Një zë shqip prej të lartit vend, prej fjalës e ngriti një kuvend

Zef Pergegaj

Në një copë tokë besa sa një ishull i madh, në një kënd të Ilirisë, thuajse i përpirë nga dallgët e tradhtisë së madhe Evropiane, çdo shqiptar që ka një zemër patrioti, të trashëguar nga avulli i rrënjëve të lisave të drejtë me rrënjë të thella, aty ku kalanë e ngriti Teuta e ulqinakët marinarë˜, që tokës e bregut i dhanë name , e ka për nder që syri i tij e gjuha e fjalës të jetë dritë mbrojtjeje e trojeve të veta. Pragu mbrohet me pushkë që kurrë nuk iu ndryshk shqiptarit, por tapia e dheut tënd shkruhet me gjak dhe firmoset me penë. Bijtë e penës edhe në kushte të vështira si marinarët nga çmenduria e dallgëve të detit kur tërbohet, i dolën zot vendit. Mund të them se Gjekë Gjonaj, shpirtbardhi në Mal të Zi me një zë shqip prej të lartit vend prej fjalës e ngriti një kuvend!
Piramidat e kulturës se një kombi janë librat. Këtë mendoj se ka synuar Gjekë Gjonaj me librat e tij. Një trevë patriotike e zakonore, ku ka lind dhe është brumuar autori i disa librave, studimeve, reportazheve dhe hulumtimeve, tregon se edhe në shpirtin e tij ndodhet ndezur një zjarr atdhetar, kur u jep dritën e syve të vet, për të çarë perden e Errësirës dhe të mohimit, siç ka ndodhur me figurën e Prek Calit nga Malësia e Kelmendit, një nga figurat madhore e madhështore të patriotizmit shqiptar, të cilit ai do t’i kushtonte librin e tij të rëndësishëm monografik “Prekë Cali-Piramidë e kufijve të Shqipërisë”.
Njeriu që gjurmëve të kohës u falë jetë dhe i bën të flasin
Po nuk është i vetmi personazh, Gjonaj gjurmët e kërkimit i ndesh në gurin e parë të librit shqip tek Buzuku, për të ardhur tek Nana Tereze, Baca Kurti, Dedë Gjo’ Luli, Fishta e meshtarë të Malësisë. Madje nuk i harron shkrimtarët dhe gjuhëtarët e deri tek Presidenti Rugova. E Gjeka me një përkushtim kërkon që anija e shqiptarit të mos lundrojë me vela të grisura nga shtrëngatat, në mënyrë që bregu ynë të jetë i lirë!
E kam ndjekur disa herë krijimtarinë publicistike të Gjekë Gjonajt, e cila edhe pse ka prekur të gjithë brigjet dhe ka depërtuar në të gjitha shtigjet e tokës tonë ka mbërritur edhe këtu në Amerikë, jo thjeshtë si përvojë, por edhe si gjurmë e frymë e parë bashkimi e komunikimi që zgjon një histori, këndellët në një betejë, lajmëron me një kandil të ndezur, kur të tjerët mendojnë se është fikur, përpush hirin që ka mbuluar legjendat dhe mirët e Malësisë dhe të trevës së tij, i krip me kripën e lotit të dhimbjes nën lëkurë dhe me varkën e peshkatarit të regjur nga furtunat na i sjellë të gjalla në bregun tonë. Në këtë kuptim ai është një misionar me këmbë në tokë.
Gjeka e plotësoi ditën e banorit të trevave shqiptare në Mal të Zi, në “Kronika Javës” 1986-1992 , kohë kur ai ka punuar si gazetar në Radio Televizionin e Malit të Zi, duke e lidh kohën me kohën si dorëzat me kallëza, ku piqet buka e historisë kombëtare… Si një bletë punëtore në hoje e me nektar ai me thesare e mbushi atë hambar!
“Gjurmëve të kohës”, Enti Botues “Gjergj Fishta” është libri i parë i Gjonajt që më ka rënë në dorë, në të cilin ai shkruan për figura të shquara kombëtare si: “Dom Gjon Buzuku, autor i librit të parë shqip”,
“Vepra e Gjon Buzukut dhe rëndësia e saj shkencore”, “At Gjergj Fishta, figurë madhore e kulturës dhe e historisë sonë kombëtare”, “Nëna Tereze – shenjtore misionare e dashurisë”, “Nëna Tereze është shqiptare”, “Shtatorja e Nënës Tereze edhe në Ulqin, por edhe në grigjën e kishës së Shna Ndout në Tuz”.
Autori të bie në sy menjëherë edhe pa e njohur se është i lidhur si flaka me lisin në vatrën e shqiptarit me dheun e të parëve dhe besimin, me lahutën , traditën dhe ansamblin e zanave. Në kreun e titulluar “Personalitete historike”, janë tubuar shkrimet: “Dedë Gjo’ Luli, figurë historike e Malësisë”, ”Shtëpia muze e Dedë Gjo’ Lulit”, “Baca Kurti-krenaria e Malësisë”, “Tringë Smajlja Ivezaj-heroinë e Malësisë”, “Pretash Zeka, luftëtar për mbrojtjen e trojeve shqiptare”, “Epopeja e lavdishme e Oso Kukës”. Kjo është një˜ aurorë e shenjtë që vlon nën dheun tonë.
Autori nuk mënjanon figurat e kohës me të cilat është shkruar koha.
Kreu i tretë më titullin “Lamtumirë, President” përfshin shkrime rreth kalimit në jetën tjetër të presidentit të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Kreu i katërt ka dy shkrime për dy figura të mëdha nga radhët e klerit shqiptar të anëve të Malësisë: Dom Simon Filipajt, njeriut që realizoi botimin e plotë të Biblës në gjuhën letrare shqipe dhe at Vinçenc Malaj, figurë poliedrike e kulturës dhe e historisë shqiptare. Në kreun e pestë përmblidhen shkrime kushtuar arsimtarëve, gazetarëve dhe artistëve të njohur të anëve të Malit të Zi, si Gjergj Gjokaj, Mark Ujkiqi, Zake Prelvukaj, Seida Belegoviq etj. Në kreun e gjashtë përmblidhen intervista të ndryshme, si me aktoren Ema Andrea dhe aktorin Timo Flloko, me poetin Xhevahir Spahiu dhe me shkrimtarin Besnik Mustafaj. Kreu i shtatë u është lënë opinioneve dhe vështrimeve për figura të mëdha të kombit shqiptar, si dhe mjaft dukurive nga jeta bashkëkohore e shqiptarëve të Malit të Zi. Në kreun e tetë, sillen shkrime me prurje nga fusha e folklorit dhe e etnografisë, si “Muzeumi etnografik i Malësisë”, “Xhubleta-mbretëresha e veshjeve shqiptare” dhe “Veshja popullore e Shestanit”. Ai pohon: “Përherë jam gëzuar dhe gëzohem që populli im ka pasur, ka dhe do të ketë intelektualë të përmasave universale, të cilët, për mua kanë mbetur dhe janë shembull i punës vetëmohuese për të ngritur kulturën shqiptare në një nivel të lartë!”
( Vijon)

Të fundit

më të lexuarat