeve midis partive të ndryshme, saqë edhe për optimistin më të madh vihet në pikëpyetje të madhe gatishmëria dhe vullneti i klasës politike shqiptare të këtij çerek shekulli për të jetuar në paqe, harmoni dhe në vëllazërim kombëtar me njëri-tjetrin. Ishin këto 30 vite “post-komunizëm” që fatkeqësisht u dalluan nga mungesa e tolerancës politike, mungesa e kulturës politike dhe shoqërore ndaj njëri-tjetrit pothuaj në të gjitha nivelet e shoqërisë, e sidomos në radhët e partive politike dhe të qeverive të drejtuara prej tyre. Askush nuk flet për pajtim midis shqiptarëve!
Rezultatet e kësaj politike shkatërruese kombëtare besoj se sot shihen nga të gjithë. Prandaj si rrjedhim 30 vite pas shembjes së Murit të Berlinit dhe me Kosovën e pavarur, ka ardhur koha që vullnetmirët dhe atdhetarët e vërtetë të konsiderojnë një fillim të ri politik dhe shoqëror, të vendosin për një angazhim serioz, për një harmoni të vërtetë vëllazërore atdhetarizmi me njëri-tjetrin, me gjithë ndryshimet dhe pikëpamjet politike që mund të ekzistojnë midis tyre. Rrugë tjetër nuk ka.
Duke shkruar këto mendime modeste mu kujtua një shkrim i Ernest Koliqit të cilin po e parafrazoj pasi nuk më kujtohet burimi i vërtetë për ta cituar tekstualisht, por duke folur për pajtim midis shqiptarëve ai është shprehur se paqja e njerës palë e siguruar nga gjaku dhe vuajtjet e gjysmës së palës tjetër nuk zgjatë shumë edhe në qoftë se mbahet në këmbë për një kohë. Që kombi shqiptar të bëhet pjesë e paqes dhe pajtimit botëror dhe të një bashkëjetese të harmonizuar botërore, logjika e kërkon se duhet më së pari që të pajtohemi ne si shqiptarë me njëri-tjetrin. Që të jemi të bashkuar me mend e zemër të gjithë pa dallim, si shqiptarë që Shqipërinë e duan SHQIPTARE. Është pra në dorë të shqiptarëve nëse ata zgjedhin paqen, harmoninë, bashkëjetesën dhe pajtimin për një jetë të lumtur për të gjithë dhe pa dallim – pjesëmarrës të barabartë në proceset demokratike – apo do të zgjedhin grindjet, konfliktet dhe mospajtimin midis tyre që çon drejt një humnere të rrezikshme dhe të pafund kombëtarisht.
Urojmë pra që Viti i Ri 2023 të shërbejë si një fillim i ri, si një rast që në Vitin e Ri shqiptari të mos e përjashtojë dhe të mos e urrejë shqiptarin, vetëm e vetëm se tjetri ka pikëpamje të ndryshme politike, por të punojnë së bashku për dashurinë ndaj Shqipërisë dhe shoqi-shoqit si dhe për hir të përparimit ekonomik dhe politik të mbarë kombit shqiptar. Kështu do të ishte e mbara.
Ky pra është urimi për Vitin e Ri, por besoj se edhe i shumicës dërmuese të shqiptarëve kudo që shqiptarët në përgjithësi dhe klasa politike shqiptare në veçanti, të dëgjojë zërin e arsyes dhe tu tregojnë “Miqve dhe armiqve anembanë botës se shqiptarët janë të zotët ta bëjnë dhe ta mbajnë Shqipërinë të bashkuar, të fortë, madhështore dhe të denjë për Kastriotin, për stërgjyshërit tanë, për burrërinë dhe fisnikërinë shqiptare”. (At Anton Harapi).
Si është e mundur që shqiptari sot pajtohet, bëhet mik dhe quan vëlla turkun, grekun e serbin – por nuk pajtohet me vëllain e vet? Ne duhet t’i kemi të gjithë këta miq, por vëllezër e motra janë ata të një gjaku, të një gjuhe e të një kulture, të një historie e identiteti! Të huajve u ndërtohen buste e monumente në trojet shqiptare, ndërsa personaliteteve të historisë së kombit shqiptar u shkatërrohen ato natën për terr. Diçka nuk është në rregull me këtë vend, që të pakën deri tani ende e quajmë Shqipëri.
Historikisht,armiqtë e shqiptarëve i kanë dashur ata të ndarë e të përçarë politikisht dhe gjeografikisht nga trojet e veta. Por fati i shqiptarëve është sot në dorë të vetë shqiptarëve. Mos të humbet rasti historik që shqiptarëve t’u jepet arsye dhe mundësi që të qëndrojnë në trojet e veta stërgjyshore dhe që të kenë besim në një Shqipëri e Kosovë demokratike ku të gjithë ta ndjejnë veten të barabartë dhe pjesëmarrës në proceset demokratike dhe të mos marrin rrugët e botës, vetëm e vetëm se klasa aktuale politike me ndasitë dhe me përçarjet midis veti, po bjerrë aspiratat e shqiptarëve për një jetë më të mirë, në paqe e siguri, pa urrejtje dhe me dinjitet në shtëpitë e tyre, në atdheun e të parëve.

Të fundit

më të lexuarat