Njohuri dhe përgatitje për ndihmën e parë

Tuz – Organizata Komunale, Kryqi i Kuq-Tuz, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Malit të Zi dhe me të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Komunën e Tuzit, ka filluar trajnimin për të rinj me temën: “Ndihma e parë”.
Trajnimi i parë mbi këtë tematikë është zhvilluar para pak ditësh në ambientet e SHF “Mahmut Lekiq” në Tuz, ku në prani të nxënësve dhe mësimdhënësve, ligjëroi trajneri i liçencuar nga Kryqi i Kuq, Mark Gorvokaj.
Drejtori i Organizatës Komunale, Kryqi i Kuq-Tuz, David Junçaj, duke u prononcuar për gazetën “Koha Javore”, thotë se ky aktivitet ka për qëllim që të trajnojë të rinjtë që ata të bëhen humanë në shoqëri, për të qenë të gatshëm të japin ndihmën dhe kontributin e tyre atëherë kur kjo të jetë e nevojshme.
“Me këtë trajnim ne shpresojmë që të rinjtë do të pajisen me njohuri të reja të cilat do t’u vlejnë në jetë, ndoshta edhe për të shpëtuar ndonjë jetë njeriu në raste tërmetesh, apo situatash të tjera të jashtëzakonshme, ku ata të mund të japin ndihmën e parë, shprehet Junçaj.
Ai shton se trajnimeve në vazhdim do t’u bashkëngjiten edhe ekspertë nga personali mjekësor, për t’i bërë ato edhe më efikase.
“Gjatë muajit maj, do të organizohen garat komunale në të cilat komisioni do të zgjedhë grupin më të mirë që do të dalë fitues, i cili më vonë do të marrë pjesë në garat shtetërore”, thekson Junçaj, duke shtuar se Organizata Komunale Kryqi i Kuq-Tuz do të vazhdojë gjatë gjithë kohës me aktivitete të ndryshme dhe aksione humanitare.
“Falënderojmë të gjithë ata që na mbështesin në aksionet tona, si dhe mediat të cilat na i pasqyrojnë aktivitetet që ne i realizojmë”, thotë Junçaj.
Trajnimi me temën: “Ndihma e parë” do të zgjasë dy muaj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat