Në vizitë njëditëshe pune Komunës së Gucisë

Guci – Ministri i Ekologjisë, planifikimit hapësinor dhe urbanizmit, Ratko Mitroviq, bashkë me drejtorin e Drejtorisë për ekologji, Dushan Bugarin, dhe drejtorin e Administratës për punë publike, Boro Lluçiq, të mërkurën, më 3 nëntor 2021, qëndruan në vizitë njëditëshe pune në Komunën e Gucisë, me ç’rast u takuan me kryetaren e kësaj komune, Anella Çekiq.
Kryetarja e komunës, Anella Çekiq, mysafirët e lartë nga Podgorica u dëshiroi mirëseardhje dhe i falënderoi për vizitën e bërë, si dhe për bashkëpunim të ndërsjellë me Ministrinë në fjalë, e posaçërisht për Planin urbanistik hapësinor të Gucisë, por edhe për planet e ardhshme që do të realizohen.
Delegacioni nga Podgorica, i shoqëruar nga kryetarja Çekiq, vizitoi urën e re në Lumin Vruja, jo larg Gucisë, të lëshuar për qarkullim kohë më parë, e cila është njëra ndër segmentet e projektit gjithëpërfshirës të rikonstruktimit dhe modernizimit të rrugës rajonale Plavë – Vojno Sellë – Krushevë – Guci, e gjatë rreth 10km, vlera e të cilës është afro 4,4 milionë euro. Ura në fjalë është objekti i vetëm infrastrukturor i kryer deri më tani në pjesën e rrugës së sipërpërmendur, Guci – Vishnjevë, që i përket Komunës së Gucisë.
Ministri Mitroviq, në fjalën e rastit ka theksuar se Ministria përkrahë dhe mbështetë secilin projekt i cili i kontribuon zhvillimit dhe avancimit të Komunës së Gucisë, kurse drejtori i Administratës për punë publike, Boro Lluçiq, është shprehur se është krenar për përfundimin e punëve të urës në fjalë, dhe se Administrata të cilën ai e drejton, do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen e të gjitha projekteve infrastrukturore të cilat do të ndihmojë zhvillimin e Veriut të Malit të Zi.
Në takimin dy palësh në Guci, ministri Mitroviq dhe drejtori Lluçiq, me kryetaren e komunës, znj. Çekiq, kanë biseduar mbi projektet aktuale dhe ato të ardhshme të Komunës së Gucisë, por edhe mbi provokimet (nxitjet) me të cilat ballafaqohet kjo komunë e re në verilindje të Malit të Zi.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat