Një kopsht publik frutash u çel të enjten (9 tetor 2025) në Ulqin, ku fëmijët – me duart e tyre të vogla dhe dëshirë të madhe – mbollën lloje të ndryshme të frutave autoktone. Ndër frutat e mbjella janë mollët, dardhat, portokallet, mandarinat dhe qershitë.
Gjatë ceremonisë së mbjelljes, fëmijët, nën udhëheqjen e ekspertes për frutat autoktone, Elodi Jakupi, e cila ka ideuar projektin dhe ka zgjedhur llojet, patën mundësinë të marrin pjesë drejtpërdrejt dhe të mësojnë. Prindërit gjithashtu dhanë kontributin e tyre aktiv, duke treguar se puna së bashku sjell vlera të qëndrueshme.
Përveç fëmijëve dhe prindërve, në aktivitet morën pjesë përfaqësues të sektorit civil dhe medias, të cilët panë se si një veprim i përbashkët mund të bëhet një kontribut afatgjatë për natyrën lokale dhe edukimin. Një falënderim i veçantë i takon Shoqatës “Martin Schneider Jacoby”, që dhuroi një pemë dardhe për kopshtin.
Projekti u realizua me mbështetjen e “Nënave për nëna” (Majke za majke), shoqatë që ka treguar përkushtim të jashtëzakonshëm ndaj kësaj nisme, dhe me përkrahjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
Ftesë për fëmijët dhe qytetarët
Organizatorët e aktivitetit, “Nënat për nëna”, i ftojnë të gjithë fëmijët dhe qytetarët që të vizitojnë kopshtin e ri të frutave, të njihen me bimët e mbjella dhe të mësojnë më shumë rreth rëndësisë së llojeve autoktone, ekologjisë dhe bashkëpunimit në komunitet. Qëllimi ynë është që ky kopsht të jetë një klasë e gjallë natyre dhe një vend ku do të mësojmë dhe rritemi së bashku – të rinj e të moshuar.
Me këtë projekt duam të tregojmë se edhe hapat e vegjël, kur mbështeten nga të gjithë, mund të kenë ndikim të madh: për fëmijët, natyrën dhe identitetin e qytetit tonë. Kopshti ynë publik i parë i frutave është simbol shprese që komuniteti i Ulqinit mund të jetë shembull ku njerëzit dhe natyra jetojnë më pranë njëri-tjetrit.
Arjona Resulani
