Në kuadër të Ditës Evropiane të Trashëgimisë Kulturore, nxënësit e klasave të 7-ta të shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë dhe “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros morën pjesë në një vizitë edukative për të njohur trashëgiminë kulturore dhe historike të zonës së Krajës. Aktiviteti synonte zhvillimin e njohurive mbi historinë, arkitekturën dhe traditat lokale.
Gjatë vizitës, nxënësit patën mundësinë të njihen me disa monumente të rëndësishme:
Ublat e Bolajve, Ublën e Krajës, Kishën e Shën Mërisë, xhaminë në Qyrjan si dhe Molin e Skjesë.
Ublat e Bolajve – trashëgimia që rrjedh në breza
Në lagjen Bolaj, një nga thesaret e rrallë të trashëgimisë kulturore dhe historike të Krajës janë Ublat e Bolajve, një kompleks prej 12 ujëmbledhësve të ndërtuar për nevoja të banorëve dhe bamirësi (herjat). Rrjedhshmëria ndërtimore e këtyre ndërtimeve, pra ublave – sipas arkitektit Korab Kraja – daton që nga shekujt III-IV e.s. “Të tilla janë të hulumtuara dhe të studiuara në rajon, prandaj teknika e njëjtë e ndërtimit dhe teknologjia e njëjtë, bën që të kuptohet edhe analogjia e përafërt ose e njëjtë me ublat në Krajë”, shpjegon arkitekti Kraja.
Trualli i Ublave ka qenë pronë e lagjes, por uji është përdorur edhe nga banorët e lagjeve përreth. Ublat kanë shërbyer jo vetëm për ujë, por edhe për larjen e rrobave dhe pajitjen e bagëtive, duke krijuar një qendër sociale dhe funksionale për komunitetin. Tipologjitë e ndryshme të ublave tregojnë mjeshtërinë arkitekturore dhe lidhjen e ngushtë midis ndërtimit dhe natyrës.
Ubla e Madhe e Krajës – element i rëndësishëm i trashëgimisë rurale
Më e njohura është pa dyshim “Ubla e Krajës”, sipas gojëdhënës e njohur se u ndërtua nga Kosara në vitin 1001, e lidhur me legjendën e Vladimirit dhe Kosarës. Ndodhet pranë manastirit Virgjëresha e Krajës, shekulli XI, dhe ka thellësi 15-16 metra. Uji i kësaj uble nuk harxhohet kurrë, dhe gjatë verës, kur ublat e tjera mbeten pa ujë, gratë vijnë për të mbushur enët me ujë të freskët.
Kisha e vjetër Shën Mëria e Krajës
Gërmadhat e Kishës së vjetër Shën Mëria e Krajës përfaqësojnë një monument historik të rëndësishëm për Krajën. Gërmimet e deritanishme e datojnë kishën diku rreth shekullit X-XI. Pas ndarjes së Kishës së Krishterë në vitin 1054, zhvillimet kulturore u reflektuan edhe në këtë tempull, i ngritur nga murgu Pjetër mbi gërmadhat e kishës së mëparshme. Legjenda e princit Gjon Vladimirit lidhet ngushtë me Kishën. Në vitin 1446, Shën Mëria u bë argjipeshkvi katolike me Teodozinë si argjipeshkvin e parë dhe nga viti 1445 ka shërbyer si seli e Mitropolisë së Zetës.
Xhamia e Qyrjanit
Xhamia e Qyrjanit – e njohur edhe si Xhamia Plakë – është xhamia më e vjetër dhe institucioni i parë islamik në trevën Krajë – Shestan. Ajo përfaqëson një nga shembujt më të vlefshëm të arkitekturës osmane në rajon dhe shërben për lagjet e fshatit Martiq, duke përfshirë Qyrjanin, Sjerçin, Kacajt dhe Ramushajt.
Xhamia ka pësuar ndërtime dhe shtesa gjatë periudhave të ndryshme, duke përfshirë ndërtimin e hajatit dhe mejtepit të brendshëm. Në këtë mënyrë, duke bërë përpjekje rindërtuese dhe adaptuese, kjo xhami për fat të keq humb gjurmët e autenticitetit, për çka, nga syri i lirë, por edhe ai profesional, nuk ka gjurmë që e dallojnë dhe e veçojnë si ndërtim të vjetër, që thuhet se i takon fillim shekullit XVII, shprehet arkitekt Kraja.
Është xhamia më e njohur në Krajë, për shkak të simbolikës së vjetërsisë që kjo xhami shpreh, si dhe për shkak të pozitës së saj që bie lehtë në sy gjatë rrugës kryesore të fshatit, por edhe të pozitës vrojtuese nga mund të shihet edhe gryka e liqenit për nga Vau i Qyrjanit.
Moli i Skjesë
Ligjëratat u mbajtën nga Mr. Korab Kraja, magjistër i arkitekturës, i cili shpjegoi historinë dhe rëndësinë kulturore të këtyre ndërtimeve dhe nxit nxënësit të përfshihen në diskutime.
Nxënësit punuan në grupe, bashkëpunuan dhe ndanë njohuritë, duke zhvilluar aftësi komunikuese dhe sociale. Ata dokumentuan përvojën me foto dhe shënime, duke krijuar një mini-arkiv vizual dhe historik.
Ky aktivitet nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së nxënësve në aktivitetet kulturore dhe historike, duke i bërë ata pjesë aktive të ruajtjes së trashëgimisë. Përmes kësaj përvoje, nxënësit mësuan jo vetëm për historinë dhe arkitekturën lokale, por edhe për vlerat e tolerancës, respektit dhe bashkëjetesës kulturore, duke forcuar lidhjen me komunitetin e tyre.
Aktivitetin e ideoi dhe e organizoi mësimdhënësja Luljeta Avdiu – Cura në bashkëpunim me shkollat fillore “Bedri Elezaga” – Katërkollë dhe Gjergj Kastrioti – Skënderbeu – Ostros. Në aktivitet morën pjesë drejtori i shkollës fillore në Ostros, Sami Doda dhe mësimdhënësi Sead Boci me nxënës, kurse nga shkolla fillore “Bedri Elezaga” mësimdhënëset Samire Kraja, Mirjete Cuca dhe Ilire Doda si edhe nxënësit e shkollës në fjalë. Aktivitetin e financoi Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi.
Luljeta Avdiu – Cura
