Tuz – Me qëllim të vetëdijesimit të personave me aftësi ndryshe dhe të qytetarëve për të drejtat e këtyre personave, OJQ “Fëmijët e Malit të Zi” në bashkëpunim me Komunën e Tuzit filluan të premten më 25 shkurt 2022 fushatën promovuese –“T’i kapërcejmë pengesat“.
Sipas njoftimit për media të kësaj organizate, në kuadër të kësaj fushate u krijuan materiale promovuese, slogane, broshura, pamje vizuale për rrjetet sociale, video me shembuj të praktikës së mirë në punësimin e personave me invaliditet, paraqitje, të ftuar në TV, etj.
“Në kuadër të këtij projekti u realizuan aktivitete të ndryshme të cilat kontribuuan tek kjo fushatë, siç janë: trajnime për përfaqësuesit e grupit monitorues për monitorimin e zbatimit të planit lokal të veprimit, trajnime për stafin mësimdhënës për zbatimin dhe monitorimin më të mirë të qëllimeve të arsimit gjithëpërfshirës apo inkluziv, seminare mbështetëse për prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara, zhvillim dhe punëtori për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe shumë aktivitete të tjera”, thuhet në njoftimin e kësaj OJQ-je.
Fushata e cila zhvillohet në kuadër të projektit “Bashkëpunimi për përmirësimin e pozitës së personave me invaliditet në Tuz” do të zgjasë deri më 10 prill 2022, ndërsa mbështetet nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO), në kuadër të programit të organizatave të shoqërisë civile në Mal të Zi – nga shërbimet bazë deri te hartimi i politikave – M’ BASE, financuar nga Bashkimi Evropian.
t. u.