
Deklaratat kontradiktore të ditëve të fundit të iniciatorëve dhe mbështetësve të Ballkanit të Hapur flasin për dështimin e kësaj nisme, e cila nuk arriti të jetësohet në realitet ashtu siç e kishin menduar projektuesit e saj. Ballkani i Hapur mund të konsiderohet si vdekja e një fëmije pa lindur mirë (në embrion). Ajo ishte një nismë e paqartë, e promovuar nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Ballkani i Hapur mund të konsiderohet si vdekja e një fëmije pa lindur mirë (në embrion). Ajo ishte një nismë e paqartë, e promovuar nga Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama
Kosova është i vetmi shtet i Ballkanit Perëndimor, e cila që prej filllimit ka qenë hapur kundër kësaj nisme, duke e konsideruar atë të pakuptimtë dhe me qëllime të paqarta. Përfaqësuesit e saj nuk kanë marrë në asnjë prej takimeve të zhvilluara në vende të ndryshme, në kuadër të kësaj nisme.
Dy shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, ndonëse zyrtarisht nuk kanë qenë pjesë e Ballkanit të Hapur, kanë marrë pjesë në disa prej takimeve të zhvilluara në kuadër të kësaj nisme. Madje është pritur që Mali i Zi mund të bëhej në të ardhmen e afërt pjesë e Ballkanit të Hapur, pas largimit të Presidentit Millo Gjukanoviq, duke i ditur qëndrimet pro kësaj nisme të kryeministrit në detyrë Dritan Abazoviq dhe Presidentit të ri të Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Në këtë luftë diplomatike kundër të gjithëve, Kosova dhe kryeministri i saj Albin Kurti u përballën me presione të ndryshme, madje edhe të ndërkombëtarëve, duke e kritikuar, mes tjerash, se nuk është për integrime rajonale. Qëndrimi i Kosovës ndaj Ballkanit të Hapur nuk duhet kuptuar si qëndrim kundër nismave të bashkëpunimit rajonal dhe proceseve integruese, por është pasojë e mosbesimit të krijuar ndër vite ndaj çdo gjëje që vjen nga Serbia.
Për çudi, edhe bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e saj, qoftë amerikanë apo evropianë, me pretekstin se mbështesin çdo nismë që i shërben bashkëpunimit rajonal, kishin dalë në krah të Ballkanit të Hapur dhe de facto kundër Kosovës.
Megjithëse zyrtarisht e mbështet Ballkanin e Hapur, edhe Maqedonia e Veriut ka shfaqur së fundmi rezervat e saj ndaj kësaj nisme nëpërmjet Presidentit të saj Stevo Pendarovski.
Në periudhën e ardhshme do të shihet nëse nismëtarët kanë hequr dorë përfundimisht nga Ballkani i Hapur. Megjithatë deklaratat e fundit të kryeministrit Rama dhe Presidentit Pendarovski flasin qartë për dështimin e kësaj nisme. Kjo përbën pa dyshim një fitore të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në fushën e politikës së jashtme rajonale dhe ndërkombëtare.
Për çudi, edhe bashkësia ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e saj, qoftë amerikanë apo evropianë, me pretekstin se mbështesin çdo nismë që i shërben bashkëpunimit rajonal, kishin dalë në krah të Ballkanit të Hapur dhe de facto kundër Kosovës
Megjithëse në dukje një fitore e vogël, dështimi i Ballkanit të Hapur paraqet një fitore të politikës parimore të Kosovës dhe kryeministrit Albin Kurti, dhe dështim të politikës ndërkombëtare në Ballkan, duke bërë kompromise me Serbinë dhe presidentin e saj dhe duke zbatuar standarde të dyfishta, në dëm të vlerave evropiane e perëndimore që ato përfaqësojnë dhe proklamojnë. Një politikë e tillë e bashkësisë ndërkombëtare mund të ngjallë mosbesim te qytetarët e Kosovës dhe në përgjithësi te shqiptarët, si populli më proamerikan dhe proevropian në rajon.
