Nevoja ebashkëpunimitdhe koordinimitmë të mirë

Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, është takuar me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Taulant Balla, gjatë vizitës në Tiranë.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Administratës Publike, në takimin që Dukaj ka zhvilluar të premten (21 korrik 2023) me Presidentin Begaj është biseduar për situatën politike në të dy vendet dhe synimet e përbashkëta në rrugën evropiane. Posaçërisht është folur për reformat në administratën publike dhe avancimin e luftës kundër krimit kibernetik.
Nga ana tjetër, Presidenti Begaj, duke iu referuar fushës sektoriale të ministrit Dukaj, ka theksuar se është e rëndësishme që të thellohet shkëmbimi i përvojave më të mira në sektorët e administratës publike dhe digjitalizimit të të dy vendeve.
“Gjatë takimit, Kreu i Shtetit u ndal dhe te mbështetja për shqiptarët e Malit të Zi, duke nënvizuar nevojën e një bashkëpunimi dhe koordinimi më të mirë midis dy vendeve në këtë drejtim”, thuhet në deklaratën për shtyp të Presidencës së Republikës së Shqipërisë.
Ndërkaq në takimin që ka zhvilluar me ministrin e Brendshëm të Republikës së Shqipërisë, Taulant Balla, ai e ka uruar atë për detyrën e re.
“Jam besimplotë se Taulanti ka ekperiencën dhe energjinë për ta mbajtur me dinjitet këtë përgjegjësi të re”, ka shkruar ministri Dukaj në faqen e tij në rrjetin social Facebook.
Që prej dje ministri Dukaj ndodhet në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ku me ministrin e Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Azir Aliu, do të nënshkruajnë Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet dy ministrive në fushën e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike.

(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat