Në kuadër të projektit “Mësimdhënësi për shekullin 21”, Këshilli britanik, të premten në Shkollën fillore “25 Maji” në Rozhajë, organizoi ndarjen solemne të pajisjes elektronike – Mikrobit, për shkollën fillore të kësaj komune, dhe për ato të komunave Andrijevicë, Plavë, Guci dhe Petnjicë.
Sipas fjalëve të drejtoreshës së Këshillit britanik, zonjës Vanja Maçgal, fjala është për pajisjen elektronike, e cila u kontribuon bazave të shkrim-leximit digjital, përmes të të kuptuarit më të lehtë dhe më të mirë të teknologjisë bashkëkohore.
“Projekti zbatohet që pesë vjet, me qëllim të zhvillimit të mendimit kritik dhe të shkathtësisë së zgjidhjes së problemeve të fëmijëve në shkollat fillore, por edhe të zhvillimit ë hapave të parë të programimit dhe kodimit, që ndikon në zhvillimin e shkrim-leximit digjital në shkolla. Mikrobiti është mini kompjuter, i cili mund të programohet dhe të zhvillojë kreativitet dhe kuptim logjik për novacion te fëmijët, fuqishëm të ndikojë në zhvillimin e trurit të tyre logjik, përmes punës ekipore për zgjidhje problemeve. Këtë projekt e bëjmë me 162 shkolla në Mal të Zi me qëllim që përmes teknologjive të reja të transformohet dhe modernizohet arsimi”, ka konfirmuar zonja Maçgal.
Duke falënderuar për donacionin në fjalë, drejtori i Shkollës fillore “25 Maji” në Rozhajë, Senad Tahiroviq, ka thënë se ky program u ka mundësuar nxënësve të mësojnë risi në mësim dhe përmes lëndëve të ndryshme mësimore të zhvillojnë mendimin kritik, të zgjidhim problemet dhe të mësojnë mënyrën e kodimit.
Partner në realizimin e këtij projekti është Ministria e arsimit, shkencës, kulturës dhe sportit në Qeverinë në largim të Malit të Zi.
Sh. Hasangjekaj