Zbulimi i internetit dhe shfaqja e rrjeteve sociale pa dyshim që kanë përmirësuar jetën e njeriut në shumë aspekte. Ato na lidhin me botën në çdo kohë, çdo vend. Përmes tyre jemi vetëm një klikim larg çdo informacioni dhe lajmi. Një zbulim ky kaq i fuqishëm dhe i arritshëm për të gjithë. Çfarë mund të shkonte keq?
Megjithatë, me kalimin e kohës, me rritjen e numrit të përdoruesve nisën të shfaqen edhe të metat e gjithë kësaj vorbulle të madhe dhe anët negative po vazhdojnë të shtohen nga dita në ditë. Rrjetet sociale kanë arritur që të krijojnë një ndikim të madh tek ne, pa marrë parasysh moshën dhe kanë krijuar një ndjenjë varësie. Ato kanë ndikuar dukshëm edhe në ndryshimin e këndvështrimit tonë në mënyrën se si e shohim dhe e konceptojmë jetën, lumturinë, dashurinë dhe argëtimin.
Shqetësues është fakti se sa shumë ne si individë ndikojmë tek njëri-tjetri në lidhje me rrjetet sociale. Duket sikur njerëzimi vuan faktin e pranimit nga të tjerët, të jemi si të tjerët, të na duan, të na pranojnë. Kështu, me dëshirën tonë postojmë foto dhe video private të vetes, familjes, shoqërisë, arritjeve tona, makinës e madje arrijmë deri tek ushqimi apo kafeja e mëngjesit. Gjithmonë turremi të tregojmë më të mirën e vetes. Bëhemi klone, veprimet e njërit ndikojnë në hapat që merr tjetri, duke krijuar kështu një zinxhir të pafund. Perveç privatësisë që na rrëmbehet që në momentin e regjistrimit në këto rrjete, ne qoftë me vetëdije, qoftë me pavetëdijen tonë, i ushqejmë ato edhe më shumë. Shpërndajmë vendndodhjen tonë pa e menduar dy herë. E vendosim veten para disa syve po aq të uritur sa tanët, me dëshirën e vlerësimit me ca pëlqime dhe komente. Lind një luftë për lëvdata, aprovime. Ai që pëlqehet më shumë, atë e vlerëson shoqëria më shumë. Përherë e ndiejmë të nevojshme ta tregojmë veten, kërkojmë reagime e vëmendje sikur të ishte drogë. Deri edhe lumturia jonë varet nga vlerësimi që na bëjnë të tjerët.
Presioni që na krijohet nga shoqëria për t’u përshtatur këtyre normave është aq i madh saqë njerëzit e ndiejnë nevojën e postimeve të rreme, të falsifikimit të realitetit. Bota virtuale është mjaft e madhe dhe shpesh bie ndesh me botën e vërtetë, meqë krijon një realitet të dytë, i cili duhet theksuar se në të shumtën është i pavërtetë. Ajo që jemi në të vërtetë, përplaset me atë që shtiremi të jemi para të tjerëve dhe kjo na krijon pakënaqësi me veten, pasiguri, frikë nga dështimi dhe zili kundrejt të tjerëve. Derisa lodhemi duke krijuar dhe jetuar këtë realitet, harrojmë të jetojmë realitetin tonë të vërtetë.
Duhet theksuar se qëllimet e rrjeteve sociale janë humbur gjatë rrugës, apo ndoshta pas tyre janë fshehur qëllime të tjera, të dala vonë në pah. U përshkuan në jetën tonë dhe në fund e morën pushtetin mbi ne, ndërsa ne i pritëm me duar hapur. Çfarë mund të shkonte keq, apo jo?
Amra Demiroviq
Ky shkrim publikohet në kuadër të trajnimit për të rinj „Sapere aude – guxo të jesh i mençur“, i mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
