
Kohën e fundit jemi dëshmitarë të rritjes së numrit të përdoruesve të cigareve elektronike, kryesisht te moshat e reja në Mal të Zi, duke përfshirë këtu edhe adoleshentët shqiptarë. Në çdo kafene që hyn, vëren mjaft fëmijë dhe të rinj që konsumojnë (pinë) këtë lloj duhani me avull. Vërejmë një trend që po krijon masivitet në përdorim, pa ditur se cilat janë kostot në shëndet, e aq më tepër te fëmijët dhe të rinjtë. Një pajisje të tillë disa të rinj e mbajnë në xhep. Ajo nuk lë aromë cigareje, zgjat më shumë se pirja e një pakete dhe ka kosto të përballueshme. Në pyetjen tonë se a e përdor cigaren elektronike, një i ri ulqinak më tha:
“Nuk e përdor, thjesht e kam provuar. Me aq pak para që ka koston, ka lloj-lloj kimikatesh dhe është një nga gjërat më të dëmshme në qarkullim”, thotë një i ri.
“Më shumë i pinë për ta lënë duhanin”, shton një tjetër i ri.
Një prej konsumuesve u shpreh për Koha Javore” se pasi përdori cigare elektronike për tre muaj, pati komplikime në zemër.
Promovimi masiv i këtyre pajisjeve me avull ka nxitur një kuriozitet të lartë për t’u provuar qoftë edhe vetëm një herë. Por a janë ato të dëmshme?
Në takimin me rastin e Ditës Botërore kundër Duhanit, me sloganin “T’i ruajmë fëmijët nga industria e duhanit” të mbajtur fundjavën që lamë pas në Podgoricë, u tha se një pjesë e masave të reja që lidhen me ndalimin e përdorimit në vende publike dhe në vendet e punës duhet të zbatohen edhe për cigaret elektronike. Të dhënat e përgjithshme tregojnë se më shumë se një e treta e qytetarëve malazezë konsumojnë produkte të duhanit çdo ditë, që është mbi mesataren evropiane.
Duke kujtuar pasojat e dëmshme të pirjes së duhanit dhe rëndësinë e ndalimit të këtij fenomeni të rrezikshëm, ministri i Shëndetësisë, Dr. Vojisllav Shimun tha se Ministria e Shëndetësisë e ka identifikuar kontrollin e përdorimit të duhanit si prioritet kombëtar, prandaj ka iniciuar ndryshimin e rregulloreve ekzistuese ligjore dhe hartimin e ligjit të ri për kufizimin e përdorimit të produkteve të duhanit. “Qëllimi i miratimit të ligjit të ri është të zvogëlohet përhapja e përdorimit të produkteve të duhanit. Duke qenë se ka një tendencë të dukshme të rritjes së dukshme të numrit të fëmijëve dhe të rinjve që përdorin produkte të duhanit në Mal të Zi, qëllimi ynë është të ndërtojmë mekanizma për të reduktuar disponueshmërinë dhe aksesin e produkteve të duhanit, në mënyrë që të ruajmë shëndetin e popullatës më të ndjeshme”, tha dr.Shimun.
Shefja e Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Mal të Zi, Milla Brajoviq tha se nëse lejojmë trendin në rritje të përdorimit të cigareve elektronike te të rinjtë, po i shtyjmë fëmijët drejt sëmundjes së varësisë. Ajo pohoi se fëmijët nuk janë të vetëdijshëm për rreziqet shëndetësore që paraqesin këto produkte. “Në nivel global, mbi 30 për qind e 15-vjeçarëve kanë konfirmuar se kanë provuar cigare elektronike me nikotinë. Për herë të parë kemi një situatë ku në këtë popullatë pesëmbëdhjetëvjeçare kemi rritje më të madhe të përdorimit të cigareve elektronike në krahasim me popullatën e të rriturve”, tha Brajoviq. Ajo theksoi se këto janë produkte shumë të rrezikshme dhe se përdorimi i cigareve elektronike shoqërohet me rritje të numrit së sëmundjeve të kancerit, si dhe sëmundjeve të zemrës dhe të frymëmarrjes. “Të dhënat tregojnë se këto cigare ndikojnë në funksionet njohëse të fëmijëve, në përqendrimin e tyre dhe në zhvillimin neurologjik”, theksoi Brajoviq dhe shtoi “nëse e lejojmë këtë trend, ne i shtyjmë fëmijët në sëmundjen e varësisë”. Dr.Brajoviq shprehi pritshmërinë e saj që Ministria, me ndryshimin e Ligjit për Kontrollin e Përdorimit të Duhanit, të ndalojë 100% përdorimin e duhanit dhe produkteve të nikotinës në ambiente të mbyllura dhe në këtë mënyrë të dalë me një zgjidhje që është në përputhje me shëndetin e qytetarëve, duke këmbëngulur që të zbatohen masat e kontrollit që vlejnë për duhanin dhe për cigaret elektronike – që përfshin taksa të larta dhe ndalim të përdorimit në vende publike.
Drejtori i Institutit për Shëndetin Publik, Prof. Dr. Dragan Llausheviq ka theksuar faktin se frekuenca e lartë e përdorimit të produkteve të duhanit te fëmijët dhe të rinjtë është pasojë e disponueshmërisë së tyre të lehtë, çmimeve relativisht të ulëta dhe ekspozimit të fëmijëve ndaj reklamave. “Përveç kësaj, duhet theksuar se fëmijët dhe të rinjtë janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj efekteve pasive të tymit të duhanit. Është përgjegjësia jonë kolektive të krijojmë një mjedis ku të kuptohen mirë rreziqet e konsumimit të produkteve të duhanit dhe ku të inkurajohen zgjedhje më të shëndetshme. Ne duhet të kultivojmë një kulturë ku pirja e duhanit nuk shihet si një fenomen i zakonshëm shoqëror, por si një kërcënim serioz për shëndetin publik. Duke hequr qafe duhanin, ne hapim rrugën drejt një të ardhmeje që qytetarët tanë mund ta gëzojnë në një jetë më të gjatë, më të shëndetshme dhe më cilësore”, ka vlerësuar Dr. Llausheviq
Sipas specialistëve cigaret elektronike janë bërë më të njohura se cigaret konvencionale. Për shkak të gjithë kësaj, deri më tani 12 vende në Evropë e kanë ndaluar përdorimin e këtyre produkteve në hapësirat e mbyllura publike.