
Brigjet dhe luginat e lumit Cem janë një perlë e natyrës, të preferuara për plazh, jo vetëm nga banorët e fshatrave përreth, por edhe nga turistët e huaj, të cilët mbesin pa frymë nga peizazhet e tyre. Lumi Cem ka një vend të veçantë dhe të rëndësishëm në jetën e përditshme të banorëve që jetojnë përgjatë brigjeve të tij. Për më tepër, Cemi dhe uji i tij i kristaltë kanë pasur një ndikim në zemrat e malësorëve shqiptarë dhe në vlerat e tyre kulturore.
Shumë njerëz nga ky rajon emigruan në Amerikë. Megjithatë, ata e mbajnë Cemin në zemrat e tyre dhe kthehen me kënaqësi aty çdo verë kur brigjet e tij janë plot me notarë nga vende të ndryshme të botës.
Të gjithë banorët që e kishin këtë lumë afër ishin me fat, sikurse edhe ata që kanë jetuar prej kohësh dhe vazhdojnë të jetojnë në vendbanimin që vendasit e quajnë “Kuqe Rakiqa” (Shtëpitë e Rakiqëve), i cili tani administrativisht i takon komunës së Tuzit (më parë Podgoricës).
Ndër familjet e para malësore shqiptare që kanë ardhur për të jetuar në Rakiq, pranë lumit Cem, është familja Ujkaj nga Bëkajt e Trieshit. Nikollë Ujkaj tregon se babai i tij e ndërtoi një shtëpi të pazakontë nën shpellat, që banorët vendas i quajnë “peqina”, të lumit Cem. Kjo shtëpi unike është e ndërtuar me gurë me gëlqere, pa çimento. Është bërë për të mbajtur delet, sepse shpella nuk pikon. Delet e kalonin dimrin atje dhe kjo bëhej kryesisht për hir të qengjave. Gjendet pranë (afër) Urës së Zharnicës.
Në afërsi të saj ka ekzistuar mulliri i Bogiqit, bashkëpronarë të të cilit ishin vëllezërit Ujkaj. Sipër saj janë vreshtat e Plantacionit “13 Korriku”, dhe poshtë saj është lumi Cem. Para saj është një livadh i gjelbëruar, të cilin e pastron dhe e mirëmban pronari Ujkaj. Bukuria e këtij livadhi vërehet në pranverë, kur çelin llojlloj lulesh që rrallëkund mund të gjenden, si ato para asaj shtëpie të veçantë.
Në kohën kur është ndërtuar kjo shtëpi e pazakontë, nuk kishte vreshta, por ishte një fushë e zbrazët, që quhej “Qemovsko pole”.
Sipas fjalëve të pronarit Ujkaj, për të shkuar deri tek ajo shtëpi e jashtëzakonshme duhej kaluar përmes Urës së Zharnicës, përgjatë shtratit të lumit Cem, kurse tani Plantacionet vendosën një portë dhe e mbyllën. Rruga deri te kjo shtëpi jo e zakonshme kalon përtej vreshtit sipër tij. Ajo rrugë për te mullinjtë e Bogiqit ekziston në kadastër. Dikur kishte një urë, por u shkatërrua nga shkatërrimet e kohës.
Tash disa vite ajo shtëpi nuk është në funksion, por ende i ka qëndruar dhe i qëndron kohës. Mbetjet e saj edhe sot tërheqin vëmendjen e kalimtarëve dhe vizitorëve adhurues të natyrës. Ajo vërehet qartë nga rruga e asfaltuar përgjatë Cemit, e cila të çon te restoranti i mirënjohur “Niagara”, i cili e ka marrë emrin e ujëvarës që ndodhet afër tij, në zonën më të famshme të piknikut të vendit, pak kilometra nga Tuzi dhe Podgorica.
Dëshira e pronarit Ujkaj është që të përpiqet të ruajë të paktën historinë e kësaj shtëpie në shkëmbinjtë e këtij lumi jashtëzakonisht të bukur, sepse ai tani mund të shikojë vetëm atë që është e tij, pasi tash ajo pjesë e bregut të Cemit i përket Plantacioneve dhe ata lejojnë kalimin vetëm me leje kalimi.
Ujkaj u përpoq të ndërtonte një urë mbi lumin Cem, por Plantacionet nuk e lejuan, sepse për ndërtimin e urave duhen leje të ndryshme. Ai do të donte që kjo shtëpi dhe mulliri i vjetër i ujit pranë saj, të vihen përsëri në funksion si dikur. Edhe pse nga mulliri i ujit ka mbetur vetëm muri, ai mund të restaurohet dhe të vihet përsëri në punë, çka është edhe dëshira e pronarit.
Natyra këtu ka krijuar një mjedis të bukur dhe peizazhe tërheqëse. Mjafton që ne të dimë t’i eksplorojmë dhe t’i valorizojmë ato. Vlerësimi dhe rivitalizimi i kësaj shtëpie dhe i mullirit të ujit do të ishin atraksione turistike mahnitëse në Tuz.
Vlen të përmendet se kanioni i Cemit është shpallur monument natyror në vitin 2017 dhe se Komuna e Tuzit kujdeset për të. Përveç bukurisë së lumit, ka shumë arsye të tjera pse kjo zonë duhet të merret në konsideratë. Këtu mund të gjenden shumë lloje të rralla bimësh dhe kafshësh, dhe zona është veçanërisht e rëndësishme për zogjtë. Megjithatë, mbrojtja e lumit Cem, megjithëse ekziston në mënyrë deklarative, për momentin është vetëm dëshira dhe shpresa e dashamirësve të natyrës.
