Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, e cila çdo vit shënohet më 20 nëntor, Kuvendi i Malit të Zi mirëpriti nxënës nga disa shkolla të Malit të Zi, mes tyre edhe nga shkollat shqipe.
Në seancën e trembëdhjetë të Parlamentit të Fëmijëve morën pjesë nxënës nga shkolla fillore në Tuz dhe nga Shkolla e mesme e përzier “25 Maji”.
Mbi rëndësinë e këtij aktiviteti dhe mesazhin që përcjell për angazhimin e institucioneve ndaj fëmijëve, Nikollë Camaj, nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi, për gazetën “Koha javore” thotë se shënimi i kësaj dite ka shumë rëndësi, në rend të parë për faktin se fëmijët janë e ardhmja jonë, e ardhmja e njerëzimit.
“Prandaj është e arsyeshme që fëmijëve t’u hapen dyert e institucioneve me kohë. Ditë më parë prita studentët, në vend të urimit të Ditës së tyre, kurse javën tjetër nxënësit. E gjithë kjo dëshmon se në fëmijë e të rinj duhet investuar shumë nga koha e njerëzve me përvojë”, thekson Camaj.
Gjatë kësaj dite, ai i priti nxënësit edhe në zyrën e tij, duke krijuar një hapësirë të drejtpërdrejtë komunikimi me ta. Për vlerësimin e këtij ndërveprimi dhe rëndësinë e pjesëmarrjes së tyre për përfaqësimin e komunitetit shqiptar në institucionet shtetërore, Camaj shprehet se ishte hera e parë që nxënësit e shkollave shqipe ishin të pranishëm në këtë festë, edhe pse ajo kremtohet për të trembëdhjetin vit me radhë.
“U ndjeva shumë mirë që i mirëprita, prandaj edhe dua të falënderoj organizatorët nga shkollat tona, por edhe shërbimin e Kuvendit i cili i pranoi, edhe pse lajmërimi u bë pas kohe. Në mënyrë të veçantë dua t’i falenderoj për vizitën në zyrën time dhe për të qenurit aktivë në Kuvend”, shprehet nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj.
I pyetur për hapat e mëtejshëm që mendon se janë të nevojshëm për t’i forcuar të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve në Mal të Zi, duke pasur parasysh bashkëpunimin me UNICEF-in dhe institucionet arsimore, Camaj thotë se institucionet shkollore duhet të shfrytëzojnë çdo mundësi që u jepet dhe që ka rëndësi për nxënësit, e kështu edhe për të ardhmen tonë.
“Ne duhet t’u vijmë në shërbim atyre”, përfundon Camaj.
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, aktivitetet në Kuvendin e Malit të Zi nënvizuan rëndësinë e investimit në arsim dhe zhvillimin e brezit të ri. Përmes vizitave, takimeve dhe bisedave të hapura, fëmijët u njohën me punën e institucioneve dhe synuan të kuptonin rolin e tyre në shoqëri, ndërsa institucionet riafirmuan angazhimin për t’i mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e tyre.
t. u.
