Plavë – Me qëllim të profesionalizimit më të madh të Radio Televizionit të Malit të Zi dhe ndikimit të qytetarëve në punën e servisit mediatik publik, Qendra mediatike (Medija centar) organizon punëtori dedikuar ngritjes së kapaciteteve të qytetarëve dhe përfaqësuesve të OJQ-ve përkitazi me përcjelljen e punës së RTMZ dhe parashikimit të vërejtjeve lidhur me përmbajtjet programore të tij.
Punëtoritë në fjalë, Qendra mediatike është duke i organizuar në 12 qendra komunale të Malit të Zi, ndër të cilat edhe në Komunën e Plavës. Realizimi i tyre bëhet në ndërlidhje të projektit “Lidhje e serishme e qytetarëve dhe emituesit publik RTMZ”, të cilin e realizon qendra në fjalë me përkrahje të Ambasadës së SHBA në Podgoricë.
Në këtë kuadër, të mërkurën e kaluar, në sallën e vogël për seanca, takime dhe tubime publike të Qendrës për kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, është organizuar dhe mbajtur punëtoria, në të cilën sipas planit të punës së saj është ligjëruar në dy tema: 1. Raportimi i përgjegjshëm dhe etik medial: Lajme të rreme dhe videomanipulime, dhe 2. Prezantimi i kodeksit të gazetarit dhe të rregullores mbi standardet programore dhe profesionale të RTMZ, të cilat i ka mbajtur moderatori i punëtorisë, gazetari i mirënjohur i shumë mediave të Mali të Zi (tani në pension) dhe njëherazi kryetari i Kuvendit të Qendrës mediatike, Dushko Vukoviq, në asistencë të menaxhueses financiare të qendrës në fjalë, Marija – Maja Ivançeviq.
Gjatë punës së punëtorisë janë zhvilluar biseda dhe janë bërë analiza mbi shembujt e mirë dhe të këqij të raportimeve dhe të reaksioneve në raportet e gazetarëve (reporterëve) përmes shfrytëzimit të videoshtojcave (sekuencave) të TVMZ. Po ashtu është biseduar edhe përkitazi me përgatitjet e vërejtjeve në përmbajtjet konkrete të TVMZ përmes shfrytëzimit të shoqëruesit për parashtrim të vërejtjes.
Në punëtori është bërë analiza e dy shtojcave të emituara në Ditarin 2 të RTMZ, si studime rasti, si dhe është prezantuar procedimi i parashtrimit të vërejtjes.
Në fund theksojmë se interesimi i qytetarëve për pjesëmarrje në punëtorinë në fjalë ka qenë shumë i vogël, e dhënë kjo të cilën e ka dëshmuar prezenca shumë e vogël e numrit të tyre. Për të gjithë pjesëmarrësit e punëtorisë, në restorantin “Aqua” në lagjen “Llatek” të fshatit Brezojevicë përballë Liqenit të Plavës, është shtruar drekë dhe koktej rasti.
Sh. Hasangjekaj