Një përqafim për gjeneratën time

Muaji maj është periudha më e bukur e vitit andaj e kujtojmë për çastet e këndshme që përjetojmë në 31 ditët e këtij muajit. Kuptohet, secili kemi kujtimet dhe përjetimet e veta por ajo që është e përbashkët dhe mbetet e paharruar për të gjithë ne, është përfundimi i vitit shkollor për gjysmëmaturantët dhe maturantët në shkollat tona. Edhe pse të përballur me situatën e krijuar nga epidemia e koronavirusit, përfundimin e kësaj faze të shkollimit nëntëvjeçar, e përjetuam me emocione të veçanta siç ndodh rëndom me rastin e ndarjes nga shokë e shoqe të klasës, me mësimdhënës dhe bankat e shkollës, ku i kaluam nëntë vite shkollore të plota. Filluam në moshën e hershme fëmijërore për të vazhduar duke u mësuar dhe duke u zhvilluar me orët e mësimit, fletore e libra, ushtrime e detyra të përditshme por gjithmonë me dëshirë për të mësuar dhe duke u përgatitur për atë që na pret në jetën e mëtejme. U shoqëruam dhe u njohëm me shumë moshatarë duke iu gëzuar shkollës dhe mësimit, lojës dhe argëtimit me dëshira dhe shpresa të shumta nga bukuria që sjellë fëmijëria, sidomos në bankat e shkollës. Sot, kur jemi duke u përgatitur për mësimin e mëtejmë, për detyra e obligime të reja, bashkërisht me lamtumirën e përzemërt, dëshirojmë që banka e shkollës të na bashkojë sërish, që ndonjëra nga shkollat e mesme të jetë foleja e kujtimeve tona në të ardhmen. Por dëshira më e madhe është që viti i ardhshëm shkollor të fillojë sipas orarit të paraparë dhe që pasojat e virusit korona ti takojnë të kaluarës. Që, orët e mësimit të zhvillohen rregullisht të liruar nga frika dhe ankthi që na shkaktoi sëmundja e pamëshirshme e quajtur koronavirusi. Ajo që nuk na lejoi që vitin e fundit në mësimin nëntëvjeçar ta zhvillojmë në mënyrë normale, të lirë dhe pa frikë në klasë dhe ambientet tjera në shkollë. Na trazoi që të mos kënaqemi plotësisht me suksesin e arritur në mësime, të mos përqafohemi me shokët e klasës dhe mësimdhënësit tonë nga droja e shkaktuar nga pandemia globale. Kemi shkruar vargje e hartime dhe jemi përgjigjur në pyetje të shumta të mësimit nga shtëpia, por gjithherë në pritje të kthimit sa më parë në shkollë. Shpresoj se dëshirat i kemi të njëjta të vazhdojmë mësimin e mëtejmë, me suksese edhe më të mira dhe që frika e shkaktuar nga pandemia globale të mos përsëritet më kurrë. Me këtë dëshirë, përqafoj të gjithë gjeneratën time kudo dhe që rrugët e fatit të na bashkojnë sërish në rrugën e mësimit dhe të dijes. Këtë, jo vetëm si dëshirë por edhe pritje nga gjeneratat e reja për një të ardhme më të mirë të shoqërisë në përgjithësi.

Angjella Dukaj

Të fundit

më të lexuarat