Në vazhdë është manifestimi tradicional shumëpërfshirës “Ditët e boronicës”

Plavë – Në Komunën e Plavës është në vazhdë manifestimi tradicional, bujqësor, kulturor, letrar, artistik, teatral, muzikor dhe sportiv “Ditët e boronicës”, i 23-ti me radhë, i cili ka filluar më 15 korrik dhe do të zgjasë deri më 31 korrik 2023. Aktiviteti mbahet në organizim të Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” dhe në mbështetje të ministrive të Bujqësisë, Pylltarisë e Menaxhimit të ujërave dhe asaj të Zhvillimit Ekonomik e Turizmit të Qeverisë së Malit të Zi në mandatin teknik, të Komunës së Plavës, Parkut Nacional “Bjeshkët e Nëmuna”, Organizatës Turistike të Plavës dhe të Alter Modus bankës. Gjatë 15 ditëve sa do të zgjasë manifestimi në fjalë, në ambientin e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Shtëpisë së Kulturës në Murinë, sheshit të qytetit të Plavës, si dhe hapësirave të parapara të natyrës në nënqiellin e hapur, do të organizohen dhe mbahen aktivitete shumëpërfshirëse si: vjelja e frutit të boronicës në malin Kofilaça, jo larg Plavës, përurime të librave, ekspozita të pikturave dhe vizatimeve, shfaqje teatrale për fëmijë dhe të rritur, programe të larmishme të muzikës popullore dhe zbavitëse, rivista të folklorit dhe valleve burimore autoktone, garë simultane në shah, shfaqje filmike, panairi i prodhimeve bujqësore dhe i punimeve artizanale, prezantimi i kuzhinës me specialitete ushqimore e ëmbëlsira vendore, etj.
Në ditën e fundit të manifestimit, të hënën më 31 korrik 2023, këshilli organizativ në mënyrë solemne do të shpallë Misin (bukuroshen) e boronicës, vjelësen më të re dhe atë më të shpejtë të boronicën, me ç’rast do të ndahen edhe fletëfalënderime dhe plaketa për pjesëmarrësit e suksesshëm nën përcjelljen e programit të larmishëm argëtues muzikor në platonë e Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq”.
Drejtori i Qendrës për Kulturë “Husein Bashiq” në Plavë, Vlladimir – Vllado Knezheviq, i cili më 15 korrik e shpalli të hapur manifestimin në fjalë, u shpreh: “Edhe këtë vit kemi vazhduar traditën e trevës së Plavë-Gucisë dhe të manifestimit, i cili me të drejtë njihet si prezantues i jashtëzakonshëm i qytetit të Plavës. Kjo prizmë kulturore ofron që të jemi më të begatë dhe më afër njëri-tjetrit. Programet e lloj-llojshme bëjnë bukurinë e veçantë të këtij manifestimi. Posaçërisht jemi të kënaqur që te Drejtoria për mbrojtjen e të mirave kulturore kemi vendosur prezantimin e të ashtuquajturit mbrojtja e qilimit granash të Plavë-Gucisë dhe me këtë rast kemi mbarështuar monografinë me vlerë e cila dëshmon mbi bukurinë e veçantë dhe begatinë e thesarit tonë kulturor. Jam i sigurt që shumë vizitorë përfaqësues të diasporës sonë të çmuar, por edhe mysafirët e shumtë në numër dhe miqtë e Plavës, do të dëfrehen e kënaqen me programet shumëpërfshirëse që do të mbahen gjatë 15 ditëve të manifestimit ‘Ditët e boronicës’”.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, në fjalën e rastit në ditën e hapjes së manifestimit “Ditët e boronicës” u shpreh: “Bëjmë përpjeke që përmes mbështetjes së Komunës së Plavës të japim kontributin tonë maksimal për programe cilësore dhe të rëndësishme të cilat nga aspekti kulturor, artistik, turistik, gastronomik e ekonomik të promovojnë komunën tonë. Tani manifestimi i 23-të me radhë ‘Ditët e boronicës’ ka vlerën dhe peshën e pamohuar të cilat i ndajmë me të gjithë qytetarët tanë, diasporën, turistët e shumtë dhe mysafirët të cilët jam i sigurt se do të dëfrehen dhe kënaqen në të gjitha bukuritë dhe atraksionet, jo vetëm të qytetit të Plavës, por edhe të manifestimeve tona”.

Shaban Hasangjekaj

Të fundit

më të lexuarat