Në Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve “Let’s Do It”, njëra ndër organizatat që realizon aktivitete të ndryshme mjedisore vullnetare, ka shpallur vullnetarët e vitit 2020 në Kosovë.
Në mesin e këtyre vullnetarëve është edhe ulqinakja Mihana Goga – Bekteshi nga departamenti i Gruas në Këshillin e Bashkësisë Islame në Obiliq.
Ajo u vlerësua lart për punën dhe angazhimet e saj vullnetare gjatë kohës së pandemisë.
“Një aktiviste shembull nga komuna e Obiliqit në fushën e ruajtjes dhe mbrojtjes së mjedisit. Mihanen e kemi prezente pothuajse në çdo aktivitet tonin mjedisor, e ajo nuk ndalon së kontribuari edhe duke vetorganizuar aksione vetëdijësuese të pastrimit e duke i bërë pjesë të këtyre organizimeve edhe akterët relevantë të komunës prej nga vjen”, u tha në ceremoninë e ndarjes së mirënjohjeve.
Dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit është ditë e caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1985 dhe iu dedikohet të gjithë atyre vullnetarëve të shumtë anembanë botës, të cilët sakrifikojnë interesat e tyre personale, në interes të shoqërisë dhe komunitetit.
(Kohapress)