Në vazhdë manifestimi tradicional “Ditët e Boronicës”

Gjatë 17 ditëve sa do të zgjasë manifestimi në fjalë, në ambientin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Shtëpisë së Kulturës në Murinë, sheshit të qytetit të Plavës dhe hapësirave të parapara të natyrës në nënqiellin e hapur, do të organizohen dhe mbahen aktivitete shumëdimensionale me rëndësi, peshë dhe vlerë të lartë

Në komunën e Plavës është në vazhdë manifestimi tradicional shumëdimensional – bujqësor, kulturor, letrar, artistik, teatror, muzikor dhe sportiv “Ditët e Boronicës”, i 25-ti me radhë, i cili ka filluar më 16 korrik dhe do të zgjasë deri më 1 gusht 2025.
Ky edicion jubilar edhe këtë vit mbahet në organizim të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” dhe me mbështetjen e Komunës së Plavës, Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna” dhe të Organizatës Turistike të Plavës.
Gjatë 17 ditëve sa do të zgjasë manifestimi në fjalë, në ambientin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Shtëpisë së Kulturës në Murinë, sheshit të qytetit të Plavës dhe hapësirave të parapara të natyrës në nënqiellin e hapur, do të organizohen dhe mbahen aktivitete shumëdimensionale me rëndësi, peshë dhe vlerë të lartë, si: vjelja e frytit të boronicës në malin Kofilaça në afërsi të Plavës, përurime të veprave të zhanreve të ndryshme letrare, ekspozita të pikturave dhe vizatimeve të artit të bukur pamor, shfaqje teatrale për fëmijë dhe të rritur, programe të larmishme të muzikës popullore dhe zbavitëse, rivista të folklorit dhe valleve burimore autoktone, shfaqje filmike, panairi i prodhimeve bujqësore dhe i punimeve artizanale, prezantimi i kuzhinës me specialitete ushqimore e ëmbëlsira vendore të përbëra kryesisht nga fryti i boronicës, si dhe një vistër aktivitetesh e garash sportive.
Në ditën e fundit të manifestimit të sivjetmë jubilar, të premten, më 1 gusht 2025, këshilli organizativ në mënyrë solemne do të shpallë Miss-in (Bukuroshen) e boronicës, vjelësen më të re dhe atë më të shpejtë të frytit të boronicës, me ç’rast do të ndahen fletëfalënderime dhe plaketa për pjesëmarrësit e suksesshëm, nën përcjelljen e programit të larmishëm argëtues muzikor në ambientin e hapësirës së sheshit të qytetit të Plavës.
Hapja solemne e manifestimit është shënuar në ambientin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” të Plavës me përurimin e revistës dhe librit “Izvor” (Burimi), botim i shoqatës vendlindëse të Plavës dhe Gucisë nga Republika e Sllovenisë, të cilën e ka bërë drejtori i Qendrës për Kulturë në fjalë, Vlladimir – Vllado Knezheviq, i cili në fjalën e vet të rastit ndër të tjera ka theksuar se kjo ngjarje paraqet simbol të fuqishëm të lidhjes në mes të atdheut dhe diasporës, në mes të trungut vendlindës dhe degëve të tij të cilat janë degëzuar anekënd botës. Ai në vazhdim ka shtuar se manifestimi tradicional “Ditët e Boronicës” paraqet jo vetëm kremtimin e këtij fryti të çmuar, por edhe shënimin e kulturës, traditës dhe përbashkësisë sonë. Kjo ngjarje është rast që të tubohen njerëzit nga viset e ndryshme dhe diasporës, që ndajnë përjetimet e veta dhe të kënaqen e dëfrehen në bukuritë e trevës sonë. Jemi krenarë që mund të gostitim numër vërtet të madh vizitorësh dhe t’u ofrojmë përvoja të paharruara përmes manifestimit tonë dhe programeve të shumënumërta. Ditët e boronicës janë më tepër se festival, ato janë dëshmi e dashurisë sonë ndaj natyrës, vendit tonë dhe njërit ndaj tjetrit. Ato po ashtu janë rast që të gjithë së bashku të gëzohen, mësojnë dhe të krijojnë kujtime të cilat do të mbeten të paharruara gjatë tërë jetës.
Plava gjatë këtyre ditëve do te jetë kaleidoskop i gjallë i ngjyrave, tingujve dhe aromave, vend i drejtë për të gjithë ata që dëshirojnë të ndiejnë frymën e përbashkët dhe ngrohtësinë e trevës sonë.
Në fund të shkrimi, pa ngurrim dhe me plot gojë mund të konfirmohet se ky manifestim tradicional i Komunës së Plavës pa mëdyshje është panoramë shpirtërore e një rajoni. Ai është kremte i cili tubon gjenerata, zhvendos kufij, zgjon kujtime dhe krijon miqësi të reja.

Sh. Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat